ANZH do të mbështesë certifikimin e produkteve kosovare për eksport

Prishtinë, 1 mars – Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot disa projektligje dhe vendime.

Ndër to, kabineti qeveritar ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit të projektit për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit Ibër-Lepenc ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH), transmeton Koha.net.

Projekti në fjalë ndahet në dy pjesë, pjesa e parë i dedikohet përmirësimit të kanalit kryesor të ujit, duke filluar nga Ujmani deri në Obiliq, ndërsa pjesa e dytë dedikohet për ndërtimin e një rezervuari të ujit në Mihaliq dhe lidhjen e tij me kanalin e ujit, që do të përdoret për raste emergjente.

Qeveria ka miratuar edhe Nismën për negocimin e “Marrëveshjes për financim për projektin e konkurrueshmërisë dhe gatishmërisë për eksport ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim”, që do të mbështesë certifikimin e produkteve për tregje eksporti dhe përforcimin e kapaciteteve të kompanive në orientim nga eksporti. Realizimi i projektit do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së produkteve që eksportohen nga tregu i Kosovës në tregjet e jashtme.

Po ashtu, është miratuar edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Teknik për vitin 2016, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë. Marrëveshja përcakton shumën dhe mënyrën e shpenzimit të grantit nga ana e Qeverisë Federale të Gjermanisë, për mbështetjen e sektorëve të rëndësishëm për vendin, përmes kësaj asistence teknike.

Mbështeten projektet e mëposhtme:

Rinia, punësimi, arsim dhe aftësim;

Aftësia konkurruese e sektorit privat në viset rurale;

Mbështetja e procesit të integrimit në BE;

Këshillimet rreth reformave në drejtësi dhe administratë;

Ngritja e shërbimeve të qëndrueshme komunale; dhe

Fondet për studime dhe ekspertë.

Nisma e fundit e miratuar, është Nisma për negocimin e Marrëveshjes së grantit për projektin e rrugëve rajonale, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që përfshin disa segmente në Gjilan, Ferizaj dhe në Prizren. Brenda marrëveshjes së kredisë është paraparë angazhimi i një ekipi të konsulencës, për të mbështetur njësinë e implementimit të projektit, që vepron brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Është miratuar edhe vendimi lidhur me udhëzimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës për regjistrimin e paluajtshmërive në emër të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa theksoi rëndësinë që ka ky vendim për Kosovën.

“Konsideroj se është një vendim i rëndësishëm për ne dhe për Kosovën”, tha kryeministri Mustafa.

Artikulli paraprakParlamenti Evropian i heq imunitetin Le Penit
Artikulli vijuesOpozita dhe “fake news”-et: si u shpik historia e groposjes së lëndëve kimike në Shqipëri