PRISHTINË (AA) – Pas pritjes solemne në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës Princi Charles i Uellsit dhe Dukesha Camilla nga Cornwall, morën pjesë në koktejin solemn të mirëseardhjes, të organizuar sonte, nga Ambasada Britanike në Prishtinë, në hotelin ekskluziv Swiss Diamond, raporton Anadolu Agency (AA).
Aty, çifti mbretëror i Mbretërisë së Bashkuar u takua me krerët më të lartë shtetëror dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve dhe subjekteve politike në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medieve kosovare.
Fillimisht, Prince Charles takoi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidentin e ardhshëm të Kosovës, Hashim Thaçin, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin. Më pas, ai u njoftua dhe përshëndet me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, liderin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin, kryetarin e Aleancës së Ardhmërisë së Kosvës, Ramush Haradinajn, Jakup Krasniqin nga Nisma për Kosovën, Duda Balje nga partia boshnjake VAKAT, si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, çifti mbretëror do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh për të festuar pajtimin dhe dialogun ndërfetar, si dhe përpjekjet e njerëzve nga Kosova dhe Britania për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Nesër, Princi Charles dhe Dukesha Camilla të shoqëruar nga Presidentja Jahjaga do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore për të pagjeturit e luftës, me ç’rast do të vendosin lule në Memorialin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në Prishtinë.
Më pas, Dukesha e Cornwall dhe Presidentja Jahjaga do të takohen me të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga vet Presidentja.
Ndërkohë, Dukesha Camilla do të vizitojë edhe organizatën joqeveritare Ideas Partnership në Fushë Kosovë e cila punon me grupet e margjinalizuara, për të parë se si janë duke u ndihmuar ato, përmes fuqizimit arsimor dhe ekonomik.
Ndërsa, Princi i Uellsit do ta vizitojë Prizrenin ku do të marrë pjesë në konferencën ndërfetare të organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, prej nga do kthehet në Prishtinë, për të marr pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës për të përkujtuar personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që kanë humbur jetët e tyre gjatë shërbimit të tyre në Kosovë. Kjo ceremoni do të mbahet në Shtabin Kryesor të KFOR-it në ‘Film City’. Me përfundimin e vizitës në Kosovë, Princi Charles dhe Dukesha Camilla përfundojnë turneun e tyre gjashtë ditor në shtetet e Ballkanit.
Për Princin Charles, kjo është vizita e dytë në Kosovë, pas asaj në vitin 1999, menjëherë pas luftës, ndërsa për Dukeshën Camilla është hera e parë që do ta vizitojë shtetin më të ri në Evropë. Shikuar në përgjithësi, Princi i Uellsit deri tash ka vizituar tetë herë Ballkanin Perëndimor, ndërsa Dukesha e Cornwall për herë të parë vizitoi Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, pasi që ajo një herë kishte vizituar Bosnjë e Hercegovinën në vitin 2007.