Në Maqedoni zyrtarisht janë të regjistruar 140, por supozohet se numri është shumë më i lartë, ndërsa në Shqipëri që prej vitit 2012, ka patur një rritje në numrin e fëmijëve të prekur nga autizmi
Dita Ndërkombëtare e Autizmit – 2 Prilli me aktivitete të ndryshme shënohet në mbarë botën, ku organizatat shëndetësore dhe të shoqërisë civile angazhohen që të ngrenë vetëdijen për këtë sëmundje, shkruan (AA)
Autizmi është një çrregullim mendor i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç.
Në Maqedoni nuk ekziston regjistër për personat me autizëm
Republika e Maqedonisë nuk ka një regjistër të personave me autizëm dhe nuk ka statistika të sakta sa fëmijë janë të prekur nga kjo sëmundje. Zyrtarisht janë të regjistruar 140, por supozohet se numri është shumë më i lartë. Vlerësimet shkojnë deri në disa mijëra.
Nga Shoqata Shkencore e Maqedonisë për Autizmin thonë se në Maqedoni nuk ekzistojnë mënyrë të sofistikuara për të diagnostikuar autizmin dhe shpesh ndodh që të ketë diagnoza të gabuara.
Sipas një studimi të vitit të kaluar të kryer nga Avokati i Popullit në disa qytete të Maqedonisë, 93 fëmijë me autizëm prej të cilëve 68 meshkuj dhe 25 fëmijë, ndjekin shkollën fillore, mirëpo vetëm një numër i vogël prej shkollave kanë ekip profesional për të punuar me fëmijët me autizëm.
Në mbarë territorin e Maqedonisë ndodhen 24 qendra në dispozicion të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje. Para tre vitesh në Shkup, në ditën botërore kushtuar autizmit, për herë të parë u hap Qendra ditore ku legopedi, psikologu, defektologu dhe kujdestarja kujdesen për rreth 15 fëmijë dhe adoleshentë. Prindërit e fëmijëve me autizëm, si dhe punonjësit sociale thonë se ballafaqohen me problemin për t’i ndihmuar fëmijët e prekur nga kjo sëmundje që të trajtohen në mënyrë të barabartë në shoqëri.
Ndryshe, autizmi në Maqedoni për të ngritur vetëdijen e publikut me dekada përmendej vetëm më 2 prill. Por, vitet e fundit autizmi si sëmundje filloi të përmendet më shpesh.
Në Tiranë Qendër Rajonale për Trajtimin e Autizmit
Sipas të dhënave zyrtare të Instituti të Shëndetit Publik të Republikës së Shqipërisë që prej vitit 2012 e në vazhdim, ka patur një rritje 30% në numrin e fëmijëve të prekur nga autizmi, dhe sipas këtij institucioni Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin, ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me këtë problem shëndetësor në rritje.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik djemtë kanë 5 herë më shumë të ngjarë të kenë autizëm krahasuar me vajzat. Ndërkohë ky institucion nuk ka një shifër zyrtare në rang kombëtar për numrin e të prekurve nga autizmi.
Në Tiranë është krijuar një Qendër Rajonale për Trajtimin e Autizmit, ku në ambientet e Qendrës janë projektuar për t’i dhënë shërbime rreth 200 fëmijëve dhe rreth 50 individëve të kategorive të tjera në javë. Ndërsa me rastin e kësaj dite institucione shtetërore, por edh organizata të shoqërisë civile organizojnë aktivitete sensibilizuese, ndërsa vitet e fundit raportohet për një trend rritës të rasteve nga ky çrregullim.
Dy prilli shënohet si ditë botërore kushtuar informimit dhe aktivizimit për autizëm, duke filluar nga viti 2008. Është vendosur me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, miratuar më 18 dhjetor të vitit 2007, me propozim të Katarit dhe mbështeturat nga të gjitha vendet anëtare.