Pas 12 javësh, të lirë në BE

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, gjatë një konference për medie ka bërë të ditur se pas dhënies së rekomandimit për liberalizimin e vizave nga ana e Komisionit Evropian qytetarët e Kosovës do të mundë të udhëtojnë lirshëm drejt vendeve të BE-së pas 12 javësh.

Përpos liberalizimit të vizave ai gjatë kësaj konferencë ka përmendur edhe për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, si dhe për aksionin e Policisë në lidhje me largimin e uzurpatorëve nga pronat e uzurpuara.

Hyseni tha se Ministria e Punëve të Brendshme i ka kryer 70 nga 90 kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, që i bie 74 për qind të të gjitha kritereve të kërkuara për këtë proces. Ai u shpreh shumë optimist se Parlamenti Evropian shumë shpejt do ta aprovojë rekomandimin e Komisionit Evropian.

“I falënderoj të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme për plotësimin e kritereve nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, ku 74 për qind të këtyre kritereve janë plotësuar nga MBP-ja. Unë jam optimist se Parlamenti Evropian shumë shpejt do ta aprovojë rekomandimin e Komisionit Evropian, e cila pritet të bëhet prej 10 deri në 12 javë dhe shpresojmë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm nga mesi i verës ose pak më vonë”, është shprehur Hyseni.

Ai ka thënë së gjatë qëndrimit të tij në kryeqendrën evropiane është takuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshëm të Belgjikës, i cili është një nga 12 vendet me fuqi ekzekutuese në organizatën e INTERPOL-it, organizatë që Kosova shpreson të anëtarësohet në një kohë të shkurtër.

“Gjatë qëndrimit tim në Bruksel kam pasur takim me ministrin e Punëve të Brendshëm të Belgjikës, me të cilin kemi diskuar për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e cila pritet të ndodhë në vjeshtën e këtij viti. Anëtarësimi në këtë organizatë është i komplikuar sepse gjashtë nga dymbëdhjetë vendet të cilat kanë fuqi ekzekutuese në këtë organizatë nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, anëtarësimi në këtë organizatë është i pashmangshëm, nëse nuk ndodh sot, ai do të ndodhë nesër”, ka thënë ministri Hyseni.

Në lidhje me të dhënat e “Barometrit Kosovar të Sigurisë”, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, se vetëm 51 për qind e qytetarëve ndihen të sigurt në Kosovë, ministri Hyseni ka bërë të ditur se Kosova është vendi më i sigurt në Ballkanin Perëndimor dhe se qytetarët e saj nuk kanë përse të mos ndihen të sigurt.

Ndërkaq, në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës, Hyseni ka thënë se ai është një aksion i madh nga ana e Oolicisë së bashku me Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat e tjerë për lirimin e pronave të uzurpuara.

“Policia e ka ndërmarrë një aksion të madh policor, ky aksion është bërë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe është shtrirë në dy qytete, në Ferizaj aksioni ka vepruar në gjashtë raste dhe në Prishtinë në shtatë raste, ku Policia e Kosovës është duke i liruar pronat e uzurpuara nga uzurpatorë të ndryshëm. Policia e Kosovës do të zhvillojë edhe një aksion tjetër të madh për largimin e këtyre uzurpatorëve”, ka deklaruar Hyseni.

Hyseni në fund të kësaj konference u ka bërë thirrje medieve që t’i ndihmojnë institucionet e Kosovës në informimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve në lidhje me liberalizmin e vizave, sepse në këtë proces mediet, sipas tij, do të luajnë një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve rreth asaj çfarë ofron lëvizja e lirë.

Artikulli paraprakNjë funksionar i BDI-së i posedon të gjitha “bombat” për kolegët e tij, e përmend Ermira Mehmeti! (Video)
Artikulli vijuesBastri Bajrami: Në Marshin Protestues të 9 Majit, të dalim sa më masovikisht