Në letrën e organizatave thuhet se hetimet e zhvilluara nga qeveria e Mijanmarit nuk janë bërë në mënyrë të paanshme dhe se të njëjtat kanë qenë të pamjaftueshme
Organizatat për të Drejtat e Njeriut i kanë bërë thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të hap hetim në lidhje me rastet e dhunës në shtetin e Arakanit në Mijanmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Trembëdhjetë organizata rajonale dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë dërguar letër të hapur përfaqësuesve të përhershëm të shteteve anëtare dhe atyre mbikëqyrëse të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së.
Organizatat në fjalë kanë mbështetur thirrjen e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB Raad el Husein dhe Raportuesit të Posaçëm të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Yanghee Lee gjatë seancës së 34-t të Këshillit të të Drejtave të Njeriut pranë OKB-së që të hapet hetim i pavarur lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Arakan.
Në letrën e organizatave thuhet se hetimet e zhvilluara nga qeveria e Mijanmarit nuk janë bërë në mënyrë të paanshme dhe se të njëjtat kanë qenë të pamjaftueshme në reflektimin e gjendjes.
Ndërkohë, Phil Robertson, drejtori i Human Rights Watch për Azi, në një postë elektronike dërguar AA-së thotë: “Mjaft më. Tani duhet vepruar”.
“Derisa forcat e sigurisë në Mijanmar ushtrojnë dhunë, diskriminim sistematik, i lënë pa mbështetje shtetërore dhe pengojnë qasjen e nevojave elementare për muslimanët e Arakanit, komuniteti ndërkombëtar prej kohësh ka ngelur spektator”, thekson Robertson.
Robertson tha se OKB-ja dhe shtetet anëtare duhet të jenë kundër sistemeve që ushqejnë braktisjen e pakicës muslimane në Arakan.
Ndryshe, operacionet e ushtrisë së Mijanmarit në rajon filluan pas sulmeve ndaj stacioneve kufitare në shtetin e Arakanit më 9 tetor, gjatë të cilit humbën jetën 13 pjesëtarë të sigurisë dhe 29 persona.
Grupet solidarizuese me popullin Rohingya kanë theksuar se që nga fillimi i operacioneve e deri më tani kanë vdekur të paktën 400 muslimanë arakanas, shumë gra janë përdhunuar dhe fshatrat janë djegur.
Ndërkaq, Thaung Tun, Këshilltari për Siguri Kombëtare i ministres së shtetit përgjegjëse për Ministrinë e Jashtme dhe Presidencën e Mijanmarit, Aung San Suu Kyi, javën e kaluar deklaroi se në Arakan është siguruar stabiliteti dhe për këtë arsye u jepet fund operacioneve.