Biografi
Hasan ef. Nahi u lind në Gjakovë në një familje të madhe e me zë, nga babai Islami dhe nëna Xhemilja më 12 mars 1905. Të parët e tij dalloheshin në kultivimin e traditës fetare e kombëtare. Babai i tij, Islam efendiu ishte myderriz shumëvjeçar i Medresesë së Madhe të Gjakovës, kurse gjyshi i tij haxhi Jaha ka qenë hoxhë e personalitet i nderuar dhe i respektuar në Gjakovë e rrethinë.
Shkollimi
Hasan Nahi mësimet e para i mori në Gjakovë, së pari mbaroi Mektebin katërklasësh, e më pastaj për dymbëdhjetë vjet mësoi në Medresenë e Madhe të Gjakovës, të cilën e përfundoi me sukses dhe mori ixhazetnamenë. Në medresenë e Madhe të Gjakovës dhanë mësim myderrizë e pedagogë të shquar, të cilët këtë institucion e kishin shndërruar në një vatër të arsimit dhe edukimit kombëtar e fetarë dhe nga e cila dolën një plejadë e tërë e intelektualëve dhe personaliteteve që do të bëhen prijës të shumë proceseve me rëndësi jetike për popullin shqiptar.
Meqë Hasan efendiu gjatë mësimeve në medrese kishte treguar suksese dhe ishte dalluar në mësime, sidomos në lëndën e gjuhës arabe, pas kryerjes së saj u emërua si asistentë/ligjërues i sintaksës së gjuhës arabe në këtë medrese.
Student në Kajro
Mirëpo, Hasan efendiu nuk mbeti me kaq, por dëshira e madhe që të kryente studimet e larta e çoi në Misirin e Largët të Mehmet Ali pashës. Kështu në vitin 1930 Hasan Nahi së bashku me bashkëvendësit e tij mulla Tahir Brovinën dhe Mulla Asllanin u regjistrua në Universitetin “Al-Azhar”, në Fakultetin “Kismi Ali”, që do të thotë “Shkalla më e lartë e dijenive fetare”.
Gjatë studimeve në Kajro Hasan efendiu u tregua i përkushtuar e i zellshëm, dhe arriti që studimet t’i përfundonte në afatin më optimal dhe diplomoi në vitin 1934.
Në Kajro, përveç të tjerash, Hasan efendiu u njoh dhe u shoqërua me shumë studentë gjithandej trojeve shqiptare dhe nga vendet e tjera të Ballkanit, të cilët, më vonë, pas kthimit në vendet e tyre, do të luanin rol me rëndësi në jetën shoqërore, fetare dhe politike, si fjala vjen Sadik Bega nga Shqipëria, Bedri Hamidi nga Shkupi, Mumin efendiu nga Kumanova, Mehmed Hanixhiq, Kasim Dobraqa e Besim Korkuti nga Bosnja. Hasan efendiu gjatë kësaj kohe u njoh dhe u miqësua edhe me poetin e njohur turk me prejardhje shqiptare Mehmet Akif Ersojin.
Kthimi në atdhe
Pas përfundimit të studimeve Hasan ef. Nahi, me gjithë mundësitë dhe rrethanat që të mbetej në Kajro, dashuria për vendlindjen dhe për Atdheun e bënë që të kthehej dhe dijet që kishte marrë t’i vinte në shërbim të popullit të tij. Për këtë Hasan efendiu thoshte: “Kisha vetëm një dëshirë: Të jam në Kosovë dhe ta ushtroja profesionin tim në interes dhe në dobi të popullit tim”.
Hasan efendiu sejar-vaiz
Me t’u kthyer nga Kajroja, Ulema Mexhlisi me qendër në Shkup më 1935, Hasan ef. Nahin do ta emërojë në detyrën e Sejjar-Vaizit. Në këtë detyrë Hasan efendiu do të qëndroj për tri vjet ku dha një kontribut dhe u shqua për mënyrën e shpjegimit dhe të komentimit të mësimeve të fesë islame. Një rëndësi të posaçme Hasan efendiu në derset, vaziet dhe ligjëratat e tij, si nëpër qyrsi, hytbe e xhami, po ashtu edhe nëpër odat shqiptare dhe kudo që vente, i kushtoi ngritjes së vetëdijes së masave të gjëra popullore për arsimim dhe edukim. Këtë e shpjegonte me binomin fe e atdhe dhe me nevojën për t’u shkolluar në gjuhën kombëtare.
