Si po kopjohet modeli Trump i “lajmeve të pavërteta” duke i shpërndarë në website që nuk ekzistojnë për t’ia servirur opinionit si lajme…
Media shqiptare është akoma e re dhe e papërgatitur t’i bëjë ballë “fake news”-eve, një fenomen që u shpik me fushatën e Donald Trump në Amerikë. Rasti më i fundit i mashtrimit të mediave ishte shpërndarja dje e një “lajmi” nga një sosh italiane (Pianeta Italia news) ku flitej për groposojen e mijërave ton lëndësh kimike në territorin shqiptar. Një lajm i tmerrshëm nëse do të ishte i vërtetë.
Disa media pranë opozitës shqiptare si syri.net, exit.al, por edhe të tjera media tradicionale si mapo.al e botuan këtë gjë pa e verifikuar dhe pa marrë asnjë konfirmim për vërtetësinë e tij, ose të paktën për vërtetësinë e website-it italian ku ishte botuar.
Deputetë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike nuk vonuan ta shpërndajnë në facebook-un e tyre këtë “lajm” duke i kërkuar llogari kryeministrit Rama dhe qeverisë për “skandalin”.
Por si mund ta vërtetojmë këtë gjoja lajm nga emri i gazetarit, nga burimet e informacionit dhe nga media që e publikon, e që duhet të jetë e njohur dhe e besueshme?
Me një kërkim të thjeshtë në Google dhe në Alexa, ku rankohen mediat online, kupton se web-i në fjalë pothuajse nuk ekziston; aty ka botime lajmesh një herë në 5 muaj dhe nuk ka asnjë emër gazetari italian që të punojë aty. Aty thuhet gjithashtu se faqja drejtohet nga Maria Palma, e cila po kështu nuk figuron si personazh gazetarie në vendin fqinj.
Lajmi u hodh poshtë nga prokuroria shqiptare e cila në një reagim për mediat sqaroi se “Nuk ka ndonjë hetim lidhur me sa pretendohet në një shkrim të shpërndarë pasditen e sotme, lidhur me hyrje të mundshme në mënyrë të paligjshme të konteniereve me mbeturina. Gjithashtu, ne takimin ndërmjet Prokurorit te Pergjithshem, z. Adriatik Llalla dhe Drejtorit te Antimafias Italiane, z. Franko Roberti, nuk është diskutuar një çështje e tille, siç pretendohej në këtë shkrim”.
Nuk është hera e parë që media pranë opozitës shqiptare përdorin web-e fantazmë të huaja në anglisht apo italisht për të shpërndarë fake news-e ose lajme të prodhuara nga zyrat e opozitës në Tiranë dhe të botuara më pas në këto portale dhe të risjella në shqip.
E njëjta gjë ndodhi dhe me një artikull ku akuzohej ambasadorja Romana Vlahutin për blerjen e një vile në Tiranë, shkrim i botuar fillimisht në mediat pranë opozitës, më pas në një portal në anglisht krejt i pabesueshëm dhe i panjohur dhe i sjellë sërish nga mediat në Tiranë si “shqetësim i Brukselit për veprimtarinë e Vlahutin”.
Fushata sapo ka nisur dhe nuk është çudi të shohim përsëri perla të tilla Në një moment të tillë i mbetet në dorë publikut të mos lejojë veten të merret për “budalla” duke besuar se çdo gjë që shkruhet është e vërtetë; si dhe mediave tradicionale që të jenë vigjilente për të bërë fact-checking (vërtetim të fakteve) në raste të tilla. /tesheshi.