Dekreti i presidentit Trump i cili në SHBA dhe nëpër botë ka nxitur debate dhe protesta, ka risjellë si temë debati amerikanët migrantë të cilët vite më parë kanë migruar në këtë vend
Në SHBA, ku presidenti Donald Trump ka ndaluar hyrjen e shtetasve nga shtatë vende muslimane, ekziston numër i madh i personave të cilët në një kohë kishin migruar në SHBA, kurse më pas kanë dhënë kontribute të spikatura në fushën e shkencës, teknologjisë, ekonomisë dhe shëndetësisë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Dekreti i presidentit Trump i cili në SHBA dhe nëpër botë ka nxitur debate dhe protesta, ka risjellë si temë debati amerikanët migrantë të cilët vite më parë kanë migruar në këtë vend në të cilin më pas kanë bërë shërbime të rëndësishme.
Sipas të dhënave të përpiluara nga gazetari i AA-së, shumë migrantë në SHBA, që njihet si vendi i mundësive, kanë bërë gjetje të rëndësishme në fushën e shkencës, ekonomisë, shëndetësisë, teknologjisë dhe informatikës dhe kanë themeluar kompani gjigante të teknologjisë.
Steve Jobs, themeluesi i kompanisë teknologjike Apple, është i biri i sirianit Abdulfettah Xhandali i cili në fillim të moshës njëzetvjeçare kishte migruar në SHBA. Në vitin 1976, së bashku me Steve Wozniak dhe Ronald Wayne, Jobs e themeloi kompaninë Apple. Kompania aktualisht mundëson punësimin e afërsisht 100 mijë personave në tërë botën.
Jerry Yand, njëri nga themeluesit e kompanisë për shërbime të internetit Yahoo, ka lindur në Tajvan. Kompania të cilën ai e themeloi së bashku me shokun e tij nga Universiteti i Stanfordit, David Filo, në gjithë botën ka një miliardë përdorues aktivë.
Njëri nga themeluesit e Facebookut, Eduardo Saverin, i lindur në Brazil, është rritur në Majami. I diplomuar në Departamentin e Ekonomisë pranë Universitetit të Harvardit, Saverin së bashku me Mark Zuckerberg themeluan gjigantin e medias sociale Facebook në vitet e para gjatë periudhës në universitet. Vlera e tregut e kompanisë për vitin 2016 ka arritur në afërsisht 355.6 miliardë dollarë.
Sergey Brin, një nga themeluesit e njërës prej veglave më të rëndësishme të kërkimit në botë, Google, ende pa mbushur pesë vite kishte migruar në SHBA nga Rusia së bashku me familjen e tij. Brin, i cili është me origjinë hebreje, në vitin 1998 e themeluan kompaninë Google së bashku me shokun e tij Larry Page gjatë studimeve të doktoratës në Universitetin e Stanfordit.
Aktualisht, Google dhe organizatat e saj kanë mbi 70 zyra në më shumë se 40 shtete. Kompania ofron mundësi pune për mbi 50 mijë persona në shtete të ndryshme të botës. Përmes Google bëhen mbi dy milion kërkime në sekondë.
Ndërkaq, njëri nga themeluesit e Youtube-s, faqes për shpërndarjen e videove, Jawd Karim, është gjerman me origjinë nga Bangladeshi. Kompania e themeluar në vitin 2005 nga ish-punonjësit e PayPal Steve Chen, Chad Hurley dhe Karim, para disa kohësh u ble nga Google.
35 përqind e migrantëve kanë sjellë inovacione
Migrantët amerikanë, krahas informatikës dhe teknologjisë, kanë bërë shërbime të rëndësishme edhe në shkencë.
Shumë migrantë, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari turk Aziz Sancar, laureat i çmimit Nobel, kontribuojnë në botën e shkencës duke bërë punime, hulumtime dhe zbulime në fusha të ndryshme.
Një hulumtim i vitit 2016 nga Fondacioni për Shkencë, Teknologji dhe Inovacion me qendër në Washington i cili ka përfshirë 6.400 persona të cilët bëjnë punime në fushën e teknologjisë dhe biologjisë, ka treguar se 35.5 përqind e hulumtuesve janë të lindur jashtë SHBA-ve.
Punimi po ashtu ka vënë në pah se njëri prind i dhjetë përqind të hulumtuesve është i huaj, ndërsa, sipas tij, 17 përqind e hulumtuesve nuk janë shtetas të SHBA-ve.
Krahas kësaj, vëmendje ka tërhequr fakti që migrantët, të cilët përkojnë me vetëm 13.5 përqind të popullsisë së SHBA-ve, përbëjnë 35 përqindëshin e personave që kanë sjellë inovacione të rëndësishme në vend.
Migrantët nobelistë
Vitin e kaluar, gjashtë migrantë që kishin ardhur në SHBA për të studiuar fituan çmimin Nobel në fushën e ekonomisë, mjekësisë, kimisë dhe fizikës.
Në fushën e ekonomisë fitues çmimit ishte finlandezi Bengt Holmstrom, ndërsa në atë të mjekësisë japonezi Yoshinori Ohsumi, fakt ky i cili ka rëndësi në aspektin e shfaqjes së kontributeve të migrantëve në fushën e shkencës.
Sipas një hulumtimi të Fondacionit Kombëtar për Politikat Amerikane (NFAP), 40 përqind e amerikanëve që kanë fituar çmimin Nobel në fushën e kimisë, mjekësisë dhe fizikës që nga viti 2000 e deri më tani janë migrantë.
