Rozhe Garodi
Qabeja është një gur kristali në udhëkryqin e katër horizonteve; ajo është një kub i thjeshtë, anët e të cilit shikojnë nga katër anët kryesore; ajo është poli i fìksuar dhe zemra e të gjitha lëvizjeve të besimit islam. Haxhinjtë mësyjnë drejt saj nga të gjitha anët e botës, dhe nga ajo rrezatojnë, në rrathë koncentrike, kiblet e të gjitha xhamive, theket e të gjithë qilimave për lutje dhe shikimet e të gjithë besimtarëve, të magnetizuara, në orët e salatit, nga ky pol i jetës spirituale.
Qendër e botës dhe zemër e ekzistencës për mbi një miliard myslimanë, ajo është lëvizësi i palëvizshëm i “qarkullimit të gjakut”, i bërë nga pelegrinazhet e tyre, fokusi i të gjitha mihrabeve, pikë rreth së cilës çdo haxhi sillet shtatë herë. Qabeja, me thjeshtësinë gjeometrike të kubit të gurtë të saj, duket thuajse tajon të gjitha hapësirat e lutjeve dhe projekton vijat e forcës së konstruktit të të gjitha xhamive në botë, duke përcaktuar rregullin dhe orientimin e mureve të tyre, si dhe zbrazëtinë e brendive të tyre, për se ky tempull pa idol siguron modelin -imazhin simbolik të shpirtit që vjen te Zoti duke liruar veten nga të gjitha interesat dhe pasionet personale.
Haxhiu mund të ndiejë fizikisht këtë boshllëk, të ndiejë marramendjen dhe joshjen e saj pasi të ketë kryer tavafin, shtatë rrathët e Qabesë, dhe sa’jin, shtatë vrapimet midis dy kodrave, Safa dhe Merve.
Para syve të tij gacat e fundit të mbrëmjes janë errësuar dhe shuar. Perdja e natës ka rënë. Pastaj Qabeja, nën vellot e saj të somotit të zi, të qëndisura me ar, ngjallet në mënyrë mbinatyrore. Terri ka bërë që çdo gjë rreth saj të zhduket dhe xhamia e madhe duket se formon një univers të gjallë të vetin, duke notuar në pakufishmërinë e zezë dhe të palëvizshme të hapësirës. Nën rrezet e dritës së reflektorëve oborri vigan, i shtruar me mermer, është aq i bardhë e i tejdukshëm saqë ngjan me një fushë akulli.
Në qendër qëndron kubi i gurtë, lëvizësi i palëvizshëm, boshti i gravitacionit i asaj galaksie të qenieve njerëzore që, për më shumë së një mijë vjet, kanë ardhur natë e ditë që të përshëndesin këtë gur të zi përderisa sillen rreth tij. Padyshim është një meteorit që ka rënë nga qielli e që simbolizon vetëdijen e njeriut se jeta ka kuptim vetëm nëse posedon një dimension përtej jetës së tij: se ekziston, jashtë tij dhe interesave të tij vetjake, ambicies, moralitetit dhe synimeve të tij; një pikë ku ata mund të kuptohen në tërësinë e tyre dhe ku rëndësia e tyre, thjesht relative, mund të kuptohet në dritën e asaj që është absolute; një pikë ku ata mund të gjykohen dhe ku mund të zbulojnë “rrugën e drejtë”, që i jep gjithë veprimtarisë njerëzore lirinë e saj të vërtetë dhe kuptimin e saj. Ne së paku kemi pyetur veten: A ekziston plani hyjnor për veprimtarinë njerëzore? Dhe, nëse na është zbuluar, si duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit? Me një ndjenjë të të qenit plotësisht përgjegjës për pjesëmarrje në realizimin e planit të tij? Ose duke e braktisur atë, indiferente dhe kokëfortë, por sidoqoftë të pamend dhe të papërgjegjshëm?
Ne këtë konstelacion njerëzor, të bëhesh i vetëdijshëm për këtë zgjedhje nuk është një çështje personale, po një gjë që prek të gjithë komunitetin. Në këtë vend, i vetmi zë që vjen deri te veshi ynë, është rrëshqitja e heshtur e turmës së madhe që ecën këmbëzbathur mbi sipërfaqen e mermertë të oborrit.
Brenda unazës së maleve që rrethojnë Mekën, maleve, majat e të cilave mund t’i shquanim nga muzgu, që si dhëmbë të mprehtë që kafshojnë qiellin, një klithmë u ngrit nga gojët e më shumë së dy milionë haxhinjve që kishin ardhur nga fundi i botës. Ata sonte do të flenë në xhami, në trotuare, në rrugë, mbi gurët e shkretëtirës, të kruspullosur mbi qilimat për lutje, mbi sixhadet etj. Ata me një zë që i ngjan oshtimës së valëve të oqeanit, shprehin: “Erdha për të të falënderuar për të gjitha të mirat, të të falënderoj Ty; burim i gjithë fuqisë dhe i të gjitha qenieve, Ty me të cilin asgjë nuk mund të krahasohet, së nuk ka asgjë hyjnore pos Teje”. “Erdha” …dhe kështu vazhdon, pafundësisht.
Thirrja tani ka marrë formën e heshtur të turmës, e mbështjellë nga diçka që e transhendenton atë një vetëdije se gjithnjë po rilindet në rrotullimet e ngadalshme të masës së mjegullt rreth Qabesë.
Është një rrotë që sillet në kahje të kundërt të akrepave të orës, thuajse të gjithë këta njerëz kthehen prapa në kohë, kundër rrjedhës së historisë, që të rizbulojnë burimin: Muhamedi, Isai, Musa, prapë te besimi i lashtë i Ibrahimit që, siç thotë Kur’ani, ishte ndërtuesi i Qabesë.
Oh kjo rrotë rrotullohet, rrotullohet të dallojë fytyrat individuale në mes kësaj mase, vetëm siluetat e njerëzve e lëvizjen e papenguar që formon grumbuj të dendur afër kubit të gurtë, dhe larat e bardha, që janë brezat e havllive që formojnë tunikat e kraharorëve të haxhinjve, apo larat e zeza që janë rrobat e zeza dhe shallet e grave. Në skajin e këtij rrethi lëvizës të njerëzve janë lesat në të cilat të paaftët dhe të moshuarit bëjnë të njëjtin rreth si të tjerët.
Dhe kjo rrotë rrotullohet, rrotullohet…
Me rënien e natës janë zhdukur konturet e xhamisë. Gjithë ç’mbetet janë dritat e kurorës së dyfishtë të llambave që vezullojnë poshtë mbi dyshemenë e mermertë porsi pika ari, duke i dhënë asaj një ngjyrim të trëndafiltë, sikur argjila që është bërë e tejdukshme; dhe lart, kurora tjetër e dritës së bardhë, me llambat ngjyrë perle, që muret dhe kolonadën i shndërrojnë në një mjegull të hirtë shumëngjyrëshe.
Dhe kjo rrotë rrotullohet, rrotullohet…
Njeriu nuk mund t’i rezistojë marramendjes; njeriu nuk mund t’i ikë rënies në vorbull. Se ajo që na shpalohet këtu, kur të zhytim veten në këtë rrymë, është eksodi i të gjithë popujve mbi tokë, ardhur këtu që të përtërijnë paktin e lidhur midis Ibrahimit dhe Zotit të tij.
“Lebbejke Allahumme lebbejk” “T’u përgjigja, o Zoti im”… “T’u përgjigja”
“T’u përgjigja Ty, që je një dhe i vetmi Zot. ”
Ata erdhën porsi forcë që shfaqet nga thellësitë e kohës, jemenasit që kanë zbritur nga malet e tyre, gjithashtu ata që janë lëshuar nga kulmi i botës, Himalajet; ata, shtëpia e të cilëve është stepa shkretinore e kozakëve, njerëzit e savanës, dhe qytetarët. Dhe sa dallojnë në ecje!
Ata erdhën. Këmbët e tyre formojnë një thupër të shumëfishtë, një lëvizje të vetme. Këtu çdokush bëhet fizikisht i vetëdijshëm se ai e ajo i takojnë një komuniteti të vetëm që është farkëtuar nga puna e miliona njerëzve të mbledhur këtu, midis gurëve dhe baltës, në shkretëtirë, në Arafat, në Muzdelife, në Mina, dhe që shkojnë në Mekë për t’u sjellë rreth Qabesë. Ata janë mbledhur së bashku në hijen e ndonjë plasaritjeje a shkrepi. Ata ndajnë vendin për pushim në ndonjë qilim për lutje. Ata kanë shuar etjen duke u futur në rresht para krojeve të Zem-zemit. Së paku gjatë periudhës së haxhit, të mëdhenjtë dhe të vegjlit e tokës përzihen, të përcëlluar nga dielli i njëjtë, ashtu që, në fund, në Mekë, nën dritën e hënës, kjo lule e vëllazërimit të mund të lulëzojë, kjo kurorë e mahnitshme me pistilin e saj të zi, Qabenë.
Ky është karakteri parësor i çdo xhamie të botës. Në zemrën e aq shumë qyteteve, nën qiej aq të ndryshëm, ato zgavrojnë këtë zbrazëti të brendshme. Sado madhështore arkitektura e tyre, oborret e tyre të brendshme, kolonat, harqet, kupolat, të gjitha janë të definuara si ngrehina vërtet islamike nga ana e cilësisë shpirtërore të boshllëkut që gdhendin ato në materie, dhe jo aspak nga dimensioni i jashtëm si ndërtesë.
Shumica e xhamive janë afërsisht të integruara më qytetet në të cilat gjenden, me pazaret dhe shtëpitë që ndonjëherë madje edhe mbështeten në muret e saj të jashtme. Nga Kajravani në Fes deri te Xhamia e së Premtes në Isfahan, xhamia është praktikisht “e padallueshme” nga jashtë. Kur të ktheni në kënd, pas ndonjë dyqani, në gjysmerrësirën e souk-ut, vini deri te ndonjë derë e bronztë ose te ndonjë portë e gurtë që ju fut në një hapësirë tjetërfare, në një zbrazëti të brendshme, ku besimtari gjen ambientin që i mundëson të arrijë një zbrazëti të ngjashme brenda vetes. Në këtë pushimore të qetësisë, në dritën apo hijen e xhamisë, larg nga zhurma dhe tollovia e rrugës së afërme, ai nuk dëgjon asgjë tjetër pos murmuritjes vëllazërore të besimtarëve të tjerë, dhe në mure sheh vetëm fjalët e njëjta hyjnore, të gdhendura apo të shkruara në mozaikë, që duken sikur rrinë pezull në zbrazëti nën veprimin e një forme unike të artit. Kjo qoshe e qetësisë mu në qendrën e jetës, është vendi ku myslimani rizbulon qendrën e vet dhe burimin e gjithë jetës, para së të kalojë edhe një herë pragun dhe të zhytet në rrëmujën e jetës, më forca të freskëta që e ndalojnë që të bartet nga rryma e dëshirave, instinkteve e zakoneve, nga rrjedha e botës, një forcë që i mundëson të kontrollojë veprimet e veta, çdonjëri prej të cilëve, prej transaksioneve më të thjeshta tregtare e deri tek aktet më fisnike të dashurisë a të sakrificës.
Ky është kuptimi origjinal i dialektikës midis plotësisë dhe zbrazëtisë; ai na jep çelësin për kuptimin e plotë të hapësirës së brendshme të arkitekturës së ndonjë xhamie.
Çdo stil i xhamive, kur Islami depërtoi posi një tharm jetëdhënës në vendet ku u zhvillua një qytetërim i lartë më tradita të fuqishme arkitekturale të vetat, bënte që të shprehej një dhe i vetmi besim në gjuhën e çdo kulture të veçantë. Secila mënyrë e zgavrimit të asaj zbrazëtie bënte që të shprehej dhe të shpallej një nuance tjetërfare e spiritualitetit islam.
Kuptimi i atakimit të energjisë spirituale që, duke filluar nga Qabeja, bën që fuqia e saj të ndihet deri në skajet më të largëta të botës islame, definohet në Kur’an: “Allahu e ka caktuar Qabenë shtëpi të shenjtë” (5: 97). Ky ishte tempulli i parë i ndërtuar për njerëzit (3: 96).
Ai e ka zanafillën nga Ademi në vetë fillet e njerëzimit, ku dimensioni i transhendencës dhe profecisë është i brendshëm. Ky tempull është ruajtur, pas përmbytjes, nga Nuhi, dhe pastaj është rindërtuar nga Ibrahimi, babai i besimit; përfundimisht u pastrua nga të gjitha idhujt nga ana e Muhamedit a.s..
