Thaçi, përdori prokurorinë që t'i kërkoi YouTube heqjen e aferës PRONTO

0
255

Një raport transparence nga Google, që përmban të dhëna mbi kërkesat e qeverisë për informacionin e përdoruesit dhe kërkesa për heqjen e materialit nga interneti, thotë se gjiganti amerikan i internetit mori katër kërkesa nga qeveria e Kosovës për heqjen e përmbajtjeve.

 

“Ne morëm një kërkesë nga një agjenci lokale e zbatimit të ligjit për heqjen e pesë videove YouTube-i që pretendohej se shkelnin privatësinë e politikanëve,  prej zbulimit të bisedave të regjistruara,” thotë raporti i Google, duke shtuar se nuk e hoqi materialin.

 

Kërkesa, e bërë nga korriku në dhjetor 2012, i referohet përgjimeve të postuara në YouTube, që zbulonin betejën për pushtet të ndezur brenda Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, e drejtuar prej Hashim Thaçit.

 

Në regjistrime, të cilat PDK-ja ka thënë gjithnjë se janë false, Thaçi shfaqet një lider shumë i dyshimtë, në përpjekje për të rivendosur kontrollin mbi rangjet e copëtuara të partisë, ndërsa liderë të ndryshëm të PDK-së përdorin gjuhë vulgare për të përshkruar njëri-tjetrin.

 

PDK-ja në atë kohë i denoncoi regjistrimet si false dhe i bëri thirrje misionit të sundimit të ligjit të Bashkimit Europian, EULEX, të investigojë në atë që e quajti ‘përgjim i stisur’. EULEX e dënoi siç duhej nxjerrjen e regjistrimeve, por nuk kundërshtoi autenticitetin e tyre.

 

“EULEX shpreh keqardhjen që përgjimet telefonike përfunduan në publik,” deklaroi ai.

 

Kërkesa e dytë nga Kosova për Google për heqjen e materialit erdhi në periudhën mes korrikut dhe dhjetorit 2013, kur zbatimi i ligjit kërkoi heqjen e dy videove të YouTube që tregonin grindje mes të miturve”.

 

Google thotë se i kishte hequr videot përpara se të mbërrinte kërkesa sepse ato shkelnin udhëzimet e komunitetit.

 

Gjiganti i kërkimit nuk ofroi detaje për dy kërkesat e tjera që mori nga Kosova por specifikon se në total i ishte kërkuar të hiqte 12 artikuj.

 

Kosova nuk është i vetmi vend në rajon që i ka kërkuar Google të heqë materiale nga interneti.

 

Bosnje-Hercegovina paraqiti një kërkesë për heqjen e një posti logu që e quajti shpifës. Maqedonia bëri dy kërkesa në 2012 për heqjen e videove në YouTube, njëra që citonte shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe tjetra për çështje privatësie.

 

Kroacia bëri dy kërkesa, njëra në 2010 dhe tjetra në 2012, bazuar në shpifjen dhe të drejtën e autorit. Bullgaria gjithashtu ka bërë dy kërkesa dhe Serbia vetëm një.

 

Lideri rajonal në kuptimin e kërkesave për heqjen e materialeve nga Google është Rumania, që ka bërë tetë kërkesa, më shumë se çdo vend tjetër i rajonit.

 

Përveç kërkesave për heqjen e materialit, agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Europën Juglindore gjithashtu kërkuan të dhënat e llogarisë së përdoruesit nga Google, me shumicën e kërkesave që vinin përsëri nga Rumania.

 

Në 2013 dhe 2014 Rumania paraqiti 36 kërkesa për informacion nga Google duke kërkuar të dhëna për 89 llogari përdoruesish. Të tjera vende që paraqitën kërkesa janë Shqipëria, Kroacia, Kosova dhe Bullgaria.

 

Nëse kërkesat për heqjen e materialit paraqiten direkte te Google, kërkesat për të dhënat e përdoruesve duhet të bëhen përmes ambasadave amerikane dhe departamentit amerikan të drejtësisë përmes kërkesave të përbashkëta për asistencë ligjore./BIRN