Hafiz Sheuqet Boriçi (1884-1965), konsiderohet si njëri ndër hoxhallarët dhe vaizët elitarë të kohës së tij në Shkodër.
Ai është një ndër personalitetet e shquara të familjes së nderuar shkodrane, Boriçi, në trungun e së cilës, qëndron plot dinjitet Daut ef. Boriçi (1825-1896), babai i abetareve shqip, Kryetari i Komitetit Ndërkrahinor i Lidhjes së Prizrenit dhe Kryetar i Degës së tij për Shkodrën etj.
“Veprimtaria e Hafiz Shefqetit shtrihej në disa fusha. Ai qe një myderriz për përgatitjen e hoxhallarëve të rinj, qe mësues në shkollën pedagogjike, mësues besimi në shkollat fillore shtetërore, qe imam e vaiz në disa lagje të qytetit të Shkodrës” – (F.Luli, I.Dizdari, N.Bushati, “Në kujtim të brezave”, Shkodër, 1997, f. 301).
Në shënimet e kësaj dite, dua të sjell në vëmendjen tuaj disa urti të Hoxhës së shquar shkodran, H. Sheuqet Boriçi, botuar në revistën “Kultura Islame”, 1940.
Materiali i gjatë, që titullohet: “Përmbi mundimin, përmbi punën”, në fakt, është një hytbe xhumaje e mbajtur nga zotëria e tij në xhaminë e Sulltan Bajazitit (Hynqarit) në Shkodër. (Një nga xhamitë e shumta të Shkodrës, që sot i është uzurpuar trualli, përtej përpjekjeve të shumta për kthimin e tij në identitet, në një vend, ku ligji dhe e drejta legjitime nuk arrihen me njerzillek!?)
Hytbeja në fjalë përqendrohet tek puna dhe nxitjen që i bën Kur’ani dhe Hz. Muhammedi (a.s) punës, angazhimit për të fituar hallall, pushtetit ekonomik, forcës, influencës dhe dinamikës së jetës në Islam.
Është pa dyshim një model për t’u lexuar e trajtuar nga lexuesi, sidomos nga njerëzit e fushës; hatibët e vaizët e kohës sonë, që shumë kanë nevojë të lexojnë e të kuptojnë mentalitetin e të shkuarve, prijësve të urtë të fesë e kombit!
“O Njerëzit e Zotit…”, thërret ndër të tjera, H. Sheuqet Boriçi, “njeriu në këtë botë nevojitet për ushqimin, veshën dhe banimin e tij. Zoti me Madhnië të Vet, ka depozitue ke ai mendjen, pranë së cilës i ka vuë edhe ngarkesa a detyra, tue e lanë zavendës mbi faqe të dheut dhe tue i bâ të përulëshme dhe të bindëshme për të, të gjitha gjanat qi egzistojnë mbi tokë e mbrendë tokës: shtazë, bimë e minerale.
Dhe, vetëm me anë përpjekje, mundimi dhe pune mund të plotësohet të ngrehunit e nji ndërtese madhështore përparimi si edhe të nxjerrunit e thesarevet dhe të depozitimevet, të mëshehuna në gjirin e dheut.
Prâ, kush nuk punon, nuk ep dobí dhe nuk âsht i dobishëm, dhe ai i cili nuk âsht i dobishëm, âsht mâ i ulët se shtaza e egër!
Në qoftë se ka ndonji popull, të cilin e shtyn dhe e mpron Feja e tij mos me qëndruë statik në pikëpamje materjale, ai popull do t’ishin muslimanët, të cilët Feja e tyre i thërret për me i dhanë randësinë e duhur nevojave materjale, dhe i shtyn për me punuë për botën e tyre, me qëllim të plotësimit t’egzistencës së tyre botnore, tue kërkuë me formuë me ‘ta një ideal, një shëmbëll për popujt e tjerë, qi rrojnë mbi faqe të tokës.
Këtë gjâ e vërtetojnë edhe disa prej versetevet të naltë kuranor…” – (Revista “Kultura Islame”, viti 1, fruer-mars, 1940-XVIII, (Muh.-Safer, 1358), nr. 6-7, f. 266-267 e në vijim)
– vijon, inshallah –
Imam Muhamed B. Sytari