Profesori gjerman: Serbia ta kuptojë që Kosova është e humbur, të mos flirtojë me Rusinë

Porosia e ministrit shtetëror në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, se Serbia duhet paraprakisht t’i qartësojë raportet me Kosovën, e më pas të kërkojë anëtarësimin në BE, sikurse edhe porosia tjetër që Serbia duhet të shkëputet nga ideja për t’ju bashkuar Rusisë, ka nxitur debate të shumta në shtetin serb.
Në një bisedë me të përditshmen serbe “Danas”, i dërguari i partisë Socialdemorkate gjermane në Bundestag, Josip Juratoviq, ka thënë se BE-ja duhet parë, jo vetëm si union i interesit ekonomik, por edhe union i cili duhet të ketë interes të përbashkët për mbrojtjen e vlerave demokratike, transmeton Koha.net.

Sipas tij, vetëm një BE e tillë mund të mbajë stabilitetin e saj afatgjatë.

Franz-Lothar Altmann, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, ka vlerësuar se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, “në të kaluarën e afërt, shumë shpesh ka flirtuar me Moskën, duke kritikuar dhe gjykuar Brukselin apo Berlinin, e duke thënë se mikja e vërtetë e Serbisë është vetëm Rusia, gjë që e ka irrituar BE-në, ndërsa në të njëjtën kohë kur Vuçiq ishte në Berlin, deklaronte se ardhmja e Serbisë është në mënyrë të qartë në BE”.

“Daçiq duhet ta kuptojë se Kosova është e humbur, ndërsa shfrytëzimi i përkrahjes së Moskës në lidhje me çështjen e statusit të Kosovës si argument të vetëm se duhet mbështetur tek Rusia e t’i rezistohet BE-së, është absurd. Në fakt, në perëndim ekziston një pikëpamje mbizotëruese se Daçiq më shumë do të kishte dëshirë që Rusia të jetë partneri i parë i Serbisë, e jo BE-ja, ndërsa vetë ai duhet të pyes veten se pse ekziston kjo përshtypje”, konstatoi Altmann.

Artikulli paraprakLubonja: Kandidatët në Dibër figurantë, loja u bë nga të fortët
Artikulli vijuesVujiçiq: Edhe nëse nuk miratohet demarkacioni, shqiptarët e malazezët mbesin miq