“MIRATIMI I LIGJIT, NJË FESTË E MADHE”

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress ka deklaruar se projektligji i ri për shëndetësinë ka arritur në fazën finale dhe se shumë shpejt pritet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Agani, deklaron se miratimi i Ligjit për Shëndetësinë do të jetë festë e madhe, pasi që do të shënojë fillimin e hapjes së perspektivave dhe shtigjeve për një sistem evropian të shëndetësisë.

Ndërsa sa i përket Ligjit për Sigurime Shëndetësore Agani, ka thënë se nëse Ligji për Shëndetësi implementohet me sukses gjatë vitit 2013, qytetarët e Kosovës do të gëzojnë sigurimet shëndetësore në vitin 2014.

Agani, ka thënë se menjëherë pas miratimit të këtij ligji do të themelohen tri institucione të reja në shëndetësinë kosovare: Agjencioni i Financimit Shëndetësor, si paraardhës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Shërbimi Spitalor dhe Klinikë Universitar i Kosovës, si institucion që do të mbledhë nën ombrellën e tij QKUK-në dhe spitalet rajonale të vendit, si dhe Oda e Profesionistëve Shëndetësorë.
Mirëpo, me këto ndryshime në ligjin e ri, nuk pajtohen punëtorët shëndetësorë, prandaj ministri Agani i ka siguruar ata, se të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e tyre janë marrë dhe do të merren për bazë.

“Komentet dhe sugjerimet e sindikatës janë deponuar në Kuvendin e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë ka qenë e informuar për to. Ato janë marrë me seriozitetin më të madh. Meqenëse projektligji është në procesin e rishqyrtimit edhe ato janë në proces të inkorporomi eventual në nenet e ndryshme. Unë mendoj se tërë procesi ka qenë shumë inkluziv. Ka qenë një proces që të gjithë faktorët vendimmarrës të jenë pjesë e ndryshimit të projektligjit, në mënyrë që projektligji në fund të reflektojë interesat e qytetarëve të vendit dhe të gjithë faktorëve tjerë vendimmarrës”, ka thënë ai.

Ministri Agani, ka thënë se miratimi i Ligjit të ri për Shëndetësi shënon një festë të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi, sipas tij, implementimi i këtij ligji i hap rrugë miratimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

“Ajo që është shumë me rëndësi është që momenti kur të miratohet ligji të jetë një moment i festës për të gjithë qytetarët Kosovës, për punëtorët shëndetësorë sepse miratimi i këtij projektligji do të shënojë edhe fillimin e ndryshimit të gjendjes së rëndë në shëndetësinë kosovare. Do të shënojë fillimin e hapjes së perspektivave dhe shtigjeve për një sistem Evropian të shëndetësisë dhe duke pasur faktin veçanërisht se në qoftë se arrijmë të zbatojmë projektligjin e shëndetësisë me sukses gjatë vitit 2013, ne në fillim të vitit 2014, sipas dakordimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të jemi në gjendje që t’i hyjmë procesit të miratimit ligjit për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

Ministri Agani, gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se reformat në sistemin shëndetësorë do të përfundojnë në vitin 2013, por këtë shtyrje ai e arsyeton, duke thënë se kanë qenë të detyruar t’i përmbahen rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

“Ka qenë një vlerësim i përbashkët i FMN-së dhe BB-së, me Ministrinë e Shëndetësisë se reforma është aq përmbajtjesore, është aq e thellë, sa që do të ishte rrezik sikur të kishim hyrë me implementimin e dy ligjeve në të njëjtën kohë. Prandaj është insistuar që fillimisht të zhvillohen kapacitetet për zbatimin e plotë të ligjit për shëndetësi, ndërsa viti 2014, të jetë vit në të cilin do të themelojmë edhe fondin e sigurimeve shëndetësore dhe sistemin e sigurimeve publike shëndetësore. Mendoj se përkundër dëshirës sonë që të kemi shpejtë rezultate, megjithatë, mendoj se ka qenë vendim i drejtë”, ka thënë ai.

Sa i përket anulimit të konkursit për drejtorë të klinikave të QKUK-së, Ministri Agani ka deklaruar se ka qenë vendim i panevojshëm i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, edhe pse thotë kjo e fundit ka zbatuar ligjin.

Sipas tij, miratimi i Ligjit të ri për Shëndetësinë do ta zgjidh edhe këtë problem, i cili po e përcjellë shëndetësinë kosovare tash e dy vjet, ku klinikat e QKUK-së po udhëhiqen vetëm me ushtrues detyre të drejtorit.

“Ne kemi qenë të detyruar si Ministri e Shëndetësisë të zbatojmë ligjin dhe natyrisht KPMShC-ja ka pas kompetencë ligjore për të kërkuar një gjë të tillë. E ka interpretuar ligjin në mënyrë si e ka parë të arsyeshme dhe ne e kemi zbatuar vendimin. Në esencë nuk ka ndryshuar asgjë, mirëpo është krijuar një situatë e panevojshme e një lloji dëshpërimi brenda sistemit, se asgjë nuk po mund të ndryshohet në këtë sistem dhe vazhdimisht po kemi përsëritje të ngjashme. Por, siç e thash, miratimi i ligjit të ri definitivisht do t’i lë këto zhvillime në faqen e errët të historisë së shëndetësisë kosovare”, ka thënë ai.

I pyetur lidhur me shpalljen e konkursit të ri për drejtorë të klinikave të QKUK-së, Agani ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme që tashmë të fillohet me hapjen e konkurseve publike për një periudhë aq të shkurtër kohore, pasi që, sipas tij, miratimi i Ligjit për Shëndetësi do të ndodh shumë shpejt.
Ndërsa, ka shtuar se në qoftë se QKUK-ja e sheh këtë si obligim ligjor, ata duhet ta zbatojnë ligjin, por është çështje që do të vendoset në relacionin ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë dhe QKUK-së, pasi që thotë se kjo çështje është jashtë autoritetit politik të Ministrit të Shëndetësisë.
Agani, në këtë intervistë ka folur edhe për angazhimet e tij rreth përfitimit të donacioneve të ndryshme nga vendet e Lindjes, duke thënë se Ministria e Shëndetësisë vetëm në bazë të aktiviteteve të cilat i ka realizuar në dy vitet e fundit sot gëzon rreth 30 milionë euro donacione, të cilat do të investohen në segmente të ndryshme.

Ndërkaq është shprehur i inkurajuar me studimin e Fizibilitetit për Kosovën që u publikua në Bruksel, ku është vlerësuar se kur është në pyetje sektori i shëndetësisë, përpos evidentimit dhe nevojave të mëdha për përmirësime, është evidentuar përmirësimi i kornizës legjislative dhe po ashtu është konstatuar se ka filluar një reformë madhore e sistemit shëndetësor që ka qenë shumë e domosdoshme.kohaislame

Artikulli paraprak“JO TEMAVE QË PREKIN SOVRANITETIN”
Artikulli vijuesPolicia arreston hajnat e veturave