Derisa nesër është paraparë që të mbahet seanca për Demarkacionin, ende nuk dihet nëse kjo Marrëveshje do të kalohet, ani pse liderët e vendit thonë se votat tashmë janë bërë.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur dyshimin se mund të arrihen dy të tretat e votave në Kuvend, të nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, pavarësisht që partitë shqiptare në pushtet dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë një pajtim në favor të votimin për ratifikim të Marrëveshjes.
“Deklarata ka, por unë akoma nuk e besoj që mund të kalojë, në qoftë se nuk ka vota nga Lëvizja Vetëvendosje dhe në qoftë se edhe Lista Serbe voton kundër ose nuk vjen në seancë. Në qoftë se ndodh kjo, atëherë po besoj që seanca prapë të shtyhet. Mund të hapet debati, derisa të përgatiten kushtet për t’u votuar”, tha Haliti.
Partia Demokratike është deklaruar që nga fillimi pro Demarkacionit. Edhe pse deputeti Nait Hasani ishte kundërshtues i Marrëveshjes së Demarkacionit, Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij e votojnë.
Ditë më parë, Nait Hasani i ka bërë një vizitë Çakorrit, e prej atje ka treguar se nuk i ka ndërruar qëndrimet dhe se vazhdon të mendojë se “Demarkacioni nuk duhet të kalojë”.
Mirëpo, pa marrë parasysh deklarimet personale, në unitet të deputetëve për Demarkacion thirret edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së. Ai për Gazetën Express ka thënë se brenda partisë së tij ka qëndrim të unifikuar për çështjen në fjalë.
Shpresën se kjo Marrëveshje do të kalojë nuk e gjuajnë poshtë kryetari i Kuvendit e po ashtu as zv/kryeministri. Edhe pse të dy japin data të ndryshme që kjo marrëveshje të kalojë, thonë se votat janë siguruar. Sipas Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kjo marrëveshje do të kalojë, pasi që të mërkurën ratifikimin e saj do ta ndihmojnë disa deputetë të Vetëvendosjes.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se segmente të caktuara të Vetëvendosjes, individualisht, kanë shprehur gatishmërinë të votojnë për Demarkacionin.
“Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segmentit të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet”, ka thënë ndër të tjera Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.
Mirëpo, një deklaratë të tillë as e kanë pohuar e as që e kanë mohuar nga Vetëvendosja.
Deputeti Sami Kurteshi, në një përgjigje elektronike për Gazetën Express, thotë se informatat që i posedon kryetari i Kuvendit nuk dëshiron t’i komentojë, duke aluduar se ky i fundit mund të ketë informata sekrete.
“Nëse ka informata le t‘i thotë. Ai është shef i SHIK-ut, sigurisht ka informata konkrete. Por unë nuk interpretoj deklarata të institucioneve të sigurisë dhe spiunazhit”, ka thënë Kurteshi për Express.
Mirëpo, Pacolli, po ashtu, ka paralajmëruar se pro Demarkacionit do të votojnë edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai nuk ka treguar se në cilët deputetë të VV-së llogarit koalicioni qeverisës i vendit, por ka thënë se pret që disa nga partia e Albin Kurtit të “tregohen të përgjegjshëm”.
Por se a do ta ndihmojnë këtë marrëveshje disa deputetë të VV-së, pritet të shihet nesër. E fjalëve të Veselit dhe Pacollit i ndihmoi tërthorazi edhe deklarata e Albulena Haxhiut, e cila tha se ende s’ka arritur të sigurojë tre vota.
Më 16 shkurt, në ditën kur Hashim Thaçi njoftoi opinionin për një deklaratë të përbashkët me presidentin malazez, Filip Vujanoviq ku thuhet se palët merren vesh për të korrigjuar gabimet e mundshme, Lëvizja Vetëvendosje kishte filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e një komisioni hetimor parlamentar që do të hetonte Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 10 ditë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka marrë vetëm 28 nënshkrime nga 32 deputetë sa numëron kjo parti.
Të pamundur për ta dhënë nënshkrimin e ka pasur deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi që deri sot ka qenë në paraburgim. Ndërsa, tre të tjerë nuk ia kanë dhënë nënshkrimin deputetes Albulena Haxhiu, e cila ka qenë nismëtare për mbledhjen e nënshkrimeve.
Sipas kësaj të fundit, Dardan Molliqaj, Dukagjin Gorani dhe Faton Topalli janë tre deputetët e Vetëvendosjes që nuk kanë dhënë nënshkrime për këtë kërkesë.
Gjithashtu, është raportuar se deputeti i Lidhjes Demokratike, Anton Quni, përveç që është bindur vetë për votimin e Demarkacionit, siç duket ka vendosur të lobojë edhe në Vetëvendosje.
Ai të premten është parë në shoqërinë e deputetes së Vetëvendosjes Donika Kadaj – Bujupi në një lokal të Prishtinës, së cilës, me gjasë i ka treguar pse ka ndërruar mendje për Demarkacion, e pse duhet edhe deputetët e VV-së të veprojnë njësoj.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/nesee-dita-d-demarkacion-a-deshtim-504908/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright