TIRANE- PDIU i ka kërkuar dje qeverisë të marrë masa për përkujtimin e gjenocidit çam, ashtu sikundërse përkujtohet çdo vit Holokasuti. Gjatë fjalës së tij në parlament, deputeti i PDIU-së, Omer Mamo tha se Greqia duhet të kërkojë falje për atë që u bëri çamëve, sikundërse Gjermania kërkoi falje për krimet e nazistëve ndaj hebrenjve.
“Një ditë pas Kujtesës së Holokaustit, ne duhet të kujtojmë dhe të gjithë viktimat e gjenocidit grek ndaj qytetarëve të Çamërisë. Unë dhe kolegët e mi të PDIU-së, por edhe kolegë të mazhorancës dhe opozitës, jemi dëshmitarë të dhimbjes që shqiptarët përjetuan nga gjenocidi, vrasjet, dhunimet dhe dëbimet e tyre me dhunë nga shtëpitë e tyre në Çamëri. Ne përkujtuam përndjekjen e hebrenjve, po unë po flas për nënat dhe baballarët tanë, po flas për gjakun tonë, po flas për shqiptarët që jetonin dikur brenda shtetit të sotëm grek. Po flas për çamët. Do të donim shumë që shteti grek, ashtu si Gjermania që dënoi krimet e nazimit, të dënonte krimet ndaj shqiptarëve. Ne shpresojmë që me ndihmën e Zotit, dhe me ndihmën e të gjitha forcave progresiste evropiane, Greqia e sotme të reflektojë drejt. Kjo është detyra e shteti grek. Po ne a e kemi bërë detyrën tonë? Unë them se jo. Ne i kërkojmë Këshillit të Ministrave ta përfshijë këtë çështje, në axhendën e saj politike dhe diplomatike dy palëshe dhe për çështjen çame të raportohet në parlament,”-tha Mamo.
Deputeti çam shtoi se partia e tij e mbështet qeverinë në këto reforma të rëndësishme. “PDIU ka qenë dhe është faktor i të gjitha ndryshimeve të rëndësishme që janë bërë dhe po bëhen në këtë vend. Jemi futur në këtë proces me bindjen se reforma kaq të mëdha si ajo territoriale, ajo e drejtësisë dhe së shpejti edhe ajo zgjedhore, Shqipëria nuk mund të ecë e sigurt drejt përmirësimit, drejt integrimit, dhe standardeve ekonomike, sociale e politike. Ne do të vijojmë të jemi pjesë e rëndësishme dhe decizive e këtyre reformave”-u shpreh Omer Mamo, deputet i PDIU-së.