Në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë falet namazi i Fitër Bajramit

Qindra mijëra besimtarë I janë drejtuar xhamive dhe shesheve për tu bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të Fitër Bajramit i cili është një nga festat më të mëdha të fesë Islame.

Besimtarë të shumtë në Maqedoni Shqipëri dhe Kosovë kanë marrë pjesë në faljen e namazit të Fitër Bajramit këtë mëngjes, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra mijëra besimtarë I janë drejtuar xhamive dhe shesheve për tu bërë pjesë e lutjeve dhe faljes së namazit të Fitër Bajramit I cili është një nga festat më të mëdha të fesë Islame.

Ashtu sikurse në shumë qytete të Shqipërisë edhe në Tiranë mijëra besimtarë i janë drejtuar bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të falur këtë namaz, pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Besimtarëve të shumtë iu janë bashkuar drejtues të shumtë të politikës dhe institucioneve fetare, ndërkohë një nga imamët e Mekës, Shejh Salih Bin Talib, ka qenë i pranishëm në faljen e namazit të Bajramit.
Imami Shejh Salih Bin Talib, ka mbajtur edhe një ligjëratë të shkurtër për besimtarët e pranishëm ku mesazhet kryesore të tij ishin për bashkimin dhe unitetin. Ai ka theksuar në fjalën e tij se feja Islame është fe e paqes dhe jo e dhunës dhe terrorizmit.

Namazi u drejtua nga Imami I Mekës, Shejh Salih Bin Talib, ndërsä hutben e rastit e mbajti Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Në organizimin të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë në prani të kreut të saj, Sulejman Rexhepi dhe një numër të madh të besimtarëve muslimanë, në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup u mbajt manifestimi qendror i Fitër Bajramit, në të cilin u këndua Kuran, ilahi dhe kaside në gjuhë të ndryshme të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.

Namazit të Bajramit i priu myftiu i Tetovës, Qani Nesimi, ndërsa hutben e Bajramit në emër të kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi e lexoi nxënës i Medresesë Isa Beu në Shkup, Ajdan Jahja i cili tha mes tjerash se besimtarët kanë përcjell muajin e Ramazanit me dhembshuri sepse i njëjti për muslimanët e ka kuptimin e kalimit nga errësira në dritë, muaji kur ka filluar shpallja e librit të shenjtë.

Hytben e Fitër Bajramit në xhaminë e Madhe në Prishtinë e ka mbajtur Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili iu drejtua opinionit të gjerë me mesazh urimi për këtë festë dhe theksoi se këto festa ngjallin ndjenjën për vepra të mira.

Myftiu, duke bërë të ditur se populli i Kosovës, përmes agjërimit dhe adhurimeve, si dhe me ndihmat e bëra për nevojtarë gjatë muajit të Ramazanit, me mbi 15 mijë pako, kanë treguar se i qëndrojnë besnik fjalës së Allahut xh.sh.

Duke i vënë një theks të veçantë se islami është kundër çdo terrori dhe se terrorizmi nuk ka vend në fenë islame, Tërnava u shpreh se shumë njerëz të pafajshëm nëpër botë janë viktima të kriminelëve dhe ftoi që të gjithë të japin kontribut për paqe dhe tolerancë, i cili është edhe mesazhi i festës së Fitër Bajramit.

“Rastet e fundit në Stamboll dhe Irak, por edhe mbrëmë në Medinen e ndriçuar, afër varrit të Pejgamberit tonë a.s. janë dëshmitë më të freskëta për të parë se çfarë mund të bëjnë kriminelët, ku pësuan shumë njerëz të pafajshëm”, u shpreh Tërnava.

Tërnava duke bërë të ditur se e drejta e marrjes së shpirtit i takon vetëm Atij i cili e ka krijuar dhe e ka dhuruar shpirtin, u shpreh se “Kjo që po ndodhë kinse në emër të fesë islame nëpër botë, kjo assesi nuk ka të bëjë me islamin. Islami nuk urdhëron në dhunë, por në paqe dhe harmoni, solidaritet me jetë të përbashkët, ngase kështu na mëson Kur’ani, kështu na mëson Muhammedi a.s., i dërguari i fundit për njerëzimin e mbarë”.

Artikulli paraprakA është nesër Bajram? – Prononcohet Imami Bekir Halimi (video)
Artikulli vijuesErdoğan: Luftën kundër terrorizmit do ta vazhdojmë me vendosmëri