Masakra e Biohorit në Natën e Bozhiqëve të 43-tës

Vuajtjet e popullit në viset veriore të trojeve Shqipatare janë përshkallëzuar sidomos në periudhën nga 5 janari deri më 7 shkurt të vitit 1943 kur është kryer gjenocid i pa parë kundër popullsisë së besimit islam të këtyre trevave. Sipas dëshmive të dokumentuara në këtë periudhë janë masakruar rreth 9200 njerëz. Popullsia e kësaj treve është persekutuar pa dallim gjuhe, përkatësie kombëtare (shqiptarë apo boshnjakë). Kjo ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore – luftë e cila për çetnikët kishte edhe karakter “kryqëzate”
cetnici-600x323

Ismet Azizi
Gjenocidi serbomadh mori formë të organizuar shtetërore qysh në vitin 1844, me programin “Naçertanija” të Ilia Garashaninit, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Principatës së Serbisë, për të vazhduar me projektin e Vlladan Gjeorgjeviqit, më 1908. Pas reformës agrare, vazhdohet me programin kolonizimit i cili paraqitet në parlament në Beograd në formë memorandumi me titull “Shpërngulja e Arnautëve”, më 7 mars 1937, nga Vaso Çubrilloviç, ku tregoheshin mënyrat çnjerëzore që duhej të përdorte shteti serb për zhdukjen e shqiptarëve. Elaborati i titulluar “Projekt-raport për Shqipërinë”, i cili u promovua nga nobelisti i mëvonshëm Ivo Andriq, më 30 janar 1939, paraqet planet për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Ndërsa projekti i Stefan Moleviçit, i 30 qershorit i viti 1941, parasheh fshirjen e Shqipërisë nga harta ballkanike dhe zhdukjen totale të shqiptarëve, program të cilin u mundua ta realizoj edhe Drazha Mihailloviq gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në viset veriore të trojeve Shqiptare.
Historiografia shqiptare në dy dekadat e fundit ka bërë përpjekje të dukshme për zbardhjen e ngjarjeve dhe zhvillimeve politiko-ushtarake në trevat etnike shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për këtë qëllim janë organizuar me dhjetëra simpoziume shkencore në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj, në të cilat janë ofruar fakte dhe dëshmi të pakontestueshme për krimin dhe gjenocidin ndaj popullsisë civile shqiptare nga ana e forcave të ndryshme pushtuese çetnike e komuniste.
Krimet çetnike-komuniste janë kryer në vijimësi, sa herë që u është dhënë mundësia, e që për fat të keq deri më sot kanë ngelur në errësirë.

