Polici shqiptar po hante byrek, grabitësit vodhën një milion euro

0
259

Katër thasët me para të një banke të nivelit të dytë, të cilat u grabitën të premten në Tiranë do të transportoheshin jashtë shtetit. Destinacioni i parave prej më shumë se 1 milion euro ishte banka simotër jashtë shtetit.

Makina e blinduar do të transportonte drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, shumën e konsiderueshme të parave mesditën e së premtes, por, sapo dolën nga banka e nivelit të dytë që ndodhet pranë “Stacionit të Trenit” në Tiranë, u grabitën nga tre persona të maskuar dhe të armatosur.

 

Burime nga grupi hetimor thanë dje për “Shekullin” se grabitja ka qenë e mirëorganizuar nga autorët, të cilët dyshohet se kanë marrë informacione për shumën e madhe të parave që do të dërgohej për t’u depozituar jashtë shtetit. “Në katër thasë kishte shuma të mëdha eurosh dhe paund të cilat ishin mbledhur nga të gjitha filialet e bankës për t’u transportuar drejt Rinasit dhe më pas jashtë shtetit”- thanë për gazetën burime nga policia.

 

Fillimisht policia bëri të ditur se shuma e grabitur arrinte deri në 500 mijë euro, por pas hetimeve të kryera rezulton se paratë ishin kursimet e filialeve të bankës së grabitur dhe do të mbylleshin në bankën qendrore jashtë shtetit dhe bëhet fjalë për mbi 1 milionë euro.

 

Grabitja e ndodhur në mes të ditës në Tiranë zgjati vetëm dy minuta me një skenar të denjë për një film hollivudian.

 

Ngjarja pasoi me arrestimin e gjashtë punonjësve të sigurisë, të cilët ishin angazhuar për transportimin e katër thasëve me para. Në ngarkim të shtetasve Isuf Gjici, Artan Dervishi, Dritan Duka, Saimir Nikoci, Ilir Syla dhe Tomorr Hidri është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës”, mirëpo policia ka ngritur edhe dyshimet se transportimi i parave është dekonspiruar nga radhët këtyre personave.

 

“Policia dyshon se grabitësit kanë marrë informacione nga ky personel për thasët me para, të cilët do të dilnin nga filiali i bankës së nivelit të dytë tek “Stacioni i Trenit” për t’u transportuar drejt Rinasit. Kjo procedurë nuk ndodhte çdo ditë ndaj dhe autorët nuk do të mund të siguronin dot vetë informacione për të planifikuar grabitjen”-thanë burimet policore. Pavarësisht dyshimeve të grupit hetimor, gjashtë të arrestuarit nuk kanë pranuar implikimin në këtë ngjarje.

 

Dëshmitë

 

Tre personat, të cilët kanë nxjerrë katër thasët nga banka për në vendin ku ndodhej makina dhe që janë përballur të parët me tre grabitësit, deklaruan se nuk kanë mundur që të reagojnë pasi grabitësit u kishin dalë pas shpine. Kjo dëshmi verifikohet edhe nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar të gjithë momentin e grabitjes. Më tej tre të arrestuarit u shprehën se grabitësit dolën papritur dhe qëlluan në drejtim të tyre. Ndërkohë që në pyetje janë marrë edhe tre efektivët që ndodheshin në makinën shoqëruese.

 

“Në momentin që ndodhi grabitja unë po haja një byrek, të cilin sapo e kisha blerë. Ishte drekë dhe isha i uritur, mendova të konsumoj një byrek pasi ishim për rrugë. Nuk e menduam se do të ndodhte grabitja, ishte befasi nuk e prisnim”, mësohet të ketë thënë njëri prej efektivëve kur është pyetur nga grupi hetimor se çfarë po bënte në momentin që ndodhi grabitja.

 

Neglizhenca e këtyre punonjësve është maksimale. Ata akuzohen se nuk kanë kryer detyrën si duhet. Asnjëri prej tyre nuk ka kontrolluar zonën para se të nxirrnin katër thasët me shumën e konsiderueshme të parave.

 

Më tej bazuar në pamjet filmike, punonjësit nuk kanë reaguar, jo vetëm në momentin që ka ndodhur grabitja, duke u lëshuar katër thasët tre personave, por as në kohën kur këta të fundit me mundim po tërhiqnin thasët e rëndë. Madje në pamjet filmike të kamerave të sigurisë shihet qartë që punonjësit e sigurisë janë tërhequr dhe njëri prej tyre u ka hapur rrugën autorëve të largohen teksa tërhiqnin zvarrë thasët.

 

Të njëjtin neglizhim kanë kryer edhe tre punonjësit që ndodheshin te makinat, duke u larguar për tu lënë të lirë njërën prej makinave që autorët e përdorën për tu larguar”, kanë thënë burimet policore, të cilat shtuan se të gjitha këto veprime dhe mosveprime nga ana e punonjësve të arrestuar po hetohen nga grupi hetimor. Ndërkohë që policia nuk përjashton edhe dekonspirimin e transportimit të parave nga ndonjë punonjës i brendshëm i bankës.

 

Ja si ndodhi grabitja

 

Tre persona të maskuar dhe me armë ishin fshehur në garazh që ndodhet në derën e pasme të filialit të një banke të nivelit të dytë në zonën e “Stacionit të Trenit’ në Tiranë. Nisur nga mënyra sesi ka ndodhur ngjarja mendohet se tre grabitësit kishin pasur informacion orarin që shuma e parave që do të dilte nga dera e pasme e bankës. Ata kanë pritur daljen e punonjësve të sigurisë, për t’i zënë në befasi. Në momentin që tre punonjësit e sigurisë kanë dalë nga dera, e cila më pas u mbyll automatikisht me qepenë, autorët kanë vrapuar pas tyre, duke iu drejtuar armët.

 

Tërheqja e punonjësve ka qenë e menjëhershme. Megjithëse me armë në duar ata nuk kanë bërë rezistencë përballë grabitësve, të cilët, njërin prej tyre e çarmatosën vetëm duke e goditur me një shpullë në fytyrë.

 

Në pamjet filmike të kamerave të sigurisë duket qartë se punonjësit kanë lëshuar thasët me para, të cilët janë marrë menjëherë nga autorët. Megjithëse njëri prej autorëve u ngarkua me dy thasë në kurriz, duke lëvizur me mundim sërish nuk është ndaluar nga punonjësit, të cilët janë tërhequr, duke qëndruar në distancë nga autorët. Madje ata i kanë hapur rrugën njërit prej grabitësve në momentin që ai largohej me thasët në kurriz.

 

Këto pamje iu servirën menjëherë policisë, e cila analizoi mekanizmin e ngjarjes. Kamerat kanë filmuar edhe momentin kur autorët kanë futur thasët në makinën që do të shoqëronte blindin e bankës, për t’u larguar. Kjo makinë u gjet e braktisur në një tjetër zonë të Tiranës, jo shumë larg nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ende nuk ka mundur që të identifikojë autorët e grabitjes. /shekulli/