Nëntë vite që nga shpallja e pavarësisë, shteti më i ri në Evropë nuk ka arritur që të bindë investitorët e huaj të krijojnë bizneset e tyre në Kosovë, ndërkohë që premtimet elektorale për rritje të punësimit kanë mbetur vetëm në letër.
Vetëm një vit para se të shpallej pavarësia në shkurt të vitit 2008, në Kosovë ka pasur rreth 440 milionë euro investime të huaja direkte, por kjo shifër është zvogëluar në vazhdimësi.
Në fakt, në fund të vitit 2016, investimet e huaja në vend nuk kalonin vlerën e 184 milion eurove, që i bie përgjysmë më pak se sa investimet para shpalljes së shtetësisë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kishte lënë fajtore klimën e vështirë politike që ishte krijuar gjatë vitit të kaluar si pasojë e protestave opozitare.
Por, një numër hulumtimesh të bëra lidhur me këtë çështje tregojnë se klima politike nuk është e vetmja pengesë në këtë drejtim.
“Situata politike jostabile ka ndikuar tek rënia e investimeve të huaja, pavarësisht përpjekjeve jo vetëm të dikasterit tonë, por edhe të dikasterve të tjera e dini që politikat fiskale asnjëherë nuk kanë qenë më të favorshme për bizneset dhe ambienti i biznesit jo vetëm sipas neve si Qeveri, por edhe sipas raporteve ndërkombëtare, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë në Kosovë”, ka thënë Bajrami.
Lidhur me politikat fiskale të favorshme, Qeveria e Kosovës kishte marrë vlerësim edhe nga Banka Botërore, që në raportin e saj “Doing Business” njoftoi se Kosova ka shënuar ngritje të theksuar në ranglistën e shteteve për lehtësim në biznes..
Por, një anketë e bërë para disa viteve me rreth 1600 biznese gjermane lidhur me klimën e të bërit biznes në Kosovë kishte renditur Kosovën në vendin e 18 nga 20 shtete pjesëmarrëse sa i përket atraktivitetit për të investuar.
Mungesa e sundimit të ligjit, problemet burokratike si dhe mungesa e politikave e strategjive afatgjate ekonomike të Kosovës janë parë si dobësitë kryesore të Kosovës.
Përveç bizneseve gjermane, probleme me të bërit biznes në të kaluarën kanë pasur edhe bizneset nga vendet e tjera evropiane ndërsa ka pasur raportime se investitorë që fillimisht kishin shprehur interesimin të bëjnë biznes në Kosovë kanë zgjedhur vendet e rajonit të bëjnë një gjë të tillë.
Sipas agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK), arsyet kryesore për të investuar në Kosovë janë fuqia e lirë punëtorë, taksat e ulëta, qasja e lirë në tregun evropian, përdorimi i EURO-s si valutë, e të tjera, ndërsa si investitorët më të mëdhenj vijnë nga Gjermania, Turqia, Zvicra, Britania e Madhe e të tjera.
Qeveritë e njëpasnjëshme që nga shpallja e pavarësisë ishin zotuar se do të arrinin të joshnin kompanitë e huaja që të investojnë në Kosovë, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë kompani me renome ndërkombëtare që ka bërë një gjë të tillë.
Një situatë e tillë ka bërë që edhe premtimet e ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Isa Mustafa rreth uljes së papunësisë të mos përmbushen.
Thaçi kishte qeverisur me Kosovën për dy mandate, para se t’ia linte qeverisjen në dorë Isa Mustafës në vitin 2014.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014, Kryeministri Mustafa kishte premtuar se do të krijonte 120 mijë vende pune gjatë mandatit të tij, ndërsa ish-kryetari i PDK-së, aktualisht president i Kosovës, Thaçi, premtonte se partia e tij do të krijonte 200 mijë vende të lira pune. Por, të enjten Mustafa tha se ka arritur të krijojë rreth 40 mijë vende pune, kur po kalon gjysma e mandatit të tij si i pari i qeverisë. Por, edhe këto shifra janë konsideruar si të “fryra” nga njohës të cështjeve ekonomike në vend.
Në fakt, qeveritë që nga shpallja e pavarësisë e tutje kanë qenë të fokusuara kryesisht në çështje politike duke anashkaluar temat ekonomike./