Ish-kampioni i Evropës në boks në peshën e rëndë, turku Sinan Samil Sam ka ndërruar jetë të premten në Stamboll nga dështimi i mëlçisë, raportojnë mediumet turke. Ai ishte 41-vjeçar.
Samil Sam që njihej ndryshe me nofkën “Demi i Bosforit”, ka ndërruar jetë rreth orës 01:30 të premten në spitalin në Stamboll vetëm disa ditë pasi që ishte shtrirë në të. Ai kishte vuajtur për pesë vite me probleme me mëlçi. Ai kishte pasur më herët probleme me alkool që i kanë ndikuar në dëmtim të mëlçisë, përcjell Koha Ditore.
Lajmin për vdekjen e Sam Samit e ka bërë të ditur vëllai i tij Alparslan Sam. “Jemi në një pikë ku fjalët mungojnë. Jam tepër i trishtuar”, ka thënë vëllai i tij.
Samil Sam gjatë karrierës në boksin profesionist kishte zhvilluar 35 meçe, kishte shënuar 31 fitore (16 KO) dhe kishte pësuar katër humbje. Kishte fituar titullin e Evropës, EBU, ndërsa meçin e fundit e zhvilloi më 4 korrik të vitit 2008.
Për opinionin kosovar ai njihet për përballjen me boksierin junikas Luan Krasniqi për titullin e Evropës (EBU). Përballja mes tyre ishte zhvilluar më 14 shkurt të vitit 2004, në të cilën Samil Sam si kampion i Evropës u sfidua nga Krasniqi. Krasniqi kishte fituar me pikë pas 12 raundeve.
“Lajmi për vdekjen e boksierit të njohur dhe njeriut të mrekullueshëm Sinan Samil Sam, më pikëlloi. Ai ishte disa herë kundërshtar i imi në ring, por gjithnjë shok i mirë dhe fisnik. U njohëm në vitin 1994 dhe në ring u takuam dy herë gjatë boksit amator dhe një herë gjatë boksit profesionist. Ishte njeri me veti të larta dhe zemër të madhe dhe e kujtoj me respekt të veçantë. Familjarëve u shprehi ngushëllimet e mia duke u dëshiruar forcë dhe durim në këto çaste të vështira”, ka shkruar Luan Krasniqi në rrjetin social “Facebook”.
Ndërsa edhe Nuri Seferi ka ngushëlluar dashamirët e boksit dhe familjarët e boksierit.
“Të dashur miq disa orë më herët lexova lajmin trishtues dhe të hidhur se Sinan Samil Sam është ndarë nga jeta, kampioni turk që kishte arritur majat e boksit profesionist në kategorinë e rëndë. Ngushëllimet e mia të sinqerta për gjithë dashamirët e boksit dhe për familjarët e tij”, ka shkruar boksieri tjetër shqiptar Nuri Seferi.