SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë edhe sonte vazhduan protestat kundër vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve nga ndjekja penale dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të shpallura për me datë 5 qershor të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit kërkonin dorëheqjen e presidentit Ivanov, për shkak se sipas tyre ky vendim është i papërgjegjshëm dhe rrezikon të ardhmen e vendit, ndërsa thonë se nuk ka kohë deri më 5 qershor që të mbahen zgjedhje të lira dhe demokratike.
Protestuesit u mblodhën para zyrës së Prokurorisë Speciale Publike për t’i dhënë mbështetje të vazhdojë hetimit dhe vazhduan drejt Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ku forcat e mëdha policore nuk lejuan që t’i afrohen ndërtesës.
Ata u kthyen prapa që përmes urës së gurit të vazhdojnë drejt ndërtesës së Qeverisë, ku kordoni policor bllokoi urën, pas së cilës protestuesit përmes qendrës arritën para ndërtesës së Qeverisë.
Sonte ishte nata e katërt që organizohen protesta në Shkup dhe ishte më masive në krahasim me netët tjera, ndërkohë që, pasditen e sotme presidenti Ivanov deklaroi se i qëndron vendimit për falje të politikanëve dhe se arsye për mostërheqjen e vendimit është interesi shtetëror dhe i qytetarëve të Maqedonisë.