Ndriçim Ferko, studenti shqiptar që u përball me grushtshtetasit në Stamboll: ja ç’më panë sytë tek ura e Bosforit

0
1338

Nga Ermir Hoxha

Ndër mijra njerëz që vërshuan rrugëve të Turqisë për t’u përballuar me forcat ushtarake të grushtit të shtetit, ka qenë dhe një student shqiptar.

Ndriçim Ferko, i cili prej 6 vitesh studion në Stamboll për shkenca komunikimi, ka zgjedhur të solidarizohet me popullin turk ato orë historike për Turqinë.

I ndodhur tek vatra më e nxehtë, më e përgjakshme e përplasjeve, ura e Bosforit, ai rrëfen detaje nga ajo që ka parë me sy e përjetuar.

Sipas tij, duhet ta jetosh Turqinë, duhet ta jetosh atë që ka ndodhur, për ta kuptuar më së miri se aty, dallimet nacionale i lënë vendin unitetit e solidaritetit në emër të vlerave.

Dhe kjo sipas tij, vlen për çdokënd që e urren padrejtësinë, e aq më tepër dhunën…

Na rrëfeni pak për përjetimet e atye orëve të natës?

Gjithçka filloi rreth orës 8-të të dërkes. Erdhi krejt papritur edhe i kapi të gjithë në befasi. Fillimisht gjërat nuk ishin të qarta, derisa avionët ushtarakë, rreth orës 10-të fluturuan shume afër civilëve. Zhurma që F-16-at krijonin ishin shumë e tmerrshme.

Ju vetë, a ju bashkuat masës së njerëzve që kundërshtonin me çka mundeshin grushtin e shtetit?

Ashtu si qindra e mijëra njerëz, edhe unë iu bashkova masës gjigande, popullit më saktë, që kundërshtonte aq fuqishëm grushtin e shtetit. Ishte një reagim i pazakontë, por dhe i natyrshëm, si një kundërpërgjigje e përpjekjes për të cenuar rendin dhe demokracinë ne Turqi.

Me çfarë vetëdije dolët kundët grushtit të shtetit, kombëtare, politike, fetare…?

Unë kam rreth 6 vite që jetoj në Stamboll dhe kam qenë dëshmitar i ndryshimeve të mëdha që ka pasuar ky vend. Në Turqi ekziston një frymë e jashtëzakonshme solidariteti dhe vlerash që të përthithin vetëvetiu dhe që nuk të lejonjë të jesh indiferent. Po nuk jetove në Turqi, ose më së paku po nuk e njohe këtë vend në kompleksitetin që ka, nuk mund ta kuptosh këtë gjë. Ndaj dhe këto orë kam vënë re dezinofmacione dhe komente që shpalosin një injorancë të thellë mbi çfarë ka ndodhur e po ndodh në Turqi.

Sa për vetëdijen, dola në emër të shumë ndjesive, sigurisht edhe për shkak të besimit tim, ku ndërfutet dhe ndjenja kombëtare; si dhe për shkak se besoj fort tek liria, tek drejtësia, dhe se jam jam për zbatimin e ligjit kushtetues.

A ka patur dhe shqiptarë të tjerë që ashtu si ju, i janë bashkangjitur masës së popullit turk për të kundërshtuar grushtin e shtetit?

Më konkretisht nuk di të ketë patur shqiptarë të tjerë, por gjykuar nga ajo që ndodhi, në atë lloj fryme të jashtëzkonshme solidariteti që ngërrtheu njerëzit, solidaritet ky që u shfaq si rrallëherë dhe në radhët e politikës, pavaërisht pozicioneve, besoj që patjetër duhet të ketë patur. Mjaft të them që krah meje, ishin miq e shokë të kombësive të ndryshme. Dolëm të luftojmë me një të keqe që e ka munduar shumë Turqinë, e që do mundonte dhe popuj e vende të tjera nëse do bëhej rrugë. Demokracia funksionon në bazë të votës dhe respektimit të rendit kushtuetues. Vetë Erdogan është në pushtet nga vota e lirë dhe respektimi i rendit kushtuetues, të cilin nuk e ka cenuar për asjnë çast, edhe gjatë kohës kur ka qenë politikan opozitar, pavarësisht padrejtësive të shumta që i janë bërë.

