Familjarët e të masakruarve të Rezallës së Skenderajt sot përmes avokatit Arianit Koci kanë dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale ndaj ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë të asaj kohe.
Avokati Koci ka thënë për “Zërin”, se padi direkt është ngritur ndaj Lubisha Dikoviq edhe ndaj Dejan Ranxhelloviq.
“Padi direkte është ngritur ndaj Lubisha Dikoviq edhe ndaj Dejan Rangjelloviq. Dikoviq ka qenë komandant i Brigadës së 47 të motorizuar të ushtrisë jugosllave ndërsa Ranxhelloviq, ka qenë komandant i Batalionit të dytë në kuadër të kësaj brigade”, ka deklaruar ai.
Koci ka thënë se për këtë ka prova të mjaftueshme, madje janë edhe dy dëshmitarë okularë, persona të cilët i kanë mbijetuar masakrës së Rezallës.
“Dëshmi ka sa të duash, ka edhe dëshmitar okular, dëshmitar të gjallë që i kanë mbijetuar masakrave. Edhe në këtë rast janë dy dëshmitar të gjallë që i kanë deponua dëshmitë e veta. Dëshmi ka sa të duash mirëpo, askush nuk është ulur që ti mbledh një nga një dhe ti deponoj ato, a në të njëjtën kohë Serbia për çdo çështje kanë mbledhur fakte dhe na kanë çuar në Hagë e në gjykata të tjera”, ka deklaruar Koci për “Zërin”.
Ai thotë se Kosova është vonuar në këto padi karshi Serbisë, për shkak se askush nuk është marrë me provat e nevojshme. Sipas Kocit, askush deri më tani nuk ka mbledhur prova që ti faktoj ato dhe ti dokumentoj. Sipas tij, edhe Prokuroria duhet ti rris kapacitet e saj si për nga sasia ashtu edhe cilësia.
“Janë fakte notore masakrat që i kanë bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë, por nuk kemi arritur që ti mbledhim, ti dokumentojmë edhe ti faktojmë në mënyrë të shkuar. Prandaj besoj se kjo iniciativë duhet të vazhdoj edhe në të njëjtën kohë edhe Prokuroria duhet ti rris kapacitet e veta edhe në kualitet edhe në kuantitet në mënyrë që të hetohen mirë këto çështje. Dëshmi ka sa të duash, por askush nuk ka shkuar që ti mbledh e ti dorëzoj, do me thënë askush nuk është marrë. Dëshmi ka shumë, por askush nuk ka shkuar që ti mbledh një nga një dhe për çdo masakër me dorëzua kallëzime penale veç e veç”, ka treguar tutje Koci.
Ai ka thënë se këto raste janë komplekse dhe marrin kohë të konsiderueshme në procedimin e tyre.
“Rastet e krimeve të luftës janë raste komplekse prandaj duhet edhe kohë e konsiderueshme për hetim dhe procedim të kësaj çështje, por ka prova të mjaftueshme për procedim të kësaj lënde. Këto janë raste komplekse dhe nuk mund të fshehësh”, ka deklaruar Koci.
Ndryshe, para 16 viteve forcat e Serbisë kryen masakër mbi popullatën civile në Rezallë të Skenderajt ku u vranë afro 100 persona.