Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është anuluar për një kohë të pacaktuar, kjo me kërkesë të palës serbe e cila pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq ka deklaruar se nuk do të ketë vazhdim të dialogut deri sa të zbardhet ky rast.
Lidhur me këtë “kusht” të Serbisë që mos të ketë vazhdim të dialogut deri në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit, analistët e cilësojnë si pretekst i shtetit fqinj para ndërkombëtarëve për të treguar se gjoja qytetarët serbë në Kosovë janë të rrezikuar. Kështu ka thënë për Telegrafin analisti politik, Belul Beqaj.
” Pala serbe dëshiron të denigroj edhe më shumë politikën e Kosovës. Serbia dëshiron të ngarkoj me përgjegjësi Kosovën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit duke drejtuar gishtin kah Kosova për një vrasje që nuk është ndriçuar ende. Ajo ka plane tjera rreth dialogut por dëshiron të përdor vrasjen si një pretekst para opinionit ndërkombëtarë për të treguar sa janë ,gjoja se, të rrezikuar serbet në shtetin e Kosovës”, ka thënë Beqaj.
Ai ka theksuar se vrasja e Ivanoviqit do të shërbej si pretekst edhe pse dihet publikisht se Oliver Ivanoviq dhe Iniciativa e tij qytetare SDP ka qenë e rrezikuar edhe publikisht nga pushteti serb, por ai është vrarë në Kosovë.
” Mos zbulimi eventual,por edhe zbulimi i urdhërdhënësit dhe vrasësit do të instrumentalizohet për nevojat e pushtetit të Serbisë. Në rastin e parë si argument i pa aftësisë së shtetit të Kosovës , në rastin e dytë duke kontestuar gjetjet, nëse zbulohet se kjo është bërë nga Serbia !”, tha Beqaj.
Edhe analisti Nexhmedin Spahiu ka theksuar se nuk beson që do të ketë ndërprerje të përhershme të dialogut, duke thënë se shtetet perëndimore dhe aleatët e Kosovës do t’i bëjnë presion Serbisë që të futet në dialogë.
“Në fakt Serbia nuk është e interesuar realisht për dialogë, ajo këtë e bënë vetëm sa për tu arsyetuar para shteteve të fuqishme”, tha Spahiu për Telegrafin.
Ai shtoi se Serbia edhe për një kohë do ta përdor vrasjen e Ivanoviqit si arsyetim që të mos vazhdojë dialogu.
“Zbardhja e rastit të vrasjes së Ivanoviqit do të thotë shumë, nëse ajo vrasje do të zbardhet atëherë Kosova do të përfitonte shumë për faktin që Serbisë në një mënyrë do ti merrej fytyra”, ka thënë Spahiu.
Të pyetur rreth asaj se çfarë do të ndodh në rast se Serbia do të ndërpresë përgjithmonë dialogun me Kosovën, analistët u shprehen skeptikë rreth kësaj çështje duke thënë se dialogu do të vazhdojë.
“Dialogu do të vazhdojë …Por, do të ketë synim tjetër. Serbia do të kërkoj që normalizimi zgjidhjes të bëhet përmes ndarjes territoriale”, është shprehur Beqaj.
Kurse Nexhmedin Spahiu ka thënë se në rast se do të ndodhte një gjë e tillë do të thoshte shpallje lufte.
“Serbia nuk do ta thotë këtë përfundimisht sepse kjo në një mënyrë do të thoshte shpallje lufte, dhe ajo nuk është e gatshme të konfrontohet me gjithë Bashkësinë Ndërkombëtare”, theksoi Spahiu.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se dialogu Kosovë-Serbi është pa alternativë dhe si i tillë duhet të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, në përmbylljen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe me përfundimin e shpejtë të këtij procesi, i cili duhet të rezultojë me marrëveshje gjithëpërfshirës, që çon drejt njohjes ndërmjet dy shteteve. /Telegrafi/