konvertimi me dhune

Të dhënat burimore flasin qartë se forcat serbo-malazeze çetnike të përkrahura me logjistikë dhe me armë nga ushtria italiane, shkatërruan përtokë 82 fshatra në Krahinën e Bihorit në Sanxhak, më 5 – 6 janar të vitit 1943. Këto forca çetnike serbo-malazeze i ka udhëhequr nga krimineli i njohur Pavle Gjurishiq. Siç bëjnë të ditur dokumentet arkivore shqiptare, brenda dy ditëve janë vrarë, therur, dhe masakruar në forma të daytime, mbi 4 628 banorë shqiptarë. Qindra të tjerë janë zënë rob (shumica gra e vajza të reja) kurse mbi 15.000 janë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre për t’u vendosur në vende më të sigurta. Krahina e Bihorit ishte zonë neutrale midis vijës së demarkacionit të Shqipërisë dhe Malit të Zi, e cila mbikëqyrej nga autoritetet civile e ushtarake italiane.
Bihori i Sanxhakut ishte lënë zonë e demarkacionit midis zonës së interesit gjerman (Serbisë së regjimit të Nediqit), zonës italiane (Mbretërisë së Malit të Zi) dhe “Shqipërisë së Madhe” nën kurorën mbretërore të Italisë. Mirëpo, mbi këtë teritor kishte vu dorë Mali i Zi, me përkrahje të plotë nga ushtria fashiste italiane.
Popullsia e zonës neutrale konsideronte se për gjendjen e krijuar dhe për masakrën e Bihorit janë fajtore autoritet shqiptare sikur edhe autoritetet ushtarake italiane të Malit të Zi, për moskujdesje ndaj sajë. Sipas tyre, zona neutrale e cila nuk i takonte askujt, ishte mundësi e mirë që sersbomalazezët të realizojnë qëllimin e tyre të pastrimit etnik të kësaj treve. Qeveria shqiptare nuk kishte marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e saj. Popullata e akuzoi qeverinë sepse nuk ishte në gjendje as që ta armatoste popullin që të vetorganizohej në mbrojtjen jetës së tyre, edhe pse një gjë e tillë iu ishte premature. Madje, popullit as që iu bë me dije që të gjindej apo të vetorganizohej në këtë situatë të rëndë.
Pasi që për masakrën e Bihorit ishte dëgjuar gjithandej, qeveria e Tiranës formoi një komision i cili do ta analizonte gjendjen e krijuar në këtë trevë dhe ta njoftojnte qeverinë për masakrën e shkaktuar ndaj popullatës së Bihorit dhe pasojat e saja.
Qeveria Libohova e Mbretërisë Shqiptare e dërgoi në Bihor një komision shtetëror në krye me Nënministrin e Tokave të Lirueme, juristin Qazim Bllaca. Në komision ishte edhe Thoma Luarasi, me karrierë politike në këtë ministri, dhe tre ushtarakë të lartë italianë dhe një numër i parisë shqiptare të Dukagjinit me Demë Ali Pozharin, Emrush Miftrain, Bajram Gashin dhe disa të tjerë. Komisionin e shoqëroi një delegacion i Sanxhakut në krye me patriotin e zjarrtë shqiptar Mulla Osmanin e Petnicës .
Nga të dhënat që mblodhi ky komision, në Masakra e Bihorit nga serbo-Maliseet kishin vrarë 590 burra, 185 të therur, 119 të grirë; gra – 340 të vrara, 285 të thera, 266 të grira; fëmijë – 701 të therur, 705 të djegur, 447 të grirë. Të plagosur: burra – 359, gra – 275. Diku rreth 250 gra të reja e vajza janë deportuar në kampet çetniko-drazhiste për t’u dhunuar seksulaisht nga ushtarët serbo-malazez. Asnjë nuk shpëtoi nga thika për të dëshmuar krimin shtazarak. Ua humbën edhe varret. Pra, numri përgjithshëm i viktimave është 4 628.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në fondin arkivor të viti 1943 (janar – korrik), gjendet dosja nr. 5, me 57 fletë, ekzistojnë disa dokumente origjinale dërguara kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë Ekrem Bej Libohovës nga ana e Komisionit të zgjedhur enkas për ta konstatuar gjendjen faktike, të cilat në mënyrë të pakontestueshme dëshmohet krimi dhe gjenocidi serbo-malazias mbi banorët shqiptar të kësaj zone. Dokumentet në fjalë po vazhdojmë t‘i paraqesim në formë origjinale.

plave e guxi

Dokumenti i II-të
“Tiranë, me 30 Kallnuer, 1943-XXI, Shkëlqesisë Ekrem bej Libohova, Kryetar i Këshillit të Ministrave
Shkëlqesi
Në vijim të kthjellimeve që patëm nderin të Ju apim mbi ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Bihor, në krahinat e Senicës e të Bjelopolës, sikurse na porositët, po paraqitim së bashku me këtë shkresë, nji relacion mbi ato mizorina, i forcuem me dhjetë copë dokumenta provuese. Shkëlqesia e Juaj e din vehtë se ç’masa duhet marrë për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve – gadi 10.000 shpirt – që janë tue vuejtun keqas, si edhe mbi çka duhet bamë qi ata mizorina mos të përsëriten dhe populli mund të shkojë në vend të vet. Edhe mbi atë pikë simbas porosisë së Juaj, e kemi dhënë mendimin tonë këshillues. Tue qenë të sigurt se Qeverija Mbretnore do t’a merrë parasysh këtë çështje me rëndësin e me ngutësin që meriton, mbeteni me shumë nderime.
N’emër të muhaxhirëve të Bihorit
P.S.
I lutemi së ndershmes Kryesi t’ia përcjellë sa më parë Kryqit të Kuq Shqiptar dokumentat origjinale, mbasi atij instituti i janë drejtue.

Promemoria mbi ngjarjet e tmerrshme në zonën e Bihorit

( Në vazhdim po japim nga pika 4 e dokumentit të Dytë në formë origjinale. I . A)

4. – Bilansi i ditëve tragjike të Bihorit, shkurtimisht, asht ky: Shtëpija të djegura 1763, burra të vramë 590; të therun 185, gra të vramë 340; gra të theruna 285, fëmijë të therun 701; të djegun 705, të grimë prej të ftohtit: fëmijë 447, gra 266, burra 119, të vdekur nga urija, të plagosur: burra 359, gra 275, të marrun rob (gra e vajza) 251. Pra, gjithsej, si mbas hetimeve të bamë me shpejti, del se të vdekurit janë 3741 dhe të plagosunit 634. Sa për 251 shpirt qi mungojnë, shumica e madhe e të cilave asht gra e vajza, këto do të jenë marrë rob qi t’u shërbejnë çetnikëve qi t’a plotësojnë veprën e tyne të turpshme e shnjerzore. I takon botës së qytetnueme t’i peshojë e t’i gjykojë këto mizorina. Mallkimi i Zotit le të bien pa mëshirë mbi ata q’i mendojnë e i kryejnë; dënimi i Drejtësis njerëzore le t’i ndëshkojë shkaktarët e kësaj kërdie qi janë tregue bisha të pashpirt.
5.- Shkaktar kryesuer i këtyre mizorinave mund të quhet Vojvoda Pavle Gjurishiq, shokët e çetat e tij. Ay paturpësisht pretendon se i asht shtrue autoriteteve ushtarake italiane të Maltzi dhe se bashkëpunon me to. Vepra kriminale e kryeme kundër Shqiptarëve të pafajshëm e të pamprojtun të Bihorit e provon plotësisht se Gjurishiqi dhe çetnikët e tij janë anmiq të betuam të fisit shqiptar. Janë gjithashtu anmiq të papajtueshëm t’Italisë: e treguen përpara dhe do t’a provojnë rishtas në ma të parin rast të volitshëm. Qi Pavle Gjurishiqi e organizoi planin e masakrit në Bihor dhe ndofta e zbatoi në vend, nuk duhet të ketë dyshim. Dëshminat e atyne q’i banë çetnikët në veprim e sipër; shenjat qi ata lanë në lamën e kërdisë s’provojnë mjaftësisht fajin e tij. Por, veç këtyne provave asht fakti se nuk mund të merret me mend qi, ndër ato vise, mund të veprojë nji çetë e madhe 4- 5 mijë vetësh pa dijen e pa lejen e tij. Në nji proklamatë të shpallun e të nënshkrueme prej tij, mbas masakrit, ay thotë tekstualisht: “Tragjedija e katundit Burgjeve ka sjellë dëshpërimin e popullit t’onë në kulm dhe ky ka eksplodue. Populli vetë asht çue me marrë gjakun dhe njëkohësisht me u mbrojtë. Kanë ndodhun tmere të pa mbajtura në mend deri më sot, qi ka qenë e pamundur me i ndalue. Komanda e çetnikëve dhe kryetarët e njësive të mija s’janë pjesëmarrës në këtë…” Qi ay gënjen pa turp, duket faqas, sepse çetnikët me uniforma e me të gjitha shenjat dalluese të tyne: ata e kryen kërdinë e jo katundarët malazias. Kjo gja asht evidente, e dukshme qartësisht, e pamohueme.
6.- Pavle Gjurishiqi flet, në Proklamatën e tij, për “tragjedinë e katundit Burgjeve” dhe, me këtë, don të thotë se faji asht i popullsis shqiptare, e cila i ka dhanë shkak munxynes së Bihorit. Kjo asht nji renë qi e akuzon dhe nuk e shfajëson. Ja si qëndron puna: Gadi dy muej ma para, malizas të katundit Burgjeve qi nuk shkojnë me Shqyptarët, mbassi shumë ndër “ta” e kanë zanat grabitjen dhe janë çetnikë, e atakuan katundin shqiptar Bular, rëmbyen 40 krenë lopë, 250 berra dhe vranë dy bari. Dy javë ma vonë, Shqiptarët e vendit, tue drojtun dhe kërcnime të tjera, u mbështjellën dhe shkuen në katundin Burgjeve, ku kishin mësue se gjindet nji pjesë e baktive të grabitun. Atje u pritën me pushkë prej çetnikëve dhe kështu u ndes nji luftë midis tyne. Përfundimi asht se u vranë disa nga të dy palët, u dogjën 5-6 shtëpi, por nuk u damtue as nji njeri qi nuk mori pjesë në luftim, as nji grue nuk u vra, as nji fëmijë nuk u plagos. Asht marri e thjeshtë të gjykohet se me ngjarjen e Burgjeve, të shkaktuese prej malaziasve, popullsia shqiptare ka provokue ahmarrjen e Bihorit. Kryeparë vihet re se katundi shqiptar Bulari, qi u ba shkak për ngjarjen e Burgjeve, as nuk gjindet midis atyne 82 katundeve që janë shkatrre prej çetnikëve.
7.- Asht jasht menç të thuhet se ndofta Shqiptarët e kanë shkaktue vet ngjarjen e Bihorit. Kryeepara ata mezi presin realizimin e idealit të tyne qi asht bashkimi me Mbretnin shqiptare. Ata e kanë kuptua mirëfilli se çdo ngatresë e trazirë në vend, shkon për dam të tyne. Ata vullnetarisht janë ba mbrojtës të qetësisë e kanë luftue kundër kryengritësve qi kërcnonin rendin e ri të vendosun n’at zonë. Ata u kanë dalë zot ushtarëve dhe karabinierëve italianë, kur këta janë ndodhur ngushtë si në ngjarjen e Beranës ku ishin rrethue nga çetnikët dhe u shliruen nga Shqiptarët -, jo për tjatër, por për njerzi e për mirënjohje kundrejt atyne ushtarëve qi kanë ardhur si shlirues të tokave shqiptare të Malitzi. Asht ky provokimi ma i randë për të cilin i fajson Pavle Gjurishiqi, sikundër del faqas nga Proklamata e tij q’u përmend ma nalt. Por, sigurisht “provokimi” asht vetëm nji fjalë për ta mbulue të vërtetën. Realiteti asht se Pavle Gjurishiqi me shokë, kundrejt Shqiptarëve nuk ban[ tjatër veç se me e zbatue planin ma të gjanë të Drazha Mihajloviqit. Baterdija e tmerrshme e Bihorit mund të thuhet se asht zbatimi i pikës së parë të Planit të kurdisun nga Mihajlloviqi, dhe të shpallun ca kohë ma parë prej Shtypit shqiptar, ku shfaqet qartas vendimi me e shfarosun popullin shqiptar t’atine krahinave.
8.- Të mjeruemit e tragjedis së Bihorit, ndër krahinat e Senicës e të Bjelopoles, nuk janë vetëm ata q’u shënuan ma nalt, në pikën 4. Janë edhe t’ikunit nga tmeri. Këta mbath e vdath kanë lanë plangun e shtëpinë dhe kanë marrë rrugën e malit dhe shumica e tyne kanë dalë përkëtej kufinit. Nji pjesë tjatër e madhe gjindet në Qendrën e Bjelopoles. Të parët janë 6- 7 shpirt, shumica në Pejë. Ata të Bjelopoles janë 4-5 shpirt. Të gjithë gjinden mos ma keq. Të plagosunit e të sëmundit janë në rezik të madh. Sëmundje të rënda dhe të rrezikshme, edhe për popullsinë e vendit, mund të shfaqen në mes të tyne. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë të shpejtë dhe të dobishme. I takon Qeverisë mbretërore t’i vendojë e t’i zbatojë me ngutësi masat që do t’i duken ma të përshtatshme. Masat e shpejta dhe ma të nevojshme munden me u radhitë në këtë mënyrë: a) Organizimi i ndihmës, zyrtare e kombëtare, për muhazhirët të mjeruemit: strehim, veshje dhe ushqim; b) Dërgim i shpejtë mjekësh dhe barnash për të sëmundit; c) Organizimi i rikthimit të muhazhirëve nëpër vendet e tyne, pasi të vendoset atje qetësija dhe sigurija; d) Përkrahje materiale që të mundin ata t’a rifillojnë sa më parë punimin e tokës. (vijon)

Artikulli paraprakFahri Xharra e fyen Mulla Jakup Asipin e ndjerë, por një komentues ja krypë salepin!
Artikulli vijuesHoxhë Shefqeti ka më shumë llajka se Atifete Jahjaga e Kadri Veseli