Prania e shtuar ushtarake e Rusisë ishte në fokus të takimit të presidentit amerikan, Barack Obama, dhe pesë liderëve të vendeve të rajonit nordiko-baltik.
“Ne jemi të bashkuar në shqetësimin tonë për praninë dhe sjelljen agresive në rritje të ushtrisë së Rusisë në rajonin nordiko-baltik”, tha mbrëmë në Uashington presidenti Obama, në fund të takimit me zyrtarët e lartë të Danimarkës, Islandës, Finlandës, Suedisë dhe Norvegjisë.
Mëtutje, ai ka theksuar se të gjashtë shtetet u pajtuan për nevojën e mbajtjes së sanksioneve kundër Rusisë.
Më herët, zoti Obama ka theksuar se derisa ka gatishmëri për uljen e tensioneve, Uashingtoni, po ashtu, do të jetë i përgatitur për ta kundërtshuar çfarëdo agresioni të perceptuar të Rusisë.
“Ne do ta mbajmë dialogun që po vazhdon dhe do të synojmë bashkëpunim me Rusinë, por ne po ashtu, dëshirojmë të kemi siguri se jemi të përgatitur dhe të fuqishëm dhe dëshirojmë ta inkurajojmë Rusinë t’i mbajë aktivitetet e saj ushtarake në harmoni të plotë me obligimet ndërkombëtare”, tha Obama.
Në deklaratën e përbashkët, të gjashtë vendet kanë shprehur shqetësim për aksionet e Rusisë në rajonin e Detit Baltik, përfshirë “sjelljen e pazakonshme atomike, ushtrimet e padeklaruara dhe aksionet provokuese të aeroplanëve dhe anijeve ruse”.
Ky takim u mbajt disa orë pasi filloi ndërtimi i themelit për një kapacitet të ri në kuadër të mbrojtjes kundërajrore të NATO-s në Evropë, në pjesën veriore të Polonisë.
Një kapacitet i ngjashëm është përuruar në Rumani para dy ditësh.kohaislame