Moldavi: A do të plasë ëndërra evropiane?

Në Moldavi zhvillohet pas dy javësh raundi i balotazhit për zgjedhjet presidenciale dhe forcat proevropiane nuk do ta kenë të lehtë, mendon Robert Schwartz.

Edhe asnjë vendim është një vendim. Madje një vendim mjaft i pranueshëm nga pikëpamja e forcave pro-evropiane në Moldavi. Kandidati i tyre, ish-ministrja e Arsimit Maia Sandu, doli në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më mirë se sa pritej.

Vërtetë që kundërshtari i saj, lideri socialist pro-rus Igor Dodon, fitoi raundin e parë, por nuk e arriti objektivin e tij. Fushata e tij agresive kundër afrimit të vendit me Bashkimin Evropian me sa duket i ka bërë më tepër dëm sesa dobi.
Dodoni duhet të përgatitet mirë për raundin e balotazhit pas dy javësh. Ai nuk ka rrugë tjetër veçse t’i bindë bashkatdhetarët e tij se qëndrimi i tij pro-rus nuk drejtohet kundër Evropës. Nëse ai do t’ia dalë mbanë me këtë, është e diskutueshme. Sidomos votuesit e rinj nuk do t’ia besojnë atij këtë kurs dredharak.

Dodoni rrjedh nga qarqet politike të Partisë Komuniste, e cila e ka rrënuar vendin.

Por edhe Maia Sandu nuk e ka të lehtë. Kampi i saj pro-evropian nuk ka qënë vërtet i mbuluar me lavdi vitet e fundit.

Shumë moldavë e bëjnë të ashtuquajturën qeveri pro-evropiane përgjegjëse për krizën e rëndë ekonomike dhe financiare, nga e cila vendi nuk po gjen asnjë mënyrë për të dalë. Maia Sandu i ka shpallur luftë establishmentit të korruptuar dhe do t’u kundërpërgjigjet me gjithë fuqinë oligarkëve.

Mënyra e saj e hapur dhe e thjeshtë e bën atë të besueshme dhe mund t’i sigurojë votat sidomos në radhët e votuesve të pavendosur. Ajo e ka të sigurtë shumicën e votave ndër banorët e kryeqytetit Chisinau dhe tek shumë moldavë jashtë vendit, të cilët kanë i kanë kthyer të zhgënjyer shpinën vendit të tyre. Por ato nuk janë të mjaftueshme për të realizuar ëndrrën evropiane të Moldavisë.

Ajo duhet të bindë një pjesë të popullsisë fshatare që ndaj politikës së saj nuk ka alternativë. Një rikthim në stilin sovjetik vetëm se do ta thellonte katastrofën në Moldavi.
Shumë njerëz në Moldavi janë të zhgënjyer nga BE-ja. Ata kishin shpresuar mirëqënie prej kursit proevropian të vendit të tyre, por kjo nuk u materializua. Embargoja e tregtisë së Moskës pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në i ka shkatërruar shumë fermerë. BE-ja ka reguar vonë, e për disa shumë vonë, ndaj këtij zhvillimi.

Perëndimi për fat të keq ka dështuar që t’u jepte qytetarë moldavë ndjenjën se i merr seriozisht ata dhe shqetësimet e tyre. Edhe vendi simotër, Rumania e ka ndihmuar vetëm me hezitim fqinjin e saj lindor. Kandidatja Maia Sandu vërtetë ka marrë një inkurajim të qartë politik nga Brukseli dhe Bukureshtit, por në fushatën e saj zgjerore ajo është e varur kryesisht nga kompetencat e saj dhe fuqia e saj bindëse. Dhe nga mbështetja e të gjitha forcave të kampit proevropian që ka grindje mes vetes.

Nëse ajo do ta ketë vërtetë këtë mbështetje kjo vendoset më 13 nëntor. Lojërat e mëtejshme politike në Kisinau mund ta bëjnë ëndrrën evropiane që të plasë si një flluskë sapuni.

 

Artikulli paraprakVan der Bellen: Serbia duhet ta njohë Kosovën – Hofer simpatizon palën serbe
Artikulli vijuesNuk zgjidhen parregullsitë në universitete