Muslimanët kundër futjes së lëndës për Homoseksualët në shkolla

0
125

Pas kërkesës së Avokatit të Popullit drejtuar Ministrisë së Arsimit në lidhje me përfshirjen në kurrikulat mësimore të njohurive për LGBT, ka reaguar edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Agron Hoxha, drejtor i marrëdhënieve me publikun në Komunitetin Mysliman në një intervistë për “Shqiptarja.com” shprehet se një gjë e tillë është e papranueshme.

Zotri Hoxha, “Avokati i Popullit” i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit që të përfshijë në kurrikulat mësimore njohuritë për LGBT, në mënyrë që ata të mos rriten në një mjedis diskriminues. Ju si komunitet mysliman si ju duket kjo kërkesë?

Ne u njohëm sot nëpërmjet medias për letrën e fundit që “Avokati i Popullit” i ka dërguar ministrit të Arsimit. Dhe në fakt argumentin tim dua ta filloj pak më herët, kur komunitetet fetare kërkuan në komision të Edukimit futjen e një lënde informuese mbi kulturën fetare në kurrikulat e arsimit parauniversitar, si lëndë me zgjedhje. Fillimisht gjeti edhe mbështetjen e MASH, por më pas u rrëzua. Ajo që dua të them është se për ne si komunitet kjo nismë e “Avokatit” është absurde, në disa dimensione.

Përse iu duket absurde?
Komuniteti LGBT kishte iniciuar një aktivitet më 17 maj dhe që nxori në pah që në fakt ata nuk janë një shtresë aq e diskriminuar, apo aq në nevojë. Gjë që ka të bëjë edhe me objektin e punës së “Avokatit të Popullit”. Ai duhet të jetë amplifikator i shtresave më në nevojë të shoqërisë. Në këtë kontekst, nuk ka si të mos na bëjë përshtypje se nuk e kemi parë asnjëherë “Avokatin e Popullit” të na flasë për fëmijët e ngujuar, të cilët janë të privuar nga të drejtat më elementare të njeriut. Nuk mund të dalin dot nga shtëpitë, le të pastaj të mund të shkojnë në shkollë e të arsimohen. Pikërisht ky duhet të ishte ndoshta hapi i parë i “Avokatit të Popullit”. Ai duhet të ishte zëri i atyre që nuk u dëgjohet dot zëri. Dhe në këtë kontekst komuniteti LGBT, në raport të zhdrejtë me numrin e tyre, zërin ua kemi dëgjuar më tepër se sa ç’duhet.

Sipas jush “Avokati i Popullit” nuk duhet të merret me të drejtat e LGBT?
Gjatë muajve të fundit kemi pasur rastin të shikojmë se LGBT, kanë avokatë mjaft të mirë e mjaft të njohur që i mbrojnë, ndërsa “Avokati i Popullit” duhet të jetë avokat i shtresave që nuk ka kush t’i mbrojë, ndaj kjo kërkesë e tij na duket sa absurde, aq edhe qesharake. Këtë e them edhe sepse në vendin tonë kjo kategori nuk diskriminohet. Ata kanë jetën e tyre, jetojnë siç duan vetë dhe thjesht ata nuk duhet t’i përzihen shumë shtresës tjetër. Ne mbrojmë idenë tonë që kjo lloj sjellje është një antivlerë, që meqë ekziston do ta pranojmë ashtu siç është dhe jo ta diskriminojmë, por ama që të futen edhe në librat shkollorë më duket tejet absurde.

Ju si komunitet a e mbështesni idenë që në libra të futen edhe njohuritë për LGBT?
Absolutisht jo. Në shkollë duhet të jepet një edukatë e shëndoshë, mbi normat e shëndosha të familjes dhe jo e kundërta, pasi familja është garantuesja e vetme e vijimësisë. Unë kam tre fëmijë që dua t’i çoj në shkollë publike. Dhe unë nuk pres që fëmija im të mësojë aty, që në një familje, ndryshe nga ajo që ka në shtëpi dhe që përbëhet nga babai dhe nëna mund të përbëhet edhe nga dy prindër burra, ose femra. Për ne është tejet e papranueshme, që fëmijët tanë, në shkollat publike të marrin një informacion mbi devijimin personal apo familjar të një bashkësie të kufizuar të shoqërisë. Ne duhet të ndajmë vlerat nga antivlerat dhe “Avokati” të jetë amplifikator i vlerave.

Ju a do të keni ndonjë reagim zyrtar pranë MASH apo “Avokatit të Popullit”?
Besoj se MASH, ka maturinë dhe pjekurinë e nevojshme që kësaj nisme t’i japë përgjigjen e duhur. Natyrisht ajo do ta marrë me seriozitet pasi është një kërkesë që i vjen nga një tjetër institucion kushtetues, por besoj se do të jetë në lartësinë e duhur që t’i japë një përgjigjen e merituar një nisme të tillë.
(sg/shqiptarja.com/kohaislame