Nga Majko tek Manjani: Miqtë që Meta i ka shitur për pushtet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta u distancua nga qëndrimi i ish-ministrit të tij Ylli Manjani sot, duke vërtetuar dhe një herë se para pushtetit (koalicionit me PS-në) miqtë dhe bashkëpunëtorët janë një kurban i zakonshëm politik.

Dhe nuk është hera e parë që Meta e ka bërë këtë gjatë karrierës së tij…

Me zë e figurë, Ilir Meta e kryqëzoi sot Ylli Manjanin, që deri dje ishte ministër i tij në qeverinë e krijuar nga koalicioni PS-LSI. Meta jo vetëm që nuk e mbrojti ish-ministrin dhe bashkëpunëtorin e tij, por la të kuptohej se nuk ishte presioni i Ramës që kishte çuar në shkarkimin e tij, por vetë ai që e kishte bërë këtë gjë. “Ilir Meta nuk dorëzohet para asnjë lloj presion, as nga zoti Rama, as nga zoti Berisha, nga Basha jo e jo dhe as nga brenda LSI”, tha ai sot kur u pyet për shkarkimin e Manjanit duke e kritikuar atë madje për gjuhën e ashpër dhe akuzat që hodhi ndaj ministrave të PS-së, të cilat i cilësoi “shashka”.

Pse e dorëzoi Manjanin?! Siç duken të gjitha gjasat për një arsye të vetme: për të qëndruar akoma në pushtet me Ramën. Pra, Manjani u bë kurban i rradhës i marrëveshjeve politike të Metës. Nuk është i pari dhe as i vetmi. Mjafton të ndjekësh rrugëtimin politik të Ilir Metës për të kuptuar se nuk ka nguruar të “shesë” miqtë për të bërë marrëveshje me armiqtë.

Çfarë ndodhi me Pandeli Majkon?!

Historia e Partisë Socialistë në këto 26 vite që kur vendosi të marrë këtë emër nga kongresi i fundit i Partisë së Punës në vitin 1991, ka mundur të provojë brenda gjirit të saj të gjitha aleancat, sulmet, grupimet, klanet e mundshme politike. Ilir Meta ka qenë një faktor dhe aktor i kësaj historie deri sa vendosi të ikte në 2004-ën me grupin e tij.

Një nga historitë më interesante është ajo mes Metës e Majkos, dy krerë të FRESSH-it, që njiheshin si miq e bashkëpunëtorë duke e mbajtur nën presion kreun e partisë, Fatos Nanon. Por në dy raste të rëndësishme Meta e ka tradhëtuar politikisht mikun Majko.

Ishte viti 1999 kur Majko për pak vota do të merrte drejtimin e Partisë Socialiste përballë Nanos. Pasi e mbështeti dhe bëri fushatë për kandidaturën e Majkos, një natë para votimit flitet se Meta e shiti Majkon dhe ia dha votat Nanos. Diferenca mes tyre ishte aq e ngushtë, (Nano 297 vota- Majko 261 vota) sa çdo votë kishte vlerë të madhe. Fjalët nuk ishin pa gjë, pasi direkt pas zgjedhjes së tij Nano i shtriu dorën e bashkëpunimit pikërisht Ilir Metës.
Në një tjetër rast Majko sërish u përdor nga dyshja Meta-Nano për të kaluar konfliktin e radhës që përfundoi në një marrëveshje të re.

Lëvizja për Katarsis e Nanos në vitin 2001 bëri që disa muaj më pas Meta të jepte dorëheqjen nga kryeministër dhe po ai vetëpropozoi Pandeli Majkon si kandidat për kryeministër, i cili qëndroi në detyrë deri sa Meta dhe Nano i sheshuan mosmarrëveshjet për ta hequr Majkon me një ndryshim statuti të partisë, ku njësohej posti i kryetarit të partisë me atë të kryeministrit, gjë që e bëntë Nanon automatikisht kryeministër. Majko dha dorëheqjen duke iu bindur partisë, ndërsa Meta u ringjit në qeveri si zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm në qeverinë Nano.

Si i humbi 5 krerët e LSI-së për Berishën

Ata që i vajtën pas Ilir Metës duke lënë PS-në ishin kundër Fatos Nanos, por kurrë nuk do ta kishin menduar se Ilir Meta do t’i çonte në prehrin e kundërshtarit më të fortë politik, Sali Berishës.

Ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi doli hapur kundër koalicionit Meta-Berisha duke paralajmëruar se ai me 4 drejtues të tjerë, Pëllumb Xhufi, Sabit Brokaj, Ndre Legisi dhe Mustafa Muçi, do të largohen nga LSI. Por dhe pse Klosi e paralajmëroi se nëse ata largohen Meta do të ketë një parti vetëm me gruan e tij, kreu i LSI-së nuk u tremb; përkundrazi, nëpërmjet zëdhënësit të partisë i cilësoi 5 krerët e partisë “të vetëpërjashtuar”. Si mund të përtypte Legisi një aleancë me njeriun që e kishte ndjekur penalisht apo dhe sulmeve fizike ndaj tij në 96-ën?

Meta e dinte mirë këtë, por edhe një herë vuri vënë interesat e tij politike para kostos së humbjes së bashkëpunëtorëve të vjetër.

Më vonë në pushtet do të humbte dhe Dritan Priftin, një mik e bashkëpunëtor të vjetër, me të cilin divergjencat shef-vartës tejkaluan në një konflikt të fortë publik, ku Meta doli gjithashtu i padëmtuar politikisht.

Historia e shkurtër por e gjatë ndër vite tregon pra se Manjani nuk ka vend më në partinë e Metës; ai thjesht është bërë kurban për një marrëveshje të re politike që u shkon për shtat interesave të këtij të fundit.

Artikulli paraprakRifillojnë luftimet në Ukrainën lindore, vriten shtatë ushtarë ukrainas
Artikulli vijuesIdeologu ultranacionalist rus, thirrje shqiptarëve: formoni çetat e revolucionit euroaziatik