Megjithatë Almir i dashur, po të them se edhe unë e kam një djalë sikurse ti. Madje edhe ai quhet Almir dhe është po në moshën tënde.
Madje e kam edhe një tjetër djalë, binjak me Almirin. Atë e quajnë Ali, njëjtë sikurse mbiemrin që e ke mbajtur ti plot katër vite… Ah Almir ah!
Almir i dashur, sa herë që po e përkëdheli Almirin tim, po më shfaqesh ti para syve. Ndonjëherë tentoj të të mos përkujtoj, por nuk po mundem. E pastaj, pastaj po më del para syve babi yt. Po e shoh atë e po e shoh veten. Po i imagjinoj ëndrrat e tij dhe sërish po e shoh veten. O Zoti im, jepi fuqi!
Almir i dashur, edhe tani kur po e shkruaj këtë copëz letre, kam ikur nga Almiri im sepse fjalët e tij të shumta e pyetjet e pareshtura po m’i përziejnë edhe më shumë emocionet. Keq, vallahi keq!
Keq për prindërit e tu, keq edhe për dy vëllezërit e tu, të cilët gjatë gjithë jetës do ta ndjejnë mungesën tënde, keq edhe për shumë të tjerë… keq edhe për mua.
Po më dhimbsen prindërit e tu… Dhe po e ndjej në shpirt dhimbjen e tyre. Po i shoh se si vuajnë për pyetjet e tua se “ku ka ikur Hëna”, “se si ka ardhur drita”, po i shoh dhe ndjej në shpirt kur ata nuk mund t’i mbyllin sytë kur u kujtohet se jorgani i birit të tyre tashmë është dheu e jastëk mbi kokë është një levë druri me emrin tënd.
Ah be Almir, ti vërtetë ke shpëtuar nga kjo botë e çoroditur, por prindërit e tu do të vuajnë tërë jetën sa herë që do ta hapin dollapin e gjësendeve tua. Nëna jote pjesën tjetër të jetës do të mundohet ta jetojë me aromën e rrobave tua e babai yt duke u munduar të bëhet i fortë, shpesh do të ikë nga shtëpia për të qarë. Ndoshta diku në mal, ndoshta në veturë e ndoshta në thellësinë e natës…
Një letër Almirit…
Ismail SINANI
Almir, prej tre ditësh dua të shkruaj diçka për ty, por nuk po ia dal dot. Nuk mundem! Nuk mundem se po më kaplon një ndjenjë e keqe, të cilën nuk di se si ta përshkruaj.