Obama në xhami: Faleminderit myslimanë të Amerikës!

“Gjëja e parë që dua të them, është një gjë që myslimanët amerikanë nuk dëgjojnë shpesh: Faleminderit!”

Kështu ka nisur fjalimin e tij presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, duke folur në Komunitetin Islamik në Baltimore, Maryland, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në një xhami, si president.

Obama citoi Thomas Jeffersonin dhe fjalët e tij mbi lirinë e fesë, duke kujtuar se babai themelues i Shteteve të Bashkuara kishte një kopje të Kur`anit. “Rrënjët e Islamit janë tek paqja dhe mirëkuptimi”, tha ai.

Presidenti i SHBA-ve shtoi: “Myslimanët amerikanë janë policë, zjarrfikës, persona që punojnë për sigurinë tonë. Gjatë kohëve të fundit kemi dëgjuar një retorikë të pajustifikueshme kundër myslimanëve amerikanë, se nuk kanë vend në shtetin tonë”. Obama, i cili nuk e citoi asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë Donald Trump, shtoi se “shumë shpesh, amerikanët ngatërrojnë Islamin me terrorizmin”.

“Është e pamohueshme se një pjesë e vogël e njerëzve ecin me një vizion të gabuar për Islamin, duke mbështetur lajmin e rremë se perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Islamin”, deklaroi Obama.

Ai i është referuar disa herë momentit të “shqetësimit dhe frikës” me të cilën jeton komuniteti i myslimanëve amerikanë, përballë rritjes së ndjenjës anti-islame, pas sulmeve në Paris dhe në San Bernardino.

Obama ka treguar se ka marrë letra nga myslimanët amerikanë, të cilët ndihen “qytetarë të kategorisë B” dhe se janë të shqetësuar për mënyrën se si do të trajtohen fëmijët e tyre në shkolla. Në veçanti ai ka nënvizuar se kë mësuar që ka edhe fëmijë të cilët pyesin çdo ditë prindërit e tyre nëse do të detyrohen për të lënë vendin.

“Ankth dhe shqetësime me të cilat fëmijët nuk duhet të përballen në këtë vend”,-shton Obama, i cili ka treguar dhe i ka mëshuar faktit se Amerika është një familje e vetme, pavarësisht besimeve fetare dhe etnive. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakHaxhinasto pret Ambasadorin e ri të Kuvajtit, e njeh me mundësitë për investime
Artikulli vijuesPërmes albumit panoramik paraqet ndryshimin e Mekës në një dekadë