Pacolli:Mustafa më ka premtuar se LDK-ja do ta votojë demarkacionin

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli, në një intervistë për Deutche Welle ka thënë se demarkacioni i cili pritet të vijë në Kuvendin e Kosovës do ta ketë votën pro të LDK-së, sepse këtë premtim sipas tij e ka dhënë vetë lideri i kësaj partie.

“Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit janë dy nga 35 kushtet e paraqitura dhe demarkacioni është kusht i ri. Unë kamë qenë në Bruksel dhe Mal të Zi dhe mendoj se ky kusht nuk është dashur të paraqitet. Ne së shpejti do të kemi dokumentin tonë dhe do ta dërgojmë në kuvend për ratifikim”, ka thënë ai.

I pyetur se a ka qeveria ndonjë marrëveshje me ndonjë parti, Pacolli është përgjigjur se është në kontakt të vazhdueshëm me opozitën dhe me vetë liderin e LDK-së, Isa Mustafën nga i cili ka marrë premtimin se LDK-ja do ta votoj demarkacionin i cili pritet të vije në kuvend.

“Jam takuar së fundmi me të dhe mund të them zyrtarisht se ai më ka thënë se ne do ta votojmë çdo dokument që është OK për Malin e Zi. Pra kjo është ekskluzive dhe mund ta bëni publike, sepse ai ma ka konfirmuar këtë. Unë i besoj fjalëve të tij, sepse zoti Mustafa është njeri serioz”, ka thënë Pacolli.

Ndërkaq i pyetur se kur demarkacioni do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, Pacolli ka thënë se nuk kanë ndonjë datë të saktë por që komisioni do të jetë gati deri në fund të vitit.

Artikulli paraprakVuçiq:Kosova nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara pa vullnetin e Serbisë
Artikulli vijuesMinistri i Financave tregon se kur do të rriten rrogat