Po ashtu, thuhet se në SHBA 25 migrantë kanë fituar çmimin Nobel në fushat e njëjta mes viteve 1901 dhe 1959, ndërsa kjo shifër është trefishuar në periudhën 1960-2016 duke u rritur në 79.
Ahmed H. Zewai, egjiptiani i parë që fitoi çimin Nobel në fushën e shkencës në vitin 1999, Mario Molina, nobelisti meksikan në fushën e kimisë në vitin 1995, dhe turku Aziz Sancar, nobelist në fushën e kimisë në vitin 2015, bëjnë pjesë në mesin e migrantëve laureatë.
Migrantët, pronarë të 25 përqindëshit të bizneseve
Sipas hulumtimit të NFAP-së, migrantët që janë pronarë të bizneseve posedojnë mbi 25 përqind të kompanive në vend.
Ndërkaq, një në dhjetë amerikanë punon në këto biznese. Thuhet se bizneset në fjalë në vitin 2011 kanë siguruar të ardhura prej gjithsej 775 miliardë dollarësh.
Në hulumtin vëmendje tërheq fakti se migrantët kanë themeluar 51 përqindëshin e kompanive me vlerë prej miliarda dollarësh dhe ofrojnë punësim për mesatarisht 760 persona për kompani.
Ndërkohë, sipas një hulumtimi nga Forbes, 40 përqind e 500 kompanive më të mëdha janë themeluar nga migrantë, ndërsa këto kompani kanë siguruar të ardhura prej 4.2 trilionë dollarësh në vitin 2010.
Kontributet e migrantëve
Prof. Dr. Aziz Sancar, i cili ka shkuar në SHBA pas vitit 1971 dhe i cili punon në Departamentin e Biokimisë dhe Biofizikës në Universitetin e Karolinës Veriore (North Carolina University), në vitin 2015 u nderua me çmimin Nobel në fushën e kimisë për shkak të punimeve që kanë hartuar procesin se si qelizat riparojnë ADN-të e dëmtuara dhe e ruajnë informacionin gjenetik. Sancar ka shkruar rreth 33 libra dhe afër 300 artikujve shkencorë.
Në saj të hulumtimeve të realizuara nga Sancar, në fushën e mjekësisë janë siguruar gjetje të reja në lidhje me shkaqet e kancerit dhe procesin e plakjes.
Carl Djerassi, i cili ka zbuluar tabletën për kontrollimin e lindjes, është migrantë hebre nga Austria i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte ikur në SHBA. Djerassi i kishte shkruar letër zonjës së parë të SHBA-ve atëbotë, Eleanor Roosevelt, dhe kishte fituar bursë universitare.
Ndërkohë, migranti gjerman i cili në moshë të re kishte migruar në SHBA, Klaus Schmiegel, ka bërë kontribute të rëndësishme në zbulimin e medikamentit antidepresant me emrin “Prozac”.
Nigeriani Philip Emeagwali njihet si “babai i internetit” dhe “zbulues i kompjuterit më të shpejtë”. Ai ka fituar bursë për studime në Universitetin e Oregonit, ndërsa nofka e tij është “Bill Gatesi i Afrikës”.
Ankit Agarwal nga India, nga ana tjetër, është bërë dritë shprese për 2.1 milionë persona në SHBA që trajtohen nga djegiet trupore, duke prodhuar lëkurë artificiale. Agarwal, i cili prej 10 vitesh në SHBA ka punuar sëe bashku me shkencëtarët më të mirë, kishte deklaruar se përballet me vështirësi serioze për të ngelur në vend dhe për të fituar vizë të punës.
Tajvanezi David Ho, të cilin revista Time në vitin 1996 e zgjodhi si “Personaliteti i Vitit”, është i diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë pranë Universitetit të Harvardit. Përmes punimeve të tij në fushën e smëundjes AIDS, ai u bë shkak që të rriten shpresat që një ditë ky virus të zhduket.
Ndërkaq, migranti hungarez Charles Simonyi është personi i cili ka zhvilluar Microsoft Word dhe Excel. Simonyi është shpërngulur në SHBA në moshën 19-vjeçare dhe punon në Microsoft që kur ka mbaruar arsimimin, ndërkohë që zbulimi i tij sot përdoret nga më shumë se një miliard persona.
Migranti gjerman Ralph Baer, njihet në histori si persona që zbuloi konzolën e parë të videolojërave. Videolojërat e zbuluara nga inxhineri i cili në vitin 1938 kishte ikur me familjen e tij nga holokausti, thuhet atkualisht të kenë gjeneruar një industri me vlerë prej 91 miliardë dollarësh.
Mchel Ter-Pogossian, migrant armen, është zbuluesi i aparatit skenues PET që përdorit për diagnostifikimin e kancerit.
Ndërkaq, koreanojugori Woo Paik, zbulues i televizionit dixhital me rezolucion të lartë, ka ardhur në SHBA me vizë studentore dhe ka mbaruar doktoratën në fushën e inxhinierisë në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT).
Johse Hernandez, i biri i një familjeje meksikane fermerësh, edhe pse nuk e ka njohur gjuhën angleze deri në moshën 12-vjeçare, realizoi ëndrrën për t’u bërë astronaut pasi mbaroi studimet pasuniversitare në inxhinieri elektrike dhe kompjuterike. Hernandez, i cili ka udhëtuar në hapësirë, është themelues i fondacionit “Arritja në Yje”.