Një shqiptar heton Assadin, pjesë e misionit të OKB-së

Adrian Neritani, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitet 2006-2009, është përzgjedhur nga OKB dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW/ONAK), si një nga 3 anëtarët e grupit civil, që do të hetojnë nëse në Siri janë përdorur armë kimike kundër popullsisë civile dhe kush i ka përdorur ato.

Këshilli i Sigurimit në OKB dha “dritën jeshile” për hetim të përbashkët nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike javën e kaluar, por ndërkaq si qeveria e Sirisë, ashtu dhe kryengritësit kanë mohuar përdorimin e armëve kimike.

Adrian Neritani do të jetë pjesë e grupit, së bashku me argjentinasen Virginia Gamba, e cila do të jetë drejtuese, dhe me ekspertin gjerman, Eberhard Schanze. Qeveritë perëndimore shpresojnë se, hetimi nga OKB-ONAK do të përcaktojë fajtorët e përdorimit të gazit sarin, prova këto që mund të përdoren një ditë për të ndjekur penalisht anëtarët e qeverisë siriane për krime lufte.

Ndërkaq, e kontaktuar nga Top Channel, zyra e shtypit të Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar lajmin, se Neritani do të jetë pjesë e grupit të “Mekanizimit të Përbashkët të Hetimit” dhe se, për shkak të përgatitjes së tij si diplomat, por edhe jurist i njohur në të drejtën ndërkombëtare, ai do të jetë përgjegjës për pjesën politike të këtij mekanizmi investigativ.

Fillimisht, grupi prej 3 anëtarësh do të shqyrtojë dokumentet e mbledhura deri më tani, e më pas, nëse do të jetë e nevojshme, ata do të udhëtojnë drejt Sirisë për të mbledhur prova të tjera, për të provuar nëse është përdorur gazi sarin dhe se cilët kanë qenë ata që e kanë përdorur.

Artikulli paraprak“Eja në Europë dhe jeto si mbret!”
Artikulli vijuesAustralia nis sulmet ajrore në Siri