Meta: Kandidimi i Nanos, kontribut për integrimin

Pa u mbushur ende 24 orë nga vetofrimi i kandidaturës së tij për president, Fatos Nano nis kontaktet me faktorët politikë në vend.

I pari që është takuar me ish-kryeministrin socialist ishte ish-bashkëpunëtori dhe rivali i tij në kohën kur drejtonte qeverinë, Ilir Meta. Kreu i LSI-së me katër deputetë në Parlament është një faktor shumë i rëndësishëm në sigurimin e numrit të nevojshëm të votave për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, raporton Panorama. Në përfundim të takimit ajo që u kuptua nga deklaratat e dy politikanëve ishte vlerësimi që Meta i bëri figurës së Nanos nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, fillimi i konsultimeve të ish-kryeministrit socialist në rrugën për t’u bërë pasardhësi i Bamir Topit. Takimi mes dy ish-kryeministrave është zhvilluar shumë pak metra larg Presidencës, në hotel “Rogner”. Të dy politikanët kishin bërë kujdes që në këtë takim, megjithëse shumë i rëndësishëm, të dukeshin sportivë, të veshur me kostume,

Pas bisedës që zgjati 1 orë e 45 minuta, i pari që doli nga hoteli ishte Fatos Nano, i cili shoqërohej nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Nano” iu bashkua tryezës në fillim të takimit.

Në prononcimin për mediat, ish kreu i PS-së tha se “sigurisht që jemi duke identifikuar me shumë maturi dhe qetësi mundësitë që ekzistojnë për të ndërtuar së bashku një proces sa më konsensual të mundshëm. Do të ishte në përputhje dhe në vlerësimet që unë kam, në axhendën aktuale të integrimit europian të Shqipërisë, me përmbajtjen dhe simbolikën e 100-vjetorit të Pavarësisë në vend dhe me nevojën e mirëkuptuar edhe me zotin Meta, që një politikë më e arsyetuar dhe më konsensuale në raport me objektivat kombëtarë të integrimit, t’i shërbejë realizimit të tyre prioritar”. Ai kërkoi durim nga mediat për mbështetjen që do të marrë nga krerët e partive parlamentare, ndërkohë që bëri të ditur se me kreun e PS-së, Edi Rama, do të takohet në fillim të javës tjetër. I pyetur mbi deklaratat e Kryeministrit Berisha se maxhoranca do të mbështesë një personalitet të PD-së, Nano dha një përgjigje diplomatike: “Unë besoj se Kryeministri bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur edhe për pastrimin e Shqipërisë nga ndotjet dhe me sa kuptova, unë nuk bëj pjesë te ndotjet”.

Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta, vlerësoi që në fillim mesazhet konstruktive të Fatos Nanos në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. “Pavarësisht nga diagrama e raporteve të mia me zotin Nano në të kaluarën, duhet të vlerësojmë që është një politikan me eksperiencë, i cili ka dhënë kontribute për t’i shërbyer shtensionimeve politike në momente serioze. Një politikan që i ka shërbyer rotacionit demokratik të pushtetit. Në këtë drejtim, për mua mbetet shumë i rëndësishëm angazhimi i tij dhe preokupimi i tij për t’i shërbyer procesit të integrimit europian edhe me këshillat dhe mesazhet e ditës së djeshme dhe ditës së sotme për mua, por edhe për z. Luan Rama”, u shpreh Meta. Ai përsëriti disa herë se më i rëndësishëm se sa emri në zgjedhjen e kreut të shtetit është procesi që do të zhvillohet. Kreu i LSI-së tha se do të jenë forumet e kësaj partie që do të vendosin për kandidaturën që do të mbështetet, por i pyetur nëse e përjashton mundësinë për të mbështetur Nanon, ai tha: “Përjashtimi, paragjykimi nuk i takojnë filozofisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Filozofia jonë është integrimi”./koha/kohaislame

Artikulli paraprakArrestohen shqiptarët që prostituonin serbet
Artikulli vijuesMbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë dëmton Serbinë