Tëhuajsimi i Qytetit

Fjolla SPANCA

Mitrovica është qytet i shëmtut. Aq i shëmtut sa edhe provincialët me xhepat plot e mendjen bosh që e kanë zaptuar atë. Në mëhallat e lëna mbas dore, të shtunave nuk ndjehet më aroma e groshës teksa zihet dhe e qepës së skuqur. As fëmijët nuk luajnë më “fshehurazi me top” rrugicave që dikur shkëlqenin. Nëpër cepat e lagjeve nuk shitet më çokokremi në kutizën e vogël. Rrugët që ngushtohen i trazojnë zemrat e qytetarëve që e plakin jetën duke i numëruar vuajtjet e pashlyera.

Të tjerët kujtojnë kohët kur muzika e mirë dëgjohej falas, kur çokollatat e shijshme ishin të lira, kurse limonadat me trëndafil dhe çaji me kikirikë ishin mjaftueshëm shkak për t’u mbledhur familja e shoqëria. Ndërkohë, unë kujtoj bibliotekën e dikurshme të qytetit, brenda së cilës kishim ndërtuar mijëra andrra e kangë për të ardhmen. Ajo godinë ka gatuar mendje të bardha. Aty nisen plot dashni për të bukurën, dashni për shkrimin e leximin. E sot ajo godinë është kthyer në deponi bajate për borgjezinë, që vë çmime të krisura për gjëra të harrnuara pa shije.

Avash-avash, kujtimet sa vijnë e treten… Pakkush e kujton jetën e qytetit të zhurmshëm. Tashmë kanë mbetë veç disa rrëfenja të së kaluarës, e ca pleq që i ka zënë zymtësia e një stine të vështirë. Malli për pak QYTET me ojna e bojna s’para vret ndërgjegje njerëzish pa botë, që Mitrovicën e kanë kthyer në pazar leckash helmuese.

Tomli i thartun

Përbuzja e “mbetjeve të së kaluarës” i ka tëhuajsuar qytetarët e shkoklavitur nga frika dhe shpresa për ditë ma të lehta. Të pafuqishëm për ta braktisur, këta qytetarë kanë pranuar të jetojnë në një vend ku kalben shpirtrat e mëdhenj, derisa shumohen betonizimet agresive, dhe ku lulëzon arroganca e atyre që “katundin e harruar” e kanë gjallëruar nëpërmjet qytetit-viktimë, të lënë në duart e të paditurve. Njerëzit, që tek qyteti nuk shohin ngazëllimin e brendësisë së krahërorit, e konsumojnë të ardhmen e tij duke përbuzur natyrshmërinë, si shenjë triumfi për normëzimin e motiveve ideologjike dhe krahinore. Ndaj Mitrovica lahet në fasadat e daluna boje; në të bardhën e thartuar që pasqyron shëmtinë urbane të një brezi të humbur.

Shoqëria e dëmshme

Parimet e artit, veçanërisht në arkitekturë, domosdo janë të lidhura ngushtë me Shpirtëroren e individit. Dimensioni i të Shenjtës që gjendet brenda njerëzores, si dhe ndikimi i traditës, shprehimisht reflektohen në hapësirë. Kështu, njeriu duke vepruar ka përcaktuar formën e mendimeve, brenda së cilës merr kuptim jeta. Realizimi i Vetes nëpërmjet Godinës apo Qytetit mbështjell forcën e mendimit dhe pastërtinë e Brendësisë, ndaj vendosja e harmonisë ndërmjet njeriut dhe natyrës nxjerr në pah rendin, qetësinë dhe realitetet ekzistuese brenda shoqërisë.

Në vitin tonë, në shpirtin e një qytetari të thjeshtë, ç’mund të përfaqësojë Mitrovica e Kosovës me fusnotë?! Andrrën e zhbërë, jetën e lënë përgjysmë, apo shëmtinë e mbuluar me pluhur harrese?! Ose ndoshta Vetëtjetërsimin e njerëzores; atë rrëmujën e trishtë të një populli që e ka lënë butësinë në gjembat e hekurt buzë lumit. Bota e hirtë e mitrovicasit pa dritëshpresë s’është gjë më tepër se një bunker lufte i ngritur prej frikës së mbijetesës, pa Dashninë për të Bukurën dhe Paqen. Qyteti i tëhuajsuar është kthyer në burgun e atyre që s’arritën me ik prej Republikës së komandantëve.

Mitrovica “postperëndimore”

Sot Mitrovica punon me sahatin bateriprishur. Ndërkohë që s’ecën asgjë, çajtoret gëlojnë prej burrave barkmëdhenj që shqyejnë sytë kur korzosë “legjendare” ecin gratë mendjepak sipër takave që i prishin këmbët e shëndetin pa mëshirë. Të rinjtë janë pak premtues, dhe aspak kërkues. Shkollat s’ndalojnë së qenuri Prodhuese/Shumuese të injorancës. Barnatoret dhe bastoret flasin haptazi për nivelin e intelektualëve dhe mirëqenien e qytetarit modern.

Lufta mes realitetit dhe së pamundurës shpaloset tek përplasjet mes Lindores dhe Perëndimores; të dy kultura këto të përqafuara symbyllurazi nga besimtari i verbër dhe ateisti i shurdhët. As njëri e as tjetri nuk japin frymë a ajër të lehtë në një hapësirë ku kanga e bilbilit nuk dëgjohet më prej thashethemeve dhe haraqit.

Kthema Qytetin!

Thonë se Pritja është zanat i randë për me u mësu, por i vyeshëm dhe bereqetli. Ndonëse koha fluturon dhe rrudhat në ballin e mitrovicasit tregojnë dhimbje e trishtim, sërish zemra digjet prej mallit, dëshirës për t’i kthyer “Vitet e Humbura”. Telenovela e kurrëmbaruar “Para dhe Pas Luftës” aniqë e ka shkundur durimin, fijet e fundit sikur janë kacavjerrur tek Dashuria e Përjetshme. Ata pak qytetarë zemërplasur nuk i kanë ulur ndonjëherë duart e ngritura kah Qielli, plot lutje për stinë ma të mira.

Në një vend ku Drejtësia, Shëndetësia dhe Arsimi kanë kapitulluar, njeriut të thjeshtë, atij që s’ka mjaftueshëm kushërinj në Komunë apo Parlament, nuk i mbetet tjetër, veçse të struket në folezë, prej ku ndryshon veten në të mirë të shoqërisë. Në një Qytet ku injorantët rrënojnë traditën dhe kulturën, të rinjve u mbetet me ik sa më larg, me kokën mbrapa e Premtimin se një ditë kanë me u kthy në qytetin e Minatorëve e të rock-ut, aty ku dikur hapeshin libra e lexohej gjithë pasion, knohej me buzë në gaz dhe andrrohej pa frikë.

Artikulli paraprakErdogan në krah të Arabisë Saudite: Gabuat me ligjin
Artikulli vijuesMuaji Muharrem dhe vlera e tij