Pse nuk duhet të mbani të hapura më tepër se 9 tab-e në shfletues?

Shpeshherë njerëzit ankohen për faktin se shfletuesi i tyre është shumë i ngadaltë ose jo i qëndrueshëm.

Është shumë e thjeshtë të fajësojmë zhvilluesit për mënyrën e programimit të tyre në aspektin e menaxhimit të kujtesës, por të mos harrojmë edhe një fakt të rëndësishëm: një pjesë e madhe e njerëzve duan patjetër të mbajnë të hapura në të njëjtën kohë shumë faqe përmes tab-eve, brenda shfletuesit. Kjo është jo vetëm një praktikë joproduktive por edhe e pakuptimtë, të cilën duhet të përpiqemi ta mënjanojmë sa më tepër të jetë e mundur.

Të hapësh shumë tab-e në të njëjtën kohë, pavarësisht se ku po punon, në Chrome, Firefox, Internet Explorer, Safari apo Opera, do të thotë se sistemi detyrimisht do të ngadalësohet dhe si rrjedhojë e kësaj, edhe shfletuesi do të bllokohet, duke prishur gjithë mjedisin tuaj të punës.

Ka të paktën katër arsye se përse nuk duhet të hapim shumë tab-e në të njëjtën kohë:

1. Në fund të fundit, nuk do të arrini të shihni se çfarë përmban secili prej tyre. Kur arrihet një numër i caktuar tab-esh të hapura (mbi 9), e vetmja gjë që mund të shihni janë ikonat.

2. Historia e shfletuesit është zgjidhje më e mirë. Zakonisht, një pjesë të madhe të tab-eve i mbajmë të hapura pasi kemi gjetur një artikull apo faqe interesante dhe duam ta shohim më vonë. Por mos harroni që nuk ka nevojë, sepse nuk do ta humbisni faqen edhe nese nuk e mbani të hapur. Për këtë qëllim është ndërtuar historia e shfletuesit, e cila është për më tepër më efiçente.

3. Nuk arrini dot të përpunoni aq shumë informacion. Të kesh shumë tab-e të hapura, shpeshherë do të thotë të kalosh nga njëra tek tjetra, proçes ky që vlerësohet si jo efektiv pasi shumica e njerëzve nuk janë multitasking.

4. Shumë shkurtime nga tastiera (shortcuts) dalin jashtë përdorimit. Nëse përdorni CTRL+1 për të kaluar në faqen e parë, CTRL+2 për të kaluar në faqen e dytë e kështu me rradhe deri tek 9, çfarë do të ndodhë pasi të hapni më tepër tab-e se 9? (Control-9 kalon gjithmonë në tab-in e fundit, pavarësisht se sa të tilla keni të hapura). (PCWorld Albanian)/kohaislame

Artikulli paraprakProtesta kundër pavarësisë së Kosovës në Varshavë dhe Pragë
Artikulli vijuesJeremiq pretendon postin e Ban Ki moonit