Pas Greqisë e cila i vuri kushte Shqipërisë për të dhënë votën pro në hapjen e negociatave të BE-së, oreksi është rritur edhe në vendet e tjera.
Siç mësohet, është Holanda e cila ka shfaqur skepticizmin e saj duke u kthyer një problem për qeverinë shqiptare.
Prej gati dy muajsh kanë nisur negociatat intensive me Amsterdamin që të sigurojnë “Ok” nga qeveria holandeze. Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes së tij në Davos u takua posaçërisht me kryeministrin Mark Rutte për ta bindur që të ndryshojnë mendje. Dhe siç mësohet kërkesa që ka ardhur nga holandezët ka qenë një konçension ekonomik.
Një kompani holandeze ka lobuar që të marrë të drejtën e shpërndarjes së gazit nga rrjeti i TAP në Shqipëri dhe të ndërtojë rrjetin në të gjithë vendit.
Palët kanë arritur një marrëveshje dhe pritet që të jenë pikërisht holandezët që të fitojnë të drejtën e shpërndarjes së gazit nga tubacioni i madh i TAP.
Më përpara kanë qenë kinezët që kanë shfaqur ofertën e parë, dhe madje ishin përpara marrjes së konçensionit. Por gjërat kanë lëvizur ditët e fundit.
Komisioni Evropian prezanton ditën e sotme Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas dokumentit, vendet e rajonit nuk mund të bëhen pjesë e BE në kushtet në të cilat ndodhen aktualisht: më parë duhen përmbushur detyrimet kryesore, veçanërisht në krijimin e shtetit ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre.
Dokumenti nënvizon se BE ka shtuar angazhimin për rajonin, për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.
BE thekson në raport se se njeh përparimin e bërë ndër vite, por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse.
Situata mes Serbisë dhe Kosovës shikohet si delikate: pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Serbia dhe Mali i Zi janë të vetmet vende të Ballkanit perëndimor të cilat do të marrin afat të qartë kalendarik për pranim të mundshëm në BE në vitin 2025, ndërsa datat e integrimit evropian të vendeve të tjera të rajonit nuk përmenden.
Në maj zhvillohet samiti i krerëve të Bashkimit Europian në Sofje, pikërisht në mbyllje të presidencës gjashtëmujore bullgare të BE-së.
Pikërisht në atë samit pritet që të miratohet ose jo, hapja e negociatave me Shqipërinë. Por deri atëherë Shqipëria duhet të japë prova në luftën ndaj korrupsionit. Dëshmia më e pranueshme nga Brukseli janë prangosja e të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”.
Kujtojmë se Kroacia e “kaloi klasën” pasi arrestoi ish-kryeministrin, Ivo Sanader. /tesheshi.