Pse mediat nuk e raportuan mjaftueshëm vrasjen e tre të rinjve myslimanë?!

Një familje e tre myslimanëve të rinj janë qëlluar për vdekje në shtëpinë e tyre në një lagje të qetë në Karolinën Veriore në SHBA. Lidhur me vrasjen e tyre ka pasur reagime të shumta. Por ka pasur edhe kritika për mbulimin e ngjarjes nga mediat ndërkombëtare, duke u shtruar pyetje të shumta.

Ndër pyetjet e shtruara në këtë aspekt janë edhe Mos ndoshta jetët e myslimanëve nuk çojnë peshë?

Pyetje të tilla ka bërë edhe Sabbiyah Pervez, e diplomuar për politikë dhe filozofi, në një publikim të bërë në britaniken “The independent”, të cilin e sjell Telegrafi.

Derisa po i bëja gati fëmijët për shkollë këtë mëngjes, dëgjova zilen e telefonit. U ndala dhe pashë në televizion fjalët “Myslimanët qëllohen për vdekje në Chapel Hill”. U shtanga, dhe ndjeva një shtrëngim në shpinën time.

Vrapova për të parë në Twitter nëse kishe diçka më tepër. Kush ishin këta tre njerëz? Pse u vranë ata? A jemi në pikën ku myslimanët nuk janë të sigurt në shtëpitë e tyre? Apo mos ndoshta ishte një sulm i rëndomë? Shpresoja të ishte kjo e fundit.

Sulmi ka mundur të ndodhte rreth orës 10 pasdite në Britani të Madhe. Kur ngjarje të tilla ndodhin në këtë kohë, mediat britanike vetëm se janë duke i dërguar edicionet e tyre në shtyp, por gjithashtu ka të tillë, që monitorojnë ngjarjet në botë, përderisa gjithkush tjetër është duke fjetur.

Vetëm një pjesë e vogël e mediave, si Al-Jazeera, AP, si dhe The Independent, ishin duke mbuluar ngjarjen në kohën që unë dëgjova lajmin.

Në të njëjtën kohë, shumë nga to nuk po e mbulonin atë dhe shumë njerëz janë të nervozuar. Mos ndoshta jetët e myslimanëve nuk çojnë peshë?, pyesin ata. Mos gjaku ynë është i lirë? Pse nuk ka mbulim të njëjtë të ngjarjes kur krimi bëhet kundër nesh?

Tri viktimat ishin 23 vjeçari Deah Shaddy Barakat, gruaja e tij, Yusor Mohammad, 21, si dhe motra e saj, Razan Mohammad Abu-Salha, 19.

Një tifoz i futbollit amerikan dhe basketbollit, Barakat, besohet të ketë qenë student i Stomatologjisë në Universitetin e Karolinës Veriore dhe vullnetar me një organizatë që ofronte kujdes emergjent të dhëmbëve, për fëmijët në Palestinë. Njëra nga vajzat ishte një femër e interesuar për fotografi dhe art.

Viktimat ishin të rinj të moshës sime, të gatshëm për të shpërthyer në jetën e tyre. Me sa kuptova në mesazhet e ngushëllimeve, ata ishin tërësisht të integruar me komunitetin e tyre.

Ata ishin njerëz të mëshirshëm: Postimi i Deahs në Facebook ishte ofrimi falas i mbështetjes dentale dhe ushqimit për njerëzit e pastrehë.

Shtrohet pyetja, nëse kjo është e vërtetë, a merituan këta më shumë vëmendje? Ju nuk keni nevojë të jeni mysliman për të ndjerë keqardhje për vrasjen e tyre. Ju duhet të jeni vetëm njeri.

Dhe kjo është ajo që dua të shpreh për fund – se sa më shumë rritet lufta ndaj terrorizmit, dhe sulmet terroriste vazhdojnë të shfaqen nëpër botë, myslimanët, më shumë se kurrë, i ndjejnë pasojat.

Ne kolektivisht kemi qenë të fajësuar, kemi qenë kurban dhe të sulmuar, sepse nuk kemi bërë mjaftueshëm.

Duke bërë një gjë të tillë, ne kemi harruar faktin se urrejtja sjell urrejtjen. Sa më shumë që ju e “njollosni” një komunitet si të huaj, si kërcënim, ju rrezikoni për ta dehumanizuar atë. Dhe kjo ka ndodhur edhe në rastet kur ata janë vrarë – nuk u është dhënë e njëjta vëmendje të cilën do tua jepnim viktimave tjera të terrorit.

Që të ndalojmë këtë të ndodhë përsëri, na duhet të bëjmë një hap mbrapa dhe të kemi parasysh se terrori, çfarëdo qoftë ai, është i patolerueshëm, se ne jemi njerëz me të njëjta aspirate dhe shqetësime. Andaj, duhet të bashkohemi të gjithë kundër çdo terrori, pavarësisht se nga kush orekstrohet ai. /Telegrafi/

Artikulli paraprakA përfundoi fluksi i madh i emigrimit? – Gjermania merr nën kontroll kufirin Hungari-Serbi
Artikulli vijuesThaçi, përdori prokurorinë që t'i kërkoi YouTube heqjen e aferës PRONTO