Adam Taylor
Nga fundi i këtij viti, Nënë Tereza do të bëhet shenjtore. Misionarja e ndjerë katolike, e cila u bë një ikonë ndërkombëtare për punën e saj bamirëse do të kanonizohet, vlerësimi më i madh i kishës katolike, më 4 shtator, sipas deklaratës së papa Françeskut të mërkurën. Mes adhuruesve të shumtë të Nënë Terezës – shumica e të cilëve e shikonin kanonizimin e saj si të pashmangshëm e madje të vonuar – lajmi u prit me festime. Megjithatë, ai do t’i hedhë më shumë benzinë debatit të hidhur rreth veprimtarisë së saj bamirëse dhe natyrës së trashëgimisë së saj.
Në Indi, ku Tereza kreu shumicën e punës së saj, trashëgimia e saj u vendos në dyshim vitin e kaluar, kur kreu i grupit hindu Rashtriya Swayamsevak Sangh (RSS) nxiti zemërim kur kritikoi qëllimet e saj. “Është mirë të punosh për një kauzë me qëllime vetëmohuese, por vepra e Nënë Terezës kishte qëllime të fshehta, që ishte konvertimi në katolicizëm i personit që i shërbehet ” – tha kreu i RSS, Mohan Bhagwat, në përurimin e një jetimoreje në shtetin e Rajasthan-it në shkurt 2015, raportoi Times of India. “Në emër të shërbimit u bënë konvertime fetare. Kjo u pasua dhe nga institute të tjera”.
Komentet e tij shkaktuan furtunë mes politikanëve të opozitës, të zemëruar nga fakti që një grua që kishte fituar çmimin Nobel për Paqe për punën e saj në Indi mund të kishte pasur motive të fshehta. Zyrtari i Partisë Kongresiste indiane Rajiv Shukla bëri thirrje që të kërkohej falje, dhe kryeministri i ri Delhit, Arvind Kejriwal, tha se Tereza ishte një shpirt fisnik dhe i kërkoi RSS të mos e sulmonte.
Kundërshitë që rrethojnë Nënë Terezën, që vdiq më 1997, nuk janë të reja. Ajo fitoi reputacion shenjtoreje për ndihmën që u dha më të varfërve mes të varfërve të Kalkutës, megjithatë imazhi i saj u godit nga dyshimet e vazhdueshme për keqpërdorim fondesh, trajtim mjekësor të dobët dhe evangjelizëm fetar në institucionet që ajo themeloi. Në kritikën e tij për Terezën, të përkushtuarit Hindu Bhagwat gjetën një aleat të pabesueshëm në veprën e një ateisti të përkushtuar, Christopher Hitchens. Shkrimtari britanik i ndjerë u bë një nga zërat më kritikë ndaj Terezës në vitet 1990, duke ia bashkangjitur reputacionin e tij sulmeve ndaj një gruaje që asokohe ishte një figurë e pasulmueshme.
Më 1994, Hitchens dhe gazetari pakistanezo-britanik Tariq Ali shkruan një dokumentar jashtëzakonisht kritik për Nënë Terezën të titulluar “Engjëlli i Ferrit”. Dokumentari, i cili u mbështet shumë në material nga Aroup Chatterjee, një shkrimtar britanik i lindur në Indi, që kishte punuar pak kohë në një nga shtëpitë bamirëse të Nënë Terezës, listoi një katalog me kritika kundër saj. Ai gjeti gabime në kushtet e godinave e Misionarëve Bamirës në Kalkuta, të cilat një gazetar i krahasoi me fotografitë që kishte parë nga kampi nazist i përqendrimit në Gjermani, Bergen-Belsen, dhe Hitchens shkroi kundër atij që ai e quante “kult i vdekjes dhe vuajtjes”.
Dokumentari mbronte dhe idenë që Tereza ishte “aleate e status quo-së”, duke vënë theksin te figura të dyshimta në gjithë botën, më i shquari diktatori haitian Jean-Claude Duvalier dhe financieri amerikan i përfshirë në skandale Charles Keating. “Ajo mund t’i ketë shëruar ose je të vobektit, por ajo nuk është njohur kurrë të ketë infektuar të pasurit”, shpjegoi Hitchens.
“Engjëlli i Ferrit” shpërtheu një debat ndërkombëtar, dhe Hitchens e shoqëroi atë me një pamflet, fatkeqësisht të titulluar “Pozicioni i misionares”, që përsëriti dhe zgjeroi kritikat e tij. Siç u shpreh Bruno Maddox në një recencë për The New York Times, Hitchens arriti në përfundimin që Nënë Tereza ishte “më pak e interesuar të varfrit dhe më shumë t’i përdorte si një burim i vazhdueshëm mjerimi me anë të të cilit të zgjeronte besimin e saj katolik fundamentalist”.
Kritika e Hitchens për Nënë Terezën mund të paraqitet si polemike, por nuk është e vetmja. Revista mjekësore britanike Lancet botoi një artikull kritik për kujdesin në mjediset e Nënë Terezës më 1994, dhe një studim akademik kanadez i para dy viteve gjeti të meta në “mënyrën e saj të dyshimtë të kujdesjes për të sëmurët, kontaktet politike të dyshimta të saj, menaxhimin e dyshimtë të shumave të mëdha të parave që merrte, dhe pikëpamjet e saj tejet dogmatike në lidhje, sidomos, me abortin, kontraceptivët dhe divorcin”. Shumë burime thonë që murgeshat e Terezës pagëzonin të vdekurit dhe ishin të njohura për konvertime. Chatterjee botoi gjithashtu një libër shumë kritik për Nënë Terezën më 2003.
Shumë nga mbështetësit e Nënë Terezës i hedhin poshtë këto pretendime, por ato ekzistojnë dhe debatohen vazhdimisht. Megjithatë, ato nuk e kanë vonuar ose pezulluar rrugën e saj drejt shenjtërimit. “Ajo ndërtoi një perandori bamirësie”, tha për agjencinë Associated Press, prifti Bernardo Cervellera, redaktor i agjencisë së lajmeve Asia News, e afërt me Vatikanin kur u hap lajmi për kanonizimin e saj. “Ajo nuk kishte plane të pushtonte botën. Ideja e saj ishte t’i bindej Zotit”.