Projektligji për FSK-në, Qeveria ka afat edhe nëntë ditë që ta procedojë në Kuvend

0
183

Kanë mbetur edhe nëntë ditë nga afati kohor prej 30 ditësh që Qeveria e Kosovës ta procedojë Projektligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kuvend.

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka proceduar këtë projektligj edhe pse ministritë përkatëse e kanë dhënë dritën e gjelbër për më tutje.

Zyra për media e Ministrisë së Integrimit Evropian ditë më parë ka sqaruar për Telegrafin se Projektligji për FSK-në nuk e cenon legjislacionin e BE-së.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ditë më parë ka thënë për Telegrafin se buxheti reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet kurrfarë pengese për transformimin në ushtri.

Dritën e gjelbër e ka dhënë edhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, i cili tashmë e ka dhënë mendimin pozitiv për Projektligjin për FSK-në.

Por, burime të Telegrafit bëjnë të ditur se nëse Qeveria nuk jep mendim ose nuk e procedon Projektligjin për FSK-në brenda afatit 30 ditësh prej kur i është dorëzuar, atëherë Kryesia e Kuvendit është ajo që vendos lidhur me ‘fatin’ e këtij Projektligji.

“Nëse nuk jep mendim pas 30 ditësh, atëherë do të vendos Kryesia e Kuvendit nëse procedohet për votim ose jo. Qeveria nuk mund ta ndaloj. Qeveria vetëm mundet me dhënë mendim pozitiv – negativ ose mos me dhënë mendim hiç”, bëjnë të ditur burimet për Telegrafin.

Po ashtu Telegrafi ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me procedimin e Projektligjit për FSK-në në Kuvend, por zëdhënësi Faton Abdullahu nuk ka kthyer përgjigje.

Ndryshe, Projektligj për FSK-në nga presidenti Hashim Thaçi është dërguar në Kuvend më datë 7 mars, ndërsa Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka proceduar për mendim në Qeveri më 8 mars.