Partitë politike në Maqedoni janë shprehur se mbeten të përkushtuara në procesin e integrimit të vendit në BE, duke nënvizuar se me largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian Maqedonia humbet një aleat ët fuqishëm në përpjekjet e vendit për tu bërë pjesë e BE-së.
Ivo Kotevski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së, thotë se bëhet fjalë për një vendim të marrë nga ana e votuesve dhe taksapaguesve britanikë dhe në këtë rast mbetet që atyre t`ju urohet fat dhe suksese në rrugën që kanë zgjedhur.
“Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të thotë një humbje e madhe edhe për Ballkanin dhe Maqedoninë, meqë bëhet fjalë për një shtet që na ka mbështetur në rrugëtimin tonë në në procesin e integrimit dhe është angazhuar për zgjerimin e BE-së”, ka transmetuar qëndrimin zyrtar të VMRO DPMNE-së zëdhënësi i kësaj partie, Ivo Kotevski.
Rafiz Haliti, nënkryetar i parlamentit të Maqedonisë, nga radhët e parisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se pavarësisht vendimit të qytetarëve të Britanisë së Madhe për t`u larguar nga BE, e ardhmja e Maqedonisë mbetet anëtarësimi i plotë i shtetit në Bashkimin Evropian.
“Sa i përket Bashkimit Demokratik për Integrim, mbetemi në kursin e njëjtë politik, atëse interes strategjik i partisë që përfaqësoj po edhe i Republikës së Maqedonisë si shtet është integrimi në Bashkimin Evropian. Për ne nuk ekziston ndonjë rrugë tjetër që do të ishte si alternativë për të ardhmen e vendit”, thekson Rafiz Haliti, nënkryetar i parlamentit të Maqedonisë .
Edhe nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë janë shprehur të prerë,se kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë shpreh bindjen se rrugë përmes së cilës duhet të ec vendi është rruga e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social demokrate e Maqedonisë.
Përderisa Ilia Dimovski, koordiantor i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, në profilin e tij në FB ka shkruar:
“…djema, deri sot edhe mund të tolerohej kur dikush thoshte se duhet të lëshohet pe për çështjen e emrit… në funksion të anëtarësimit,… pas ditës së sotme atyre duhet tu tregohet dera….”
Në këtë drejtim, ish diplomati Denko Malevski ka shprehur shqetësimin e tij se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar, i shprehur në referendum, për tu larguar nga Bashkimi Evropian, do të mund të keqpërdoret dhe keqinterpretohet në Maqedoni.
“Kam frikë se në politikën këtu në Maqedoni ky vendim do të mund të keqkuptohet në versionin: ja mirë është që ne si shtet nuk jemi në Bashkimin Evropian, por e kundërta.”
“Kjo që ndodhi na tregon se sa është e rëndësishme që një shtet me kohë të jetë i përfshirë në strukturat evropiane, në mënyrë që të mund të shfrytëzojë benifitet në aspektin e sigurisë ekonomike, si dhe sigurisë së përgjithshme dhe të jetë aty kur fillojnë të ndryshojnë gjërat. Ne si shtet, për fat të keq, mbetemi jashtë Bashkimit Evropian dhe nga kjo pozitë mbetet të ndjekim si do të zhvillohen gjërat”, thekson ish diplomati Denko Malevski.
Ndryshe, Maqedonia, që nga viti 2005 është vend kandidat për t`u anëtarësuar në BE, ndërkohë që nga viti 2009, është në pritje të caktimit të datës për fillimin e bisedimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. (REL