Ku janë shfaqur situatat më delikate të përballjes mes popullit, policisë e forcave të angazhuara në grushtin e shtetit?

Në të gjithë Turqinë ku dolën njerëz në sheshe, kishte tentativa nga ana e ushtrisë për ta frikësuar popullin. Pasi panë që nuk ia dolën të frikësonin duke lajmëruar njerëzit që të qëndronin brenda shtëpive, dhe pasi panë që ëe sheshe po përballeshin me turma që nuk kishte frikë apo forcë që t’i kthente pas, as plumba as tanke, atëherë u tentua dhe të qëllohej. Konkretisht, në vendin ku isha  unë prezent, në urën kryesore të Bosforit, ndodhën dhe përplasjet më të nxehta, me pasojë dhjetra viktima. Forcat e angazhuara të grushtit të shtetit rezistuan deri në orën 7:30 të mëngjesit, por më pas, siç është bërë e ditur edhe me pamje, u dorëzuan duarlart.

 Cila është ajo skenë që e keni parë më sytë tuaj e që ju ka lënë mbresa të thella?

Siç është raportuar, shumë njerëz kanë humbur jetën, policë dhe civilë. Skena më e rëndë që më ka lënë vërtet një përjetim të  dhimbshëm, ishte kur forcat e angazhuara në grushtin e shtetit filluan të qëllojnë ndaj civilëve. Fishkëllimat e plumbave të kalibrit të lartë ishin të frikshme. Njerëzit vraponin të frikësuar dhe shumë mbeteshin të plandosur përtokë, të vrarë apo të plagosur. Dhe ndër këto të fundit ishte dhe një burrë rreth të pesëdhjetave. Plumbi e kishte marrë në kokë. Njerëzit mundoheshin ta ndihmonin, por ai po humbiste gjak. Fytyrën e tij nuk do ta harroj asnjëherë.

 A i keni ndjekur raportimet e mediave rreth situatës dhe ku kanë çaluar ato?

Gjatë momenteve të vështira, unë personalisht jam munduar t’u raportoj miqve dhe familjarëve për atë çfarë ndodhte. Dhe vija re se shumë media, shqiptare apo të huaja, gabonin shumë rëndë në raportimin e situatës, dhe nuk di ta them nëse nga papërgjegjshmëria profesionale apo dashakeqësia. Ato shkruanin se ushtria turke ka arritur të marrë kontrollin, kur në të vërtetë, të angazhuarit në grushtin e shtetit në asnjë moment nuk patën kontroll. Ndërsa grumbullimet e njerëzve që kundërshtuan përpjekjet për ta marrë shtetin me forcën e armëve, u raportuan si festime për rrëzimin e qeverisë. Mjafton kjo për të treguar se si degradoi informimi nga disa media, fatkeqësisht dhe nga ato që konsiderohen prestigjoze.

Cila është fryma që po mbizotëron tani në Turqi?

Për të gjithë ata që përjetuan ngjarjet e mbrëmshme, padyshim ka qenë një përvojë tronditëse që do të lerë vraga të thella në kujtesë. Për momentin transporti ajror edhe publik është i kufizuar, por gjendja është neë kontroll dhe e qetë.

Si e shihni gjendjen e atyshme pas kësaj që ndodhi?

Duhet ditur, sidomos nga ata që janë jashtë këtij realiteti, që vitet e fundit, populli turk ka arritur një mirëqënie të përgjithshme dhe një standart të lartë jetese, të panjohur më parë përsa ekziston si republikë. Dhe jo thjesht në aspektin ekonomik, por dhe në atë të vlerave; dhe padyshim që do bëjë çdo gjë që të jetë e mundur për ta ruajtur vetveten, kur dihet se një Turqi potente, politikisht  dhe ekonomikisht, është një makth për disa fuqi dhe forca lëvizëse të gjeopolitikave dhe interesave të ndryshme. Madje kjo ka bërë që të rritet akoma më shumë fryma e solidaritetit në popull. Pikërisht këtë nuk kuptojnë dot ata që flasin e shkruajnë për njerëz që dalin në rrugë për pushtetin e Erdoganit, apo që ky u fundit abuzon me ndenjat e tyre duke i thirrur që të dalin në rrugë. /tesheshi.com/