Kompania “Santefarm” e ka regjistruar ilaçin “Solu Medrol 40 mg” si formë farmaceutike “Solucion për injektim” derisa i njëjti produkt nuk është regjistruar në asnjë vend tjetër si solucion (tretje), por si pluhur injektimi. Përmes këtij dallimi ka arritur të fitojë tenderin mbi 160 mijë euro, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse kishte vërejtje paraprake nga OSHP-ja
Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka shpallur fitues të Lotit 58 në tenderin për “Furnizim me ilaçe esenciale” një produkt që në Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM) është regjistruar në mënyrë të parregullt, shkruan gazeta ‘Zeri’.
Loti i tenderit në vlerë mbi 160 mijë euro i është dhënë kompanisë “Santefarm” nga Prishtina, me pronar Milaim Abdullahun.
Kur gazeta “Zëri” ka hulumtuar regjistrimin e produktit “Solu Medrol 40 mg” nga kompania “Santefarm” ka gjetur se ai nuk i përket formës farmaceutike “Solucion” (tretje), siç është regjistruar në AKPM.
Ky produkt është një pluhur steril dhe si i tillë është regjistruar në disa vende tjera të botës, duke përfshirë Kroacinë, Britaninë e Madhe, Irlandën. Të gjitha këto gazeta “Zëri” i ka faktuar në një hulumtim disajavësh.