Ligjëratat e Hasan efendiut kudo që shkonte përcilleshin me interesim të madh nga ana e besimtarëve. Mënyra e shpjegimit, e ligjërimit, afërsia me popullin, sjellja e tij me modesti e urti dhe sidomos ligjërimi në gjuhën shqipe, bënë që Hasan efendiu të mos ngelte një hoxhë dhe alim lokal i një vendi, por ai u bë i njohur gjithandej Kosovës dhe më gjerë.
Hasan efendiu myderriz në Medresenë e Ferizajt
Kjo mbase ndikoi që më 1938 qytetarët e Ferizajt të kërkonin nga Hasan ef. Nahi që të merrte detyrën e myderrizit në medresenë e Ferizajt.
Mësimet në kohën sa ishte myderriz Hasan ef. Nahi, do t’i ndiqnin shumë nxënës jo vetëm nga Ferizaj dhe rrethina e tij, por vinin nxënës edhe nga Shkupi, sepse këtu mësimi bëhej në gjuhën shqipe.
Hasan efendiu myderriz në medresenë e Mehmet pashës në Prizren
Në prill të vitit 1943, Komuniteti Mysliman Shqiptar me seli në Tiranë, i cili organizonte dhe mbikëqyrte jetën fetare edhe në Kosovë, do ta emëroj Hasan ef. Nahin myderriz kryesor dhe drejtues të medresesë “Mehmed Pasha” të Prizrenit. Në këtë detyrë ai do të qëndroj deri në vitin 1948 kur kjo medrese me një traditë afro katër shekullore në mënyrë arbitrare dhe me ca arsyetime banale do të mbyllej nga pushteti socialist komunist që dalë ngadalë po nguliste thonjtë në Kosovë.
Për mbylljen e medresesë, myderriz Hasan Nahi, thoshte: “Më thanë, se nuk na duhej një shkollë e tillë në Kosovë, mjaft e keni një në Sarajevë. T’i veshë drynin një medreseje të tillë do të thoshte: Ndal diturive fetare në gjuhën shqipe”.
Hasan efendiu kryemyfti i Dukagjinit
Në qershor të viti 1943 Komuniteti Mysliman Shqiptar me seli në Tiranë, Hasan ef. Nahin do ta emëroj Kryemyfti të Zonës së Dukagjinit. Detyrë kjo të cilën do ta kryej deri në vitin 1946 kur edhe suprimohet ky funksion.
Pas mbylljes së medresesë “Mehmed Pasha” më 1948, Hasan ef. Nahi do të shpallej nga pushteti si person i papërshtatshëm dhe nuk do t’i lejohej të ushtronte ndonjë funksion tjetër përveçse të imamit, për se deri më 1958 Hasan ef. Nahin e gjejmë si imam në Gjakovë.
Në një studim të mbështetur në dokumente arkivore të historianit Hakif Bajrami jepen të dhëna për planet sekrete të UDB-së për likuidimin dhe shpërnguljen me dhunë të ulemave të Kosovës, ndër të tjerash, edhe për Hasan ef. Nahin, ku thuhet;
“Prej të gjithë ylemave, si ideologu më “i rrezikshëm”, që me mësimet e tij nuk do të lejonte që shqiptarët të shpërngulen në Anadolli, ishte cilësuar Hasan efendi Nahi (Hoxhë Xhehnemi). Pse të mos e themi se për likuidimin e tij ishte angazhuar krimineli Voja Vojvodiq, që punonte në Pejë, por që i kishte agjentët e vet kudo. Po mençuria e efendi Hasan Nahit do të triumfojë”.(Dituria Islame nr. 86, Prishtinë 1996, fq. 26).
Hasan efendiu përkrahës e sensibilizues i shkollës shqipe
Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu do të vihet me tërë qenien në përkrahje dhe të masivizimit të arsimit në gjuhën shqipe. Ai për këtë nuk la asnjë rast dhe as vend pa e përmendur rëndësinë, vlerën dhe nevojën e shkollimit në gjuhën amtare.
Dhe jo vetëm kaq, por përveç se kishte ngritur zërin kundër mbylljes së medresesë “Mehmet Pasha” në Prizren, ai fuqishëm kishte dalë në mbrojtje të Gjimnazit të Gjakovës dhe shkollës shqipe në përgjithësi në vitet e pesëdhjeta.