Ishte kjo xhami nga e cila Muhamedi bëri udhëtimin e Israsë deri te “vendi i largët i adhurimit” (XVII, 1), në Jerusalem, në natën e vizionit të tij të qiellit. Qabeja dikton orientimin drejt saj të të gjitha lutjeve dhe të gjitha xhamive, prejse e shtroi shpallja kuranore se besimtaret duhet të kthehen, kur të luten, jo më drejt Jeruzalemit, po drejt Mekës, ku Ibrahimi dhe djali i tij ngritën Qabenë.
Kështu Qabeja përcakton, në pajtim më kërkesat e liturgjisë kozmike, funksionet e të gjitha vendeve të lutjes; në një mënyrë, ajo i krijon dhe u jep formën hapësirave të tyre.
Me ane të origjinës së saj hyjnore, Qabeja i kujton njeriut njëshmërinë e Zotit dhe të gjithë realitetit, shembullin e dhënë nga Ibrahimi mbi varësinë ndaj Zotit, përgjigjen për thirrjen e tij, kuptimin e “shenjave” të Tij, flijimin e pakusht për arritjen e qëllimit hyjnor dhe nevojën që njeriu të pastrojë vetveten nga idhujtaria.
Ishte në bazë të kërkesave të besimit që planet e ndërtimit të xhamive u shtruan.
Shtëpia e thjeshtë e Profetit në Medine ishte prototip. Në pikën ku profeti nguli heshtën e vet, duke treguar drejt Mekës, të gjitha mihrabet e botës do të ndërtoheshin. Mihrabi është një qoshe boshe, pa figura e statuja, qëllimi i të cilit është që të na bëjë të “kujtojmë” Zotin, të Padukshmin. Vetëm mbishkrimi i një vargu nga Kur’ani, që na kujton së nuk ka zot tjetër pos Allahut, rri pezull në zbrazëtirë. Këtu është fjala e Zotit e shkruar a e skalitur në dru, gur, pllaka porcelani apo ndonjë mozaik, që zëvendëson çdo lloj ikone si mjet për të evokuar praninë hyjnore.
Para murit të kibles së ndërtuar në kënde të drejta në drejtim të Mekës, adhuruesit rendohen krah për krah, duke i dhënë formën e plotë. Në dallim nga kisha që është e dizenjuar për së gjati, posi shtrati i ndonjë lumi, duke treguar rrugën që duhet të ndjekë ndonjë procesion, xhamia i hap krahët në gjerësi, ashtu që numri më i madh i besimtarëve, duke qëndruar skaj njëri-tjetrit, të mund të gjenden në rreshtin e parë, me të tjerët duke qëndruar prapa tyre, në valë të njëpasnjëshme, në oborrin qendror apo në hijen e galerive të bëra nga kallamet dhe gjethet e thurura, të mbështetura nga trungjet e palmave. I këtillë duhej të ishte, në mijëra ndryshime e variante, plani themelor i të gjitha xhamive myslimane: një oborr i brendshëm rreth një fontane për pastrim, ndonjëherë me kanale që paraqesin lumenjtë e parajsës, të përmendur në Kur’an, me drunj portokalli, si në Kordovë, me palma dhe drunj shege, ose vetëm me tokë të zhveshur.
Xhamia është një hapësirë e kufizuar, që merr orientimin nga muri i kibles dhe nga mihrabi i saj, që tregon drejtimin e Mekës. Katedra dhe shkallaret që çojnë tek ajo (minberi), riprodhojnë, në shkallë të ndryshme të shkëlqimit, platformën prej së cilës Profeti u drejtohej besimtarëve; dhe prej këtu, ditën e xhumasë, imami mban predikimin e vet (hytben).
Medina dhe xhamia e saj duket se u ndërtuan përreth varrit të Profetit, saktësisht aty ku shtëpia e tij siguronte planin për xhami të panumërta. Kolonat e larta, të kuqe, në bazat e tyre të mermerit të bardhë, të veshura me ar dhe ahat, përhapin një vezullim flakërues derisa njeriu i afrohet mihrabit dhe varrit të Profetit, që është i mbrojtur nga idhujtaria me anë të pahisoreve metalike.
