Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se niveli i besimit ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ka rënë prej inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Komentet e zotit Putin gjatë një interviste televizive janë postuar sot në faqen e Kremlinit në Internet, në ditën kur në Moskë, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, po zhvillon bisedime me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov.
I pyetur nëse lidhjet Rusi – SHBA ishin përkeqësuar prej se Trump erdhi në presidencë në muajin janar, Putin është pergjigjur: “mund të thuhet se niveli i besimit në nivelin punues, e veçanërisht në atë ushtarak…nuk është përmirësuar, por ka shumë gjasë që është përkeqësuar”.
Putin, po ashtu, e ka mbrojtur vlerësimin e Kremlinit se qeveria e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, nuk ishte përgjegjëse për atë që Shtetet e Bashkuara thonë se ishte sulm me armatim kimik më 4 prill, nga i cili janë vrarë dhjetëra civilë.
Putin tha se beson se të dy teoritë më të besueshme janë se gazi helmues ishte liruar kur sulmet ajrore të qeverisë së Sirisë e kanë goditur një kapacitet prodhues të armatimit kimik të kryengritësve apo ky sulm ishte “thjesht i organizuar”.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera i kanë hedhur poshtë prtendimet e tilla si të pabaza.