Pseudokisha duhet hequr

Tashmë ka një konsensus politik dhe juridik në Kosovë që ligjet e miratuara gjatë periudhës së regjimit supremacist serb të Milosheviçit në vitet 1989-1999 janë ligje diskriminuese dhe degraduese për shqiptarët, dhe në Kosovë ka një vendim për t’i shfuqizuar ligjet diskriminuese të miratuara gjatë kësaj periudhe.

Pas heqjes së Autonomisë për Kosovën, Parlamenti serb nën udhëheqjen e qeverisë së Milosheviçit kaloi një numër ligjesh të cilat kishin për synim jo vetëm shtypjen e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi duke mohuar liritë dhe të drejtat bazë politike, por edhe varfërimin dhe shfrytëzimin ekonomik përmes shpronësimeve të dhunshme të pronës private të familjeve shqiptare dhe pronës publike. I tillë është rasti i pseudokishës të ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës (UP).

Parcela mbi të cilën është ndërtuar pa leje pseudokisha në Kampusin e UP-së i është dhënë Kishës Ortodokse Serbe nga qeveria e Milosheviçit nëpërmjet të ashtuquajturave “kontrata të dhurimit” në vitin 1991, duke zaptuar hapësirën publike të UP-së dhe duke e tjetërsuar titullin e pronës mbi parcelat e kampusit universitar. Kisha Ortodokse Serbe është një institucion i pandashëm nga projekti kolonizator i shtetit të Serbisë, dhe është e qartë pse është bërë ky tjetërsim i pronës në atë periudhë. Duke patur një veprimtari transnacionale në rajon, duke mos e kufizuar aktivitetin e saj vetëm brenda Serbisë, Kisha Ortodokse Serbe në fakt historikisht dhe aktualisht shërben si instrumenti hegjemonik kultoror i fashizmit të Serbisë në rajon. Pseudokisha fashiste në mes të Prishtinës duhet hequr pikërisht për të ndalur planet e sotme të Serbisë në Kosovë.

Para se të shkojmë te zgjidhja konkrete duhen bërë disa sqarime. Së pari, duhet bërë e qartë se pseudokisha është ndërtuar me beton arme gjatë viteve 90-të dhe nuk ka asnjë vlerë të trashëgimisë kulturore sa i përket materialit dhe teknikave të ndërtimit – dhe në fakt pseudokisha nuk gëzon asnjë status mbrojtjeje. Së dyti, pseudokisha nuk është përdorur kurrë dhe gjithashtu nuk përbën asnjë lloj vlere të trashëgimise shpirtërore për askënd. Së treti, shumica e shqiptarëve, dhe jo vetëm, bien dakord që ky objekt është simbol i aparteidid të Serbisë. Së katërti, pseudokisha është ndëruar pa leje ndërtimi. Së pesti, ky objekt që nuk përmban asnjë vlerë emancipuese për Kosovën dhe njerëzimin, ka zaptuar fizikisht hapësirën e UP-së. Së fundmi, të 5 argumentet e sipërpërmendura nuk e kanë ndalur përpjekjen e Kishës Ortodokse të Serbisë dhe të përfaqësuesëve të Listës “Srpska” në qeverinë e Kosovës që të përpiqen ta funksionalizojnë këtë pseudokishë këtë javë.

Pseuodokisha duhet hequr sepse është e jashtëligjshem, zaptuese, dhe përbën një rrezik imediat. Qeveria e kriminalizuar e Kosovës nuk po ndërmerr asnjë masë për ta ndalur funksionalizimin e pseudokishës nga Lista “Srpska” dhe Kisha Ortodokse e Serbisë, e cila vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta konsiderojë Milosheviçin si hero. Plani i Listës “Srpska” dhe i Kishës Ortodokse të Serbisë është që çdo të diel në këtë pseudokishë të mbajnë nga një meshë, me tej aty të kremtohen edhe festat fetare dhe gradualisht ta kthejnë këtë objekt të fazhismit të Serbisë në pronë të tyre të legjitimuar dhe funksionale mu në mes të Prishtinës. Për ta ndihmuar këtë plan, Qeveria e kriminalizuar e Kosovës, përmes policisë së Kosovës, sot arrestoi 8 studentë në aksionin simbolik të dhjetra studentëve të mbldhur sot me qëllimin për të vendosur një pano shpjeguese në hyrje të pseudokishës që tregonte se si ky objekt është ndërtuar nga Milosheviçi për të vulosur aperteidin në Kosovë.

Për ndonjë që mund të ketë hallin se mos duke e hequr këtë pseudokishë, hiqet diçka edhe nga memoria kolektive e popullit tonë, i themi se ka zgjidhje konkrete për këtë shqetësim duke hequr pseudokishën dhe duke ruajtur memorien. Memoria kolektive mbi aparteidin që simbolizon kjo pseudokishë mund të ruhet shumë lehtë edhe pas heqjes së saj. Mjafton të ndërtohet dhe projektohet imazhi i një modeli tre dimensional të kësaj pseudokishe në hapësirën ku ajo gjendet sot. Një zgjidhje e tillë do të lironte edhe hapësirën aktualisht të zaptuar nga ky objekt simbol i fashizmit të Serbisë, dhe do të ruante nga perspektiva pamore edhe atë që quhet memorie kolektive. Zgjidhje të tilla ka në qytete të ndryshme të botës, dhe për më tepër edhe nuk janë të shtrenjta.

Shqipëtarët janë krenarë për mirëkuptimin fetar që ata kanë për bashkëjetesen mes islamit, katolicizmit dhe ortodoksisë. Pseudokisha duhet hequr jo sepse ne kemi urrejtje fetare, por sepse ne urrejmë fashizmin që ajo simbolizon dhe të cilit i hap derën. Ata që janë të shqetësuar se mos duke hequr këtë simbol fazhizmi ne prekim edhe memorien kolektive të popullit tonë, duhet të vetëdijësohen sa më parë mbi faktin se arsyeja që e mban në këmbë objektin e kësaj pseudokishe në mes të kampusit të UP-së nuk është ruajtja e memories kolektive ndaj fashizmit të Serbisë, por tentativa për ta riaktualizaur këtë fashizëm përmes qeverisë së kriminalizuar të Kosovës.

Kjo qeveri kriminelësh jo vetëm që ka dhenë miratim në heshtje për këto plane, por ka vendosur në shërbim të këtyre planeve edhe policinë e Kosovës. Këtu nuk ka asgje të re, pasi është po e njëjta qeveri që ka 12 muaj rresht që arreston dhe rreh protestuesit që kundërshtojnë instalimin e projektit fashist të “Zajednicës” në Kosovë. Qeveria e Kosovës është kthyer në bashkëpunëtoren më të ngushtë të fashizmit të Serbisë. Ajo nuk rrezikon vetëm memorien tonë kolektive, ajo rrezikon të ardhmen tonë. Prandaj, pseudokisha duhet hequr, e bashkë me të edhe kjo qeveri!

Artikulli paraprakKrimi në rritje
Artikulli vijuesSi të lexosh më shumë?