Në pjesën e parë të sallës së lutjeve, para oborrit, boshtet e shtyllave ngjiten si drunj të gjelbër ose si çurga uji në ndonjë preri, në një kalim nga natyrorja në mbinatyroren, duke pasqyruar rrugën e njeriut drejt transhendencës.
Turma të mëdha mblidhen për lutje nen dritat që ndizen, posi yjet, në shandelierët e kristaltë. Ata luten më shpresë e zjarr, këtu ose jashtë xhamisë, në sallën e madhe që i ngjan deri diku ndonjë tregu të mbuluar, apo edhe të hapur.
Ky det i qenieve njerëzore kurrë nuk është shterur. Nëpër shekuj, ata kanë ardhur në valë të mëdha nëpër “Derën e shpëtimit (Babus Selam)”, duke recituar “Bismillahirr rrahmanirr rrahim” (Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit). Haxhiu ecën përpara, duke recituar një lutje në secilin vend-ndalim, derisa të arrijë te hapësira në mes të varrit të Profetit dhe minberit mbi të cilin e kishte zakon të ulej përderisa predikonte. Midis jetës dhe ringjalljes. Lajmëtari i Zotit tha për këtë hapësirë: “Midis shtëpisë sime (që tani është varri i tij) dhe minberit tim shtrihet një kopsht i parajsës.”
Kolonat ose shtyllat kanë zëvendësuar trungjet e palmave; tavanet me trarë tiku ose me harqe të gurta a prej tullave kanë zëvendësuar hijen e fletëve të palmave në një shumëzim të pafund të gotullave dhe harqeve; qilimat dhe sixhadet me ngjyra të çelura kanë zëvendësuar tokën e rrahur. Por diseni bazik i këtij vendi të lutjes mbetet zbrazëtira, boshllëku në mes të jetës së përditshme, ku njeriu mund të “kujtojë” më thellë marrëdhënien e vet me Zotin, praninë e Zotit që vigjilon mbi veprat e tij, ashtu si vigjilon mbi ngjarjet dhe gjërat e fytyrat e njerëzve të tjerë, dhe në Fjalën e Librit. Janë të gjitha këto “shenjat” që formojnë gjuhën që Zoti flet me të. Zoti flet me të në çdo moment të jetës së tij, vetëm nëse ai i kushton vëmendjen dhe e ushtron veten që të shohë, të dëgjojë dhe të kuptojë.
Nga shkretëtira dhe nga kubi i thjeshtë i gurtë në atë qytet të vogël, që njëherë ishte vetëm se udhëkryq i rrugëve të karvanëve, Islami që nuk do të thotë armatë e kalorësve të panumërt (që Arabia nuk i kishte), po besim dhe gjuhë depërtoi dhe dominoi, brenda gjysmë shekulli, në qendrat më të vjetra të qytetërimit njerëzor: Mesopotaminë dhe gjithë perandorinë sasanide, Egjiptin, trashëgiminë greko-romake të Bizantit, prej Sirisë e deri në Afrikën Veriore, si dhe Spanjën.
Njeriu nuk mund të kuptojë një zgjerim aq të madh në kuptimin e pushtimit ushtarak. Ai mund të jetë vetëm ajo që sot e quajmë “revolucion kulturor”, me fjalë të tjera një ndryshim historik, duke krijuar një hapësirë myslimane më të madhe së cilado perandori deri atëherë e njohur, ajo e Darit, e Aleksandrit a e Romës.
Uniteti i besimit, i shprehur përmes një shumëllojshmërie të kulturave: ky është mesazhi i Islamit, i cili mund të shquhet përmes hapësirave të xhamive të saj.
Arkitektura islame, e lindur pas më pak se një shekull nga hixhreti, integroi në pikëpamjet e saj mbi botën kontributet e bëra nga grekët, romakët, persët dhe bizantinët, duke shkaktuar një ndryshim radikal në frymën që i ka frymëzuar ata. Një arkitekturë plotësisht arabe krijoi një hapësirë të re për lutje duke huazuar për xhamitë e saj plot shtylla, elementë nga arti grek, që ishte egjiptian në origjinë dhe që u shndërrua në romak në dekadencën e tij. Në sintezën e re ku u integruan këto kolona, gjeti shprehjen një vizion i ri i jetës së njeriut.
Përktheu: Armend Gruda