Kështu në qershor të vitit 1956 në një tubim me struktura e pushtit të asaj kohe, e që për synim kishin që gjimnazin e Gjakovës ta bënin shkollë profesionale (teknike). Hasan efendiu atë kohë qe i pari që ashpër e kundërshtoi këtë nisëm të pushtetarëve të atëhershëm. Hasan efendiu në bashkëbisedim me pushtetarët e atëhershëm, argumentoi fuqishëm se Gjakovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, si popullsia më e prapambetur, asokohe, në Jugosllavi, u nevojitej pikërisht gjimnazi, si shkollë që do të krijonte kuadro të afta për të vazhduar studimet në Universitete.
Ndërsa gjatë viteve 60-70, Hasan efendiu përkrahu fuqishëm klasën intelektuale shqiptare në odisejaden e tyre për të siguruar të drejtën e shqiptarëve për të pasur një universitet ku do të shkolloheshin shqiptarët e ish-Jugosllavisë në gjuhën e tyre amtare.
Sa ishte i përkushtuar Hasan efendiu në përkrahjen e shkollës shqipe më së miri mund të kuptojmë nga shënimi në të përditëshëm e asaj kohe “Rilindja” të datës 2 tetor 1970, në një kronikë për kontributin e Hasan efendiut për shkollën shqipe shkruan:
“Hasan efendi Nahi dha 10 mijë dinarë për shkollat”. Kronika ka të bëjë me një aksion të kohës për të ndihmuar përhapjen e shkollave shqipe nëpër Kosovë. Për këtë arsye, në këtë kronikë shkruan: “Që në ditën e parë të regjistrimit të huasë për ndërtimin e objekteve shkollore, Hasan ef. Nahi profesor i gjuhës arabe në medresenë e mesme “Alaudin” në Prishtinë i regjistroi 10.000 dinarë të rinj. Hasani që është shumë i nderuar, jo vetëm prej besimtarëve por edhe nga të gjithë ata që e njohin është i njohur si dashamirë i flaktë i arsimit”. Më tutje, në kronikë, thuhet: “Qëllimi kryesor, thotëHasan efendiu, ka qenë t’i këshilloj, ndihmojë dhe udhëzojë besimtarët që fëmijët e tyre t’i shkollojnë, t’u japin dritë e dije”. Autori i kronikës nuk lë pa përmendur faktin se Hasan efendiu ka shkolluar të gjithë fëmijët e vetë.
Hasan efendiu myderriz në medresenë “Alauddin” në Prishtinë
Më 1958, Hasan ef. Nahi do të caktohet profesor për lëndën e Kuranit dhe lëndët e tjera fetare në medresenë e Ulët të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu përveç angazhimit të tij si myderriz, u angazhua pareshtur për shndërrimin e medresesë nga ulët në medrese të mesme, e barasvlershme me gjimnazet e kohës.
Mirëpo, puna dhe aktiviteti i Hasan efendiut nuk kishte mbetur pa u rënë në sy strukturave të atëhershme politike, të cilët e përcillnin me shumë kujdes çdo aktivitet të myderriz Hasan efendiut, por i cili me asnjë çmim nuk hiqte dorë nga pikëpamjet dhe misioni i tij.
Si pedagog në medrese Hasan ef. Nahin do ta shquajnë përkushtimi i tij ndaj nxënësve dhe sjelljet prindërore ndaj atyre si dhe metodologjia e mësimdhënies. Është i fundit nga brezi i hershëm i ulemave që në mësime aplikonte një metodë klasike, një si akademi, me rastin e mësimdhënies.
Detyrën e profesorit në medresenë “Alauddin” të Prishtinës, do ta kryej për 20 vjet rresht, deri në korrik të vitit 1978. Gjatë kësaj kohe Hasan efendiu kishte arritur t’i nxirrte tri gjenerata me nxënës që vinin po thuajse nga të gjitha rrethet e Kosovës, nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku, gjenerata këto që edhe sot e kësaj dite njihen si gjeneratat e Hasan ef. Nahit.
Gjatë punës së tij në medrese dhe nga përvoja me nxënës, Hasan ef. Nahi kishte vënë re nevojën e patjetërsueshme se shqiptarët duhet të kishin edhe një fakultet ku Islami do të mësohej në gjuhën shqipe. Ky vizion dhe dëshirë jo vetëm e Hasan efendiut, por e gjithë ulemasë së gjeneratës së tij, u bë realitet në fillim të viteve të nëntëdhjeta.
Hasan efendiu përkthyes i Kuranit
Hasan ef. Nahi ishte i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm se besimtarëve myslimanë shqiptarë u duhej përkthimi i Kuranit në gjuhën e tyre, në mënyrë që t’i kuptojnë më mirë e më drejtë mësimet dhe porosit e Allahut xh.sh. Prandaj, megjithëqë i shtyrë në moshë dhe në pension, por i vetëdijshëm për rëndësinë që ka përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe, më 1978 nisi të përkthente në gjuhën shqipe ajetet e para të kaptinës “El-Fatiha” për të vazhduar deri në ajetin e fundit të kaptinës së fundit të Kuranit Fisnik, përkthim ky që doli nga shtypi më 1988. Përkthimin e Kuranit, myderriz Hasan ef. Nahi e kuptonte si një obligim fetar dhe kombëtar. Për këtë çështje në hyrje të përkthimit të tij të Kuranit, do të shkruaj: “Është detyrë e dijetarëve fetarë për ta përkthyer Kuranin në gjuhën e popullit të vet.”
Përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe nga Hasan ef. Nahi njihet si një ndër përkthimet më popullore në trojet shqiptare dhe i cili ka përjetuar disa ribotime në Kosovë dhe Shqipëri dhe lexuesit shqipfolës nga Instituti i mendimit dhe Qytetërimit Islam i është ofruar edhe në versionin audio vizual në format DVD.
Hasan efendiu ndërroi jetë më 5 shkurt 1991, në Prishtinë, duke u ndarë kështu nga familja e tij e dashur, nga ish-nxënësit e tij që aq shumë e deshën dhe i deshi, u nda nga xhematlinjtë e tij që aq shumë e respektuan dhe e nderuan. Hasan ef. Nahi u nda nga kjo botë në të cilën mbolli shumë fidanë shpresëdhënës e frytësjellëse dhe të cilës i dha shumë punë të hairit e të bereqetshme, ashtu edhe siç jetoi ashtu edhe vdiq, i dalluar në kuptimin e plotë të fjalës, i thjeshtë e modest dhe admirues i zjarrtë i arsimit dhe i së vërtetës, popullor në çdo pikëpamje, me virtyte e cilësi të larta prej myderrizi, dijetari e intelektuali të nderuar.
Hasan ef. Nahi pas vetës kishte lënë një bibliotekë të pasur me libra e dorëshkrime në gjuhë të ndryshme, disa prej tyre të trashëguara nga ish të parët e tij myderrizët e Medresesë së Madhe të Gjakovës.
Vdekja e Hasan ef. Nahit ishte humbje e madhe për të gjithë ne, por në të njëjtën kohë vepra dhe kontributi i tij mbeten një kandil i pashuar dhe një pishtarë që prore ndriçon.
Hasan ef. Nahi edhe njëzet vjet pas vdekjes së tij është edhe sot një frymëzim i gjallë për ish-nxënësit e tij dhe për të gjithë ata që e njohën, madje jo vetëm për ato që la fjala dhe pena e tij, por edhe për karakterin dhe personalitetin e shquar unikal e origjinal.
Shkruan: Ramadan Shkodra
____________________
Literatura:
– Autobiografi e Hasan efendi Nahit, e shkuar më 25 shtator 1989. Një kopje të autobiografisë më ka dhuruar i biri i Hasan efendiut, Faik Nahi në janar të vitit 2011.
– Sadik Bega, Reportazh mbi vizitën e Kryetarit të Komunitetit Mysliman shqiptar në Kosovë, Kultura Islame nr.3-4 Tiranë, fq.74-82.
– Elez Osmani, Puna, suksesi dhe kuadrot e dhënë ma zgjasin jetën (intervistë), Dituria Islame nr. 18, Prishtinë 1990, fq. 12-16.
– Resul Rexhepi, Myderriz i nderuar, Dituria Islame nr. 22, Prishtinë 1991 fq. 14.
– Vehap Shita, I nderuari Hasan efendi hoxhë dhe mësues i popullit, Dituria Islame, Prishtinë 1991 nr. 22, fq. 16-17.
– Dr. Hakif Bajrami, Planet sekrete për likuidimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956, Dituria Islame nr. nr. 86, Prishtinë 1996, fq. 26.
– H. Jupa, Hasan efendi Nahi dha 10 mijë dinarë hua për shkolla, Rilindja 2 tetor 1970.
– Mehmet Halimi, Medreseja e Ferizajt fliste shqip, “Bujku” 15 korrik 1996, fq. 6.
– Elez Ismaili, Ishte hoxhë dhe tribunë i popullit të vetë, El-Hilal, – Shkup, prill 1991, fq. 8.
/zeriislam/