Sedat ef.Islami
Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Muaji Muharrem është muaji i parë i vitit kalendarik islam. Ai është njëri prej katër muajve të shenjtë, në të cilët ndalohet lufta, domethënie këtë të cilën e bartë edhe nga vet emri i tij. Muharrem, gjuhësisht, d.t.th. e ndaluar, kurse në terminologjinë fetare kjo ndalese e këtij muaji ka të bëjë me luftën.
Muaji Muharrem është paraprirë me një muaj të shenjtë, dhe për çudi, që të dy në vete ngërthejnë nga një ditë shumë domethënëse për Islamin. Nëse muaji Dhu’l Hixh-xhe, përveç tjerash, kishte edhe Ditën e Arafatit, që në një formë paraqet ceremoninë për përmbylljen e fesë islame, për të na treguar kështu se pas saj më nuk ka fe dhe rrjedhimisht nuk pranohet asnjë fe, muaji Muharrem ka ditën e Ashures, një ditë kjo e cila duke bërë lidhje të profetëve ndërmjet vete paraqet Islamin jo vetëm si një fe që përfaqëson të gjithë profetët por një fe pos së cilës nuk është shpallur kurrë fe tjetër. Kur Pejgamberi, alejhi’s selam shkoi në Medinë, pa çifutët tek festonin Ashuren. U interesua për këtë dhe mori lajmin se ajo ishte si falënderim për shpëtimin e Musait, alejhi’s selam nga Faraoni. Atëbotë Muhammedi, alejhi’s selam iu tha:
“فَأَنَا أَحَقُّ بِمُوسَى مِنْكُمْ
Po unë kam më shumë të drejtë në Musanë se sa ju” .
Kjo lidhje nuk ndalet këtu. Ajo ngjitet lart në maje derisa mbërrin edhe tek pejgamberi i parë, Nuhu, alejhi’s selam. Imam Ahmedi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“وَهَذَا يَوْمُ اسْتَوَتْ فِيهِ السَّفِينَةُ عَلَى الْجُودِيِّ فَصَامَهُ نُوحٌ
Kjo është dita në të cilin është ndaluar anija e Nuhut në kodër kështu që Nuhu (në shenjë falënderimi) e agjëroi atë ditë”.
E kështu, siç paraqet këtë ndërlidhje me këta dy profetë të nderuar, kjo ditë, si datë dhe ngjarje, paraqet po ashtu edhe një mposhtje “dabëll” (double) të pabesimtarëve. Fundosja e mohuesve të popullit të Nuhut, alejhi’s selam, dhe e Faraonit me ushtri të vet, më së miri e dëshmon këtë.
Vëllezër besimtarë!
Një aspekt tjetër shumë me vlerë i muajit Muharrem shfaqet edhe parimet që sjell ai. Nuk e kam fjalën për parimin e ngadhënjimit të së mirës ndaj së keqes qoftë edhe pas një kohe, jo, ajo që ne synojmë këtu është zhdukja e çdo përkatësie tjetër përveç asaj fetare. Musai, alejhi’s selam nuk ishte arab por ishte më i afërt për muslimanët se sa për çifutët. Hadithin që pak më parë e cituam, ka edhe një version nga Buhariu, po ashtu autentik, ku qëndron:
” أَنْتُمْ أَحَقُّ بِمُوسَى مِنْهُمْ فَصُومُوا
…Ju keni më shumë të drejtë në Musanë se sa ata ndaj ngjërojeni këtë ditë”.
Një gjë e tillë është shprehur edhe në Kur’an. Pretendimet çifute dhe të krishtere për përvetësim të përkatësisë së Ibrahimit, alejhi’s selam shkuan huq. Allahu i Madhëruar tha:
” إِنَّ أَوْلَى النَّاسِ بِإِبْرَاهِيمَ لَلَّذِينَ اتَّبَعُوهُ وَهَـذَا النَّبِيُّ وَالَّذِينَ آمَنُواْ وَاللّهُ وَلِيُّ الْمُؤْمِنِينَ
Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (ummeti i këtij). All-llahu është mbrojtës i besimtarëve”. Ali Imran, 68.
Ose pak më qartë:
” مَا كَانَ إِبْرَاهِيمُ يَهُودِيّاً وَلاَ نَصْرَانِيّاً وَلَكِن كَانَ حَنِيفاً مُّسْلِماً وَمَا كَانَ مِنَ الْمُشْرِكِينَ
Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve”. Ali Imran, 67.
Kësisoj është Islami. Fanatizmi nuk ka vend në të. Në Islam ka vetëm dy identitete: të mirë dhe jo të mirë.
Xhematlinj të respektuar!
Muaji Muharrem shquhet edhe për vlerën që veprat e mira kanë në të. Para se të përmendim diç shkurtimisht për këtë, ngase dashtë Zoti Ditës së Ashures xhumanë e ardhme do t’ia kushtojmë një ligjëratë të tërë dhe aty do të mësojmë më shumë për këto, do të doja të ndalemi bashkërisht tek një sekret i këtij muaji. Thamë më herët se ky muaj bën pjesë në kuadër të muajve të shenjtë por për dallim prej muajve tjerë ai është veçuar me një epitet: muaji i Allahut të Madhëruar, siç qëndron në Sahihun e Muslimit. Ndoshta ky është motivi që shtyri disa dijetarë të konsiderojnë se Muharremi është më i vlefshmi prej muajve të shenjtë kurse, përgjithësisht, për nga vlera, radhitet menjëherë pas Ramazanit. Vehb b. Xheriri citon Hasanin të ketë thënë: Allahu i Madhëruar e hapi vitin me një muaj të shenjtë sikurse që e përmbylli me një të tillë…Quhej “i shurdhër” për shkak të ndalesës së madhe që ishte në të (kundër luftës dhe çdo kacafytje). Kurse Ibni Rexhebi këtë e arsyeton me faktin se Allahu i Madhëruar nuk iu jep përkatësi të Veten (nuk i quan të Allahut të Madhëruar..) përveçse ato gjëra që janë shumë ekskluzive dhe jashtëzakonisht të rëndësishme tek Ai.
E pikërisht bazuar në këtë është bërë edhe shumëfishimi i veprave. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“َأَفْضَلُ الصِّيَامِ بَعْدَ رَمَضَانَ شَهْرُ اللَّهِ الْمُحَرَّمُ وَأَفْضَلُ الصَّلَاةِ بَعْدَ الْفَرِيضَةِ صَلَاةُ اللَّيْلِ
Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është në muajin e Allahut, Muharremin, kurse namazi më me vlerë pas farzeve është ai i natës” .
Vëllezër!
Muajit Muharrem, dhunshëm, i është mveshur edhe një anë false e medaljes, e cila paraqet një element të huaj për të. Ndërlidhja e Ditës së Ashures me vrasjen e Husejnit, nipit të Pejgamberit, alejhi’s selam, është gabim, ngase ajo ka qenë një koincidencë e kohës. Nuk themi se neve nuk jemi mërzitur për të dashurin e Pejgamberit, alejhi’s selam, por themi se rënia e tij dëshmor, me çka ia ka ngritë edhe më pozitën, është për gëzim e jo për dëshpërim a mërzi. Marrja e kësaj dite si ditë pikëllimi, vajtimi dhe gjestesh që nuk përkojnë aspak me parimet islame nuk është gjë tjetër vetëm se injorancë e llojit të vet.
Besimtarë të nderuar!
Muaji Muharrem shënon fillimin e vitit të ri islam, dhe porosia që do të përfitonim prej kësaj, këtu, do ishte përgatitja për Ahiret, ngase “…sa herë që kalon një kohë, kalon edhe një pjesë e jotja”- thoshte Hasan Basriu. Sa njerëz që njohëm ishin me ne vitin e kaluar kurse fillimin e këtij viti nuk e pritën dot. Shkuan kurse me vete morën vetëm atë që punuan…
Dhe krejt në fund, më lejoni që këtë ligjëratë modeste ta përmbyll me një porosi profetike të artë:
” كن في الدنيا كأنك غريب أو عابر سبيل
Bëhu në dunja sikur je i huaj ose kalimtar”.
Nëse ngryseni, mos prisni t’iu çelë dita, e nëse gdhini, mos prisni t’iu zë nata. Shfrytëzoni shëndetin tuaj për sëmundjen tuaj dhe jetën për vdekjen tuaj!