Vetëm gjatë dhjetë muajve të këtij viti në rrugët e Kosovës, kanë humbur jetën 105 persona në aksidente në komunikacion rrugor.
Shkaktar kryesor i shkaktimit të aksidenteve në trafik përveç faktorit rrugë është edhe vozitja shoferëve nën ndikim të alkoolit.
Numri i aksidenteve në komunikacion është bërë shqetësuese edhe për qytetarët e Kosovës.
Ata kanë thënë për KosovaPress, se më shumë njerëz po humbin në aksidente se sa në situata tjera.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për KosovaPress, tha se numri i aksidenteve në komunikacion dhe i njerëzve që kanë humbur jetë në këto aksidente vazhdon të jetë shqetësuese.
Ai tha se në periudhën janar-tetor të këtij viti janë shkaktuar 93 aksidente, ndërsa në po të njëjtën periudhë kohore kanë mbetur të vdekur 105 persona.
“Në periudhën e njëjtë kohore 2014-2015 kemi pas 89 raste, ndërsa në periudhën e njëjtë të 2015-ës kemi 93 raste, pra katër raste më shumë kemi këtë vit. Gjithashtu edhe persona të vdekur kemi 103 persona në 2014, ndërsa në 2015 kemi 105, pra kemi dy persona të vdekur më shumë si rezultat i aksidenteve në trafikun rrugor”, tha Hoxha.
Ligjëruesi i lëndës së drejtës në komunikacion në Kolegjin “Tempulli”, Muhamed Krasniqi ka thënë se numri i të vdekurve në aksidentet rrugore, është një gjendje alarmante e cila kërkon që të merren masa të menjëhershme.
Ai tha se për këtë nuk është fajtor vetëm Policia e Kosovës, por fajëson pjesëmarrësit në komunikacion të cilët nuk respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit.
Përveç faktorit njeri, automjeteve dhe rrugëve, shkaktarë tjerë të cilët ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve sipas Hoxhës janë edhe përdorimi i shpeshtë i telefonave mobilë, vozitja nën ndikimin e alkoolit si dhe nën ndikim të lodhjes apo gjumit. /Telegrafi/