Kryetari i Meshihatit të Bashkësisë Islame të Kroacisë, Aziz Hasanoviç, duke e shprehur se ndihet i lumtur që shumë krerë fetarë dhe shtetërorë do të takohen në Zagreb, tha se: “Prej këtu, do ta përçojmë mesazhin se ‘Muslimanët duan të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit’”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën për gazetarin e AA-së, Hasanoviç tha se me rastin e njëqindvjetorit të pranimit të Islamit si fe në Kroaci, më 26 prill Zagrebi do të jetë pritës i Konferencës së Unionit Islamik në Evropë, ku do të trajtohet gjendja e Islamit në Evropë.
Ai më tej shtoi se në konferencë do të marrin pjesë shumë kryetarë shtetesh, ministra dhe krerë fetarë, dhe se më 27 prill në Kuvendin e Kroacisë do të organizohet seancë e veçantë.
Duke theksuar se aktivitetet në kuadër të njëqindvjetorit të pranimit të Islamit si fe në Kroaci do të zgjasin gjatë tërë vitit, ai tha se krahas pjesëmarrësve të mësuesve të Kuran-it Kerim nga e gjithë bota, do të organizohen edhe konferenca të ndryshme.
Hasanoviç tregoi se në Kroaci jetojnë afërsisht 63 mijë muslimanë dhe i vuri theks faktit se karakteristika më e rëndësishme e Meshihatit të Bashkësisë Islame të Kroacisë është se aty mblidhen të gjithë muslimanët pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
-“ Muslimanët duan të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit”-
Aziz Hasanoviç shprehi shqetësimin e tij ndaj identifikimit të fesë Islame me terrorizmin veçanërisht nga partitë me pikëpamje të djathta dhe tha se aktivitetet e tyre janë një nga shkaqet që u hapin rrugë paragjykimeve ndaj muslimanëve.
Ai gjithashtu u shpreh se Islami dhe kultura islame nuk njihen mjaftueshëm dhe se “Ndjehem i lumtur që shumë krerë fetarë dhe shtetërorë do të takohen në Zagreb. Prej këtu, do ta përçojmë mesazhin se ‘Muslimanët duan të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit’”.
Hasanoviç theksoi se përgjegjësia e madhe për zgjidhjen e problemeve bie mbi dijetarët e Islamit, duke shtuar se Kroacia e cila ka strukturë shumëfetare dhe shumëkombëtare është një shembull i mirë në këtë aspekt.
Në fund, duke shprehur mirënjohje për punën e të gjithëve në Meshihatin e Bashkësisë Islame të Kroacisë, Hasanoviç përfundoi duke u shprehur se: “Qendra Islame të cilën e kemi hapur në Rijekë është simbol i rëndësishëm i Islamit në Kroaci. Gjithashtu, në mënyrë që ta mbështesim dialogun në mes të të rinjve dhe t’i parandalojmë prirjet ekstremiste, e krijuam edhe qendrën rinore. Me botimet të cilat i kemi realizuar, Bashkësia Islame ka arritur që në vendet e Bashkimit Evropian të përmendet si model.” /AA/