Mbahet forumi për të ardhmen në BE të Shqipërisë dhe Serbisë

Kryetari i Kuvendit u shpreh se politika duhet t’i japë një rol më të madh të rinjve në të dy vendet.

Në qytetin e Durrësit është mbajtur forumi “Shqipëria dhe Serbia drejt një së ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare së bashku me Forumin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane për Serbinë, raporton Anadolu Agnecy (AA).

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta mori pjesë në këtë forum, ku të pranishëm ishin edhe ekspertë për çështjet ndërkombëtare, analistë dhe drejtues të pushtetit vendor.

Në fjalën përshëndetëse, Meta u shpreh se që nga rënia e regjimit të Milosheviçit, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, ka nisur një fazë e re. Ai theksoi se dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ishte shumë më e fortë.

“Që nga momenti ku Milosheviçi u largua dhe Serbia nisi një fazë të re, kur po bëhen gati 16 vite, nuk jemi aty ku duhet të ishim sepse jemi ende peng të viteve të së kaluarës, të sjelljeve tipike që janë pasojë e Luftës së Ftohtë. Dhe mendoj që për dy vendet që e kanë realisht sot objektiv integrimin evropian, dinamika e kësaj marrëdhënie duhet të ishte shumë më e forte, shumë më e qëndrueshme. Ka një ngadalësi në gjithë krijimin e kuadrit ligjor në marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk janë nënshkruar ende, nuk janë miratuan apo ratifikuar as gjysma e marrëveshjeve që janë propozuar nga Shqipëria në vitin 2002, që është krejtësisht jo normale, kur interesi është i përbashkët dhe kur nuk ka një arsye pse të vononin”, u shpreh Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se politika duhet t’i japë një rol më të madh të rinjve në të dy vendet.

“Mua më ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme në kohën kur ishte ndeshja e futbollit në Shqipëri dhe një pjesë e mediave serbe kërkonin të krijonim incidente të pa ndodhura, ndërsa studentët nga Serbia që erdhën për të parë ndeshjen këtu, kur u pyetën nga mediat serbe dhanë përshtypjet më të mira dhe përgënjeshtruan atë propagandë të papërgjegjshme që ishte bërë për të krijuar një atmosferë të paqenë. Të rinjtë padyshim janë më pa komplekse dhe nuk janë të ngarkuar me historitë e të kaluarës. Kështu që unë besoj se ne jemi në një rrugë të drejtë dhe jemi në një rrugë të mirë, por kemi një shpejtësi që lë për të dëshiruar”, theksoi kreu i Kuvendit të Shqipërisë.

Artikulli paraprakSiri, neutralizohen 48 terroristë të DAESH-it
Artikulli vijuesKosova s’ka aplikuar për anëtarësim në OBSH