Pakistani liron kreun e talebanëve

Ish-numri dy i talebanëve në Afganistan, Mullahu Abdul Ghani Baradar është liruar nga burgu në Pakistan mëngjesin e së shtunës.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Islamabad deklaroi se lirimi bëhet për të lehtësuar më shumë procesin e riformatimit të Afganistanit.

Mullahu Baradar është një nga katër figurat që themeluan lëvizjen talebane në Afganistan në vitin 1994.

Ai u bë një ndër udhëheqësit e kryengritjes pasi pushteti taleban u rrëzua nga pushtimi amerikan i vitit 2001, për t’u arrestuar në Karaçi në vitin 2010, transmeton TCH.

Autoritetet afgane deklaruan atëherë se ai po zhvillonte bisedime të fshehta për paqen me qeverinë e Kabulit dhe akuzuan Pakistanin se po përpiqej të sabotonte apo kontrollonte procesin.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se figura e tij mund të çojë në bindjen e talebanëve që të ulin armët dhe t’u bashkohen bisedimeve.

Por një eksponent i rangut të mesëm i guerrilasve deklaroi për agjencinë e lajmeve “AFP” se lirimi i Baradar nuk do të ketë efekt tek Afganistani.

“Nuk do të ndryshojë asgjë. Ai është vetëm një njeri i thjeshtë që s’ka më asnjë pozitë në rrjetin e talebanëve”, tha guerilasi.

Për momentin nuk dihet se ku do të dërgohet Baradari pas lirimit, por burime të pakonfirmuara thonë se ai do të vendoset në Karaçi, ku dhe jeton familja e tij.

“Ai do të trajtohet si një element i thjeshtë brenda rrjetit, që do të mund të japë mesazhe hera herës, por që nuk do të jetë në gjendje të mbledhë këshillin e talebanëve apo të rifitojë pushtet”, thanë burimet.

Artikulli paraprakInter shkatrron Sassuolon
Artikulli vijuesEpoka e "Kallashnikov-it" vazhdon