Diplomacia kosovare, prej themelimit të saj, kur edhe vendi shpalli pavarësinë, është përballur në vazhdimësi me skandale të shumta, e ku bie në sy emërimet politike, joprofesionale, mungesa e llogaridhënies, duke qenë dhe lajm në mediet botërore.
Por aq larg kanë shkuar skandalet në diplomaci saqë së fundmi mediat kosovare kanë raportuar se nga data 1 prill, një depoist i qeverisë ka nisur karrierën diplomatike në një gradë të nivelit të lartë – sekretar i parë.
Dhe kjo raportohet se ka ndodhur me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili ka punësuar bashkëqytetarin e tij Xhelal Gega në Ambasadën e Kosovës në Pragë të Çekisë, i cili njihet si militant dhe anëtar i forumeve lokale të Partisë Demokratike.
Duke parë këtë degradim të vazhdueshëm të diplomacisë, opozitarë dhe analistë thonë se duhet të hetohen punësimet e vazhdueshme që po bëhen, pasi rapotohet se një pjesë e të punësuarve janë militantë partiakë.
Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së thotë se si parti opozitare në vazhdimësi kanë ngritur zërin që stafi diplomatik, pra edhe ambasadorët mos të jenë politik, por që praktika ka tregu që shumica e emërimeve janë bërë si rezultat i pazareve politike.
“Zakonisht pas temave të nxehta bëhen pazaret, kështu kanë vepru sidomos me zgjedhjen e presidentit. Prandaj vendosja dhe respektimi i kritereve në interes të diplomacisë do të duhej të ishin në agjendën e ministrave që në fillim të marrjes së detyrës. Derisa nuk ka hapësirë sektoriale të papolitizuar nuk do të ketë hapa pozitiv në këtë drejtim”, shprehet, Haxhiu për tesheshi.
Gëzim Kelmendi, deputet i pavarur thotë se duhet të hetohen të punësuarit në stafin diplomatik, ngase në jo pak raste po shkelen gjitha procedurat ligjore.
“Stafi diplomatik duhet të jetë i kualifikuar dhe i avancuar profesionalisht. Ajo çka është me rëndësi se stafi diplomatik duhet të jetë jopolitik dhe jo i përzgjedhur nga ministri por nga parlamenti”, shprehet Kelmendi për tesheshi
Analisti politik Albinot Maloku, analist politik mendon se minsitri Enver Hoxhaj e ka shëmtuar Ministrinë e Jashtme gjatë mandatit paraprak kur ishte ministër por edhe tani duke e bërë temë të skandaleve.
“Nuk mbaj mend të jenë përfolur përfaqësuesit tanë diplomatik nëpër botë si shtyesit e proceseve ekonomike në dobi të Republikës. Rishikimi i stafit diplomatik, i punës së tyre, i vlerave të tyre po vazhdon të mos kontrollohet. Veç kësaj shumë ambasador nëpër vende të ndryshme të botës janë duke punuar me afat të skaduar dhe për këtë askush asnjë fjalë nga MPJ nuk e thotë. Gradimet dhe emërimet janë jo të bazuara mbi kapacitete e aftësi profesionale që i shkojnë një përfaqësuesi diplomatik të vendit tonë”, thotë analisti Maloku për tesheshi. com. /tesheshi.