Mbijetoi 60 orë në det edhe pse nuk dinte not

Një 42-vjeçar tajvanez ka mbijetuar 60 orë në det të trazuar edhe pse nuk dinte të notonte, raportojnë mediat lokale.

Tseng Lien Fa ndodhej në një plazh në kontenë Hualien të premten kur papritur u rrëmbye nga dallgët e mëdha dhe përfundoi në një plazh tjetër, 75 kilometra larg.

Tseng u mbajt në një copë druri për të qëndruar në sipërfaqe, derisa u shpëtua nga skuadrat që e gjetën në plazh ditën e diel.

Ekipet mjekësore deklaruan se ai ishte dehidratuar dhe kishte disa plagë në krahët e tij për shkak të qëndrimit të gjatë në ujë të kripur.

Një nga mjekët që u kujdes për të tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se mbijetesa e 42-vjeçarit ishte një mrekulli, pasi ai nuk kishte pasur as ushqim e as ujë gjatë orvatjes së tij.

Vetë Tseng u tha mediave se fillimisht kishte arritur të shmangte një dallgë, por më pas ishte përfshirë nga një tjetër edhe më e madhe dhe ishte rrëmbyer në det.

Ai shtoi se, teksa endej në detin e trazuar shpresonte të gjendej nga ndonjë anije që do të kalonte pranë tij.

Artikulli paraprakKajro: Gjykata dënon masivisht protestuesit përkrahës të Vëllazërisë Muslimane
Artikulli vijuesBllokohet nga bora, lind